Sequi: Ka progres, Shqipëria ka shanse ta marrë shumë shpejt statusin

Sequi: Ka progres, Shqipëria ka shanse ta marrë shumë shpejt statusin

lri-jale-2

Ambasadorit i Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Ettore Sequi ka deklaruar se Shqipëria ka shumë shanse të marrë statusin e vendit kandidat në një kohë të shkurtër. Duke folur para të rinjve të LRI-së në Akademinë Verore për Politikën në Jalë, diplomati i huaj tha se ka disa lëvizje interesante në drejtim të përmbushjes së kritereve të kërkuara nga BE-ja dhe se me angazhimin e duhur proceset integruese mund të marrin një hov të madh.

“Siç e dini për të martë statusin e vendit kandidat ne kemi kërkuar një sërë kriteresh, njëra prej të cilave ishte edhe aprovimi në parlament i tre ligjeve që fatmirësisht u bë para zgjedhjeve të 23 qershorit, tha Sequi. Kemi kërkuar edhe disa angazhime sa i pirjet luftës kundër korrupsionit dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe kjo është pjesë e kapitullit më të rëndësishëm. Në këtë drejtim nuk është se kemi shumë kohë për të parë rezultate, por gjithsesi shoh se ka disa lëvizje interesante. Mendoj se me angazhimin e duhur dhe me ndërmarrjen e shpejta të disa veprimeve, shanset janë shumë të larta sa i përket marrjes së statusit”, theksoi shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë.

Në ditën e dytë të aktivitetit të organizuar nga LRI-ja në Jalë, z. Ettore Sequi ka referuar në seminarin me temë “Çfarë përfaqëson BE për Shqipërinë dhe sfidat e menjëhershme për Tiranën”. Duke folur për këtë temë ai ka shpjeguar se BE është një sistem vlerash të përbashkëta, që ka të bëjë me barazinë gjinore, ka të bëjë me të drejtat e njeriut në tërësi, me barazinë ndaj ligjit, ka të bëjë dhe me standardet dhe me rregullat në tërësi. “Nesër një pjesë e juaja do të ketë përgjegjësi më të mëdha qoftë në qeverisje dhe në administrim.

Kërkoni barazinë para ligjit, sepse kjo ju jep ju mundësi të barabarta për të pasur progres dhe për të ecur përpara në jetë. Përpiquni të jeni sa më aktivë sa më kërkues në mënyrë që edhe me ndihmën tonë të arrini sa më shpejt të bëheni pjesë e kësaj familje të madhe që është Bashkimi Evropian. Ju tashmë po i provoni tashmë disa përfitime siç është për shembull liberalizimi i vizave. Bëhuni sa më aktivë ose angazhohuni më tepër për të bërë presionin e duhur kundrejt politikanëve që të ecim sa më shpejt në procesin e integrimit evropian. Sepse procesi i integrimi evropian ka të bëjë më jetën tuaj dhe të ardhmen tuaj”, u shpreh ambasadori.

Ai iu bëri thirrje të rinjve që marrin pjesë në jetën politike të vendit, në jetën aktive publike dhe ta kenë të qartë se integrimi në BE është në interesin e vendit, një interes që përfshin konkretisht jetën e njerëzve. Sipas ambasadorit për të gjitha vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, sfida numër një është ajo që quhet sundimi i ligjit apo shteti ligjor.

“Kjo do të thotë të garantohet se të gjithë pavarësisht funksioneve të jenë të barabartë para ligjit. Kjo do të thotë të luftosh korrupsionin, të luftosh krimin e organizuar, të mos ketë diskriminime në zbatimin e ligji. Askush nuk duhet të dalë mbi ligjin dhe askush poshtë ligjit, shtoi z. Sequi. Kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, do të nisin negociatat, që është një proces shumë i komplikuar. Do të jenë 35 kapituj duke nisur nga ambiente deri te të drejtat e njeriut, dhe një kapitull është ai që do të hapë dhe do të mbyllë negociatat para se të bëhen i anëtar më të drejta të plota i BE-së: është sundimi i ligjit. Pasi të gjithë këto kapituj të mbyllen padyshim që do të vihet re se vendi ka bërë një progres shumë të theksuar sa i përket reformave dhe për të pasur një jetë më të mirë dhe zhvillim më të mirë për të gjithë”, tha përfaqësuesi i BE-së.

Ndërkaq, z. Sequi u ndal edhe tek ajo që ai e cilësoi si një handikap në kulturën e bashkëpunimit dhe dialogut në ambientin politik në Shqipëri. “Në shumë raste arritja e konsensusit do të thotë që edhe kundërshtari juaj politik nuk do të duhet domosdoshmërisht të humbasë që ju të jeni fitimtarë, tha ai. Historia e Evropës është një shembull i gjalla i asaj që unë thashë, kemi Francën dhe Gjermaninë që siç e dini kanë pasur konflikte të ashpra për shekuj me radhë, por vetëm pas Luftës së Dytë Botërore të dyja vendet e kuptuan se ishte më mirë që të bashkëpunonin. Unë besoj që edhe ju mund të jeni shumë bashkëpunues, sepse herë pas here duke bashkëpunuar me kundërshtarin tuaj dhe duke mos e parë atë si armik, do të keni përfitime më të madhe”, theksoi Ambasadori i Bashkimit Evropian.

Më tej, ai foli edhe për sfidat e mëdha me të cilat do të përballet biznesi shqiptar për të konkurruar në tregun e madh evropian, duke dhënë edhe shembuj konkretë. Z. Sequi u shpreh se duhen arritur standardet më të larta së pari në tregun shqiptar për konsumatorin vendas e më pas të mendohet për të dalë në tregun evropian me eksporte.

Sa i përket kontributit që ka dhënë Bashkimi Evropian për Shqipërinë, ambasadori theksoi se janë financuar rreth 520 milionë euro për projekte të ndryshme gjatë viteve të fundit. “Këto para janë shpenzuar për të përmirësuar shërbimin policor, sistemin e drejtësisë, në ndërtimin e rrugëve, shkollash, burgjesh, për të mbështetur bujqësinë. Pse e bëjmë ne këtë? Sepse ne kujdesemi dhe na intereson e ardhmja evropiane e Shqipërisë. Normalisht në këtë kohë krize kudo në Evropë do të ishte e natyrshme që ne të thonim se nuk kemi para dhe do të shkurtojmë fondet për Shqipërinë, por në këtë rast ne nuk e bëmë. Arsyeja është se ne ju besojmë dhe besojmë te angazhimi juaj, jemi të interesuar për të bërë më të mirën për ju dhe për vendin tuaj. Dhe sigurisht ne kujdesemi për të ardhmen tuaj”, përfundoi z. Sequi.

 

Deklarata e Ambasadorit Arvizu

Ndërkaq, po dje edhe Ambasadori i SHBA-së, z. Alexander Arvizu, i ftuar gjithashtu nga LRI në Akademinë Verore për Politikën që po zhvillohet në bregdetin e Jalës, ka referuar në seminarin me temën “Vizioni i SHBA për Shqipërinë dhe Ballkanin”. Diplomati amerikan u ka bërë thirrje të rinjve që të shohin drejt së ardhmes dhe se ai beson që Shqipëria që mund të kontribuojë, teksa foli edhe zgjedhjet e 23 qershorit.

“Ne mezi po presim të punojmë edhe me qeverinë e re, kemi hyrë tashmë në bisedime dhe për mua arsyeja më domethënëse është se këto zgjedhje
kanë dëshmuar që votuesi shqiptar, elektorati shqiptar që sot e tutje është i gatshëm që t’i vënë përpara përgjegjësisë politikanët dhe ata që ato zgjedhin në Parlament. Kjo që ka ndodhur, për mendimin tim, përfaqëson një lloj konsolidimi të demokracisë dhe të vlerave të saj në një vend si Shqipëria”, tha z. Arvizu.

Duke analizuar zgjedhjet e 23 qershorit, z. Arvizu theksoi se ato kanë qenë më të rëndësishmet që Shqipëria ka pasur ndonjëherë dhe se për SHBA-në ka tepër rëndësi konsolidimi i demokracisë.

“Pika e parë që ka më tepër rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur vjen fjala për Shqipërinë, është konsolidimi i demokracisë. Dhe gjykoj se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, zgjedhje me të vërtet historike.