01 Mar Sekretari i Partisë së Lirisë për pushtetin vendor, Petrit Sinaj: Rishikimi i Reformës Territoriale është bërë i domosdoshëm
Në Shqipëri gjatë 3 dekadave qeverisja vendore njeh dy kulme të rëndësishme, miratimin e ligjit për pushtetin vendor në vitin 2000, sipas fyrmës së Kushtetutës të miratuar në vitin 1998, dhe Reformën territoriale të vitit 2014 që u duk se erdhi si domosdoshmëri e zhvillimeve social-ekonomike në vend.
Reforma Administrative – Territoriale, solli reduktimin e njësive vendore, nga 373 prej tyre 308 komuna dhe 65 bashki, në vetëm 61 bashki dhe la të paprekur numrin 12 të qarqeve.
Sfidat e qeverisjes vendore në Shqipëri do të përfshinin uljen e nivelit të korrupsionit, rritjen e burimeve financiare, rritjen e autonomisë fiskale, rritjen e përmirësimit të infrastrukturës, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, si dhe të rritej mbështetja sociale.
Gjithashtu do të duhej të thellohej decentralizimi, ku autoriteti dhe përgjegjësia për funksione të tjera, si arsimi 9 vjeçar apo shëndeti parësor dhe funksione të tjera të transferoheshin nga pushteti qendror në njësitë e qeverisjes vendore.
Decentralizimi duhet të kishte përmasat e veta, politike, administrative dhe financiare. Të tre këta komponentë e bëjnë të plotë decentralizimin dhe në këtë mënyrë njësitë e Vetqeverisjes Vendore kryejnë funksionet dhe ushtrojnë kompetencat në një nivel qeverisjeje sa më pranë qytetarëve.
Mosadresimi i këtyre sfidave ka pasur ndikim negativ në funksionimin e qeverisjes lokale në Shqipëri dhe në besimin e qytetarëve në institucionet vendore.
Për të adresuar këto sfida, nevojitet një angazhim i përbashkët për të rritur përfaqësimin, pjesëmarrjen, transparencën dhe llogaridhënien, për të ndryshuar
politikën e financimit dhe mbështetjes së zhvillimit në qeverisjen vendore, si dhe për të kufizuar ndikimin e interesave private në vendimarrjet lokale.
Në këto rrethana, mbeten ende çështje të hapura për diskutim dhe rishikim ashtu si dhe ka progres e përmirësim në aspekte të caktuara.
Çështje që mbeten ende për diskutim janë:
A është ndarja territoriale në 61 bashki ende një çështje për diskutim?
A është ezauruese reforma e deritanishme e shtrirë vetëm në nivelin e parë të qeverises vendore, pa reformuar nivelin e dytë, qarqet, si premisa për zhvillimin dhe rajonalizimit në Shqipëri?
A ka siguruar reforma me shume autonomi financiare dhe decentralizim fiskal?
A ka garantuar reforma barazi në ofrimin e shërbimeve dhe kushte të njëjta jetese ndërmjet zonave urbane dhe rurale, dallim I cili nuk ekziston në vendet e zhvilluara?
A janë plotësuar kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve përmes efiçensës në shërbime publike
A ka siguruar reforma efektiviten dhe efiçencën e burimeve njerëzore?
A ishin kriteret mbi të cilat u realizua ndarja e re të studiuara dhe analizuara mirë, dhe çfarë rezultatesh kemi 9 vjet pas zbatimit të saj?
A ka vend për përmirësime dhe korrigjime?
Çfarë duhet të propozohet aktualisht në lidhje me rritjen e efiçensës së reformës territoriale në nivelin e parë dhe të dytë të pushtetit vendor?
Situata aktuale tregon që ka një dakordësi që rishikimi i Reformës Territoriale është bërë e domosdoshme dhe duhet të shoqërohet me një paketë decentralizuese të plotë.
Reforma Administrativo-Territoriale duhet të synojë fuqizimin e njësive të qeverisjes vendore duke rritur kapacitetin e tyre për të ofruar shërbime të një cilësie të lartë për qytetarët dhe rritjen e efiçencës së menaxhimit të burimeve natyrore, financiare dhe njerëzore të këtyre njësive.