Risia në komunikim që sjell LSI-ja. Z. Meta i përgjigjet në kohë reale me video çdo të interesuari që i dërgon pyetje

Risia në komunikim që sjell LSI-ja. Z. Meta i përgjigjet në kohë reale me video çdo të interesuari që i dërgon pyetje

ilirmeta06022013

Ndryshe nga të tjerët Lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka shmangur stafin e tij dhe ka preferuar t’i përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve të qytetarëve të bëra në rrjetin social “Facebook”, për çështje konkrete. Për 2 ditë z. Meta i janë drejtuar 342 pyetje. Si gjithnjë në publik me gjetje të veçantë Meta nuk ka lënë asnjë shteg interpretimi duke qenë vetë në “Inbox-in” e të gjithë atyre që kanë pyetur. “Të nderuar miq është kënaqësi e veçantë për mua që të komunikoj drejtpërdrejtë me ju nëpërmjet medias sociale të “Facebook”. Dua të shpreh kënaqësinë time për qindra pyetje që më janë drejtuar”, është shprehur z. Meta në nisje të përgjigjeve të tij. Të 342 pyetjeve në mënyrë individuale u është dërguar përgjigja nga ana e z. Meta në “Inbox”in e tyre në “Facebook”.

Pyetjes së bërë nga më shumë se 60 qytetarë se cili do të jetë koalicioni i ardhshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet të 23 qershorit përgjigja e z. Meta ishte “Me këtë rast unë dua të falënderoj Gertinj, Indritin, Elvisin, Eduardin, Julin dhe dhjetëra të rinj të tjerë, të cilët kanë shprehur për një pyetje e cila më bëhet vazhdimisht edhe në takimet që kam këtu brenda vendit. Atëherë mund t’ju them se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që i qëndron marrëveshjeve.

Këtë e ka bërë edhe me Partinë Socialiste përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2007, pavarësisht se ishte ajo që nuk i qëndroi marrëveshjes pas rizgjedhjes së kryetarit të saj si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Dhe këtë gjë e ka bërë njëkohësisht në mënyrë tepër të qëndrueshme edhe me Partinë Demokratike pas koalicionit që imponoi vota dhe rezultati i qershorit të vitit 2009. Lidhur me pyetjen tuaj, më vjen keq që nuk mund t’ju jap dot një përgjigje përfundimtare sot për arsye se kjo është një çështje e cila do të diskutohet në momentin e duhur dhe do të vendoset nga Konventa Kombëtare e LSI-së, e cila përbëhet nga 2300 delegatë. Natyrisht kjo nuk do të vendoset vetvetiu. Ne gjykojmë që në dy javët e para të muajit prill të hapet debati lidhur me çështjen e koalicionit të ardhshëm dhe brenda 16 prillit, pra një javë përpara së të përfundojë afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve, të merret një vendim përfundimtar dhe sa më i përgjegjshëm i Konventës Kombëtare të LSI-së. Me këtë nuk dua të them se jemi të paqartë për atë që do të vendosim, përkundrazi. Por, gjykojmë se çdo vendim duhet të merret në kohën e duhur dhe ka nevojë për një vlerësim sa më kompleks, për një vlerësim për mbarëvajtjen dhe ecurinë e koalicionit ekzistues qeverisës dhe njëkohësisht, bazuar edhe në kodin zgjedhor, ka nevojë dhe për një vlerësim të ndërtimit të të gjithë strategjive dhe taktikave elektorale në mënyrë që LSI në zgjedhjet e 23 qershorit të jetë një forcë shumë e rëndësishme sesa aktualisht, me një përfaqësim disa herë më të lartë edhe në Kuvendin e Shqipërisë, por edhe me një rol akoma dhe më të rëndësishëm në qeverisjen e ardhshme të vendit. Ajo që mund t’ju them me siguri të plotë është që ne në asnjë rast nuk do të bëhemi palë e këtij konflikti politik që ka bllokuar procesin e marrjes së statusit kandidat nga ana e Shqipërisë, pra për në Bashkimin Europian dhe njëkohësisht ne do të jemi në çdo rast një forcë konstruktive e cila do të punojë për të garantuar së pari një standard më të lartë të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe këtë me shumë mundësi dhe instrumente për këtë gjë, pasi për herë të parë LSI është e përfaqësuar në të gjitha nivelet e administratës zgjedhore, duke pasur jo vetëm anëtarin e KQZ si përfaqësues të saj, por njëkohësisht edhe në të gjithë piramidën e administratës me komisionerët dhe emëruesit e saj, të cilët do të investojnë në radhë të parë për respektimin e ligjit dhe të kodit zgjedhor dhe për të pasur një proces transparent dhe të pakontestueshëm.

Njëkohësisht gjatë kësaj kohe ne po punojmë për përgatitjen e programit të ardhshëm elektoral të LSI-së dhe natyrisht që ndërsa për koalicionin parazgjedhor do duhet që të shprehet Konventa, për çdo koalicion paszgjedhor do të dëgjohet vota e qytetarëve në 23 qershor dhe koalicionet më të sigurta janë ata që bazohen në respektin ndaj votës së qytetarëve. Pyetja e bërë nga Adelajda Adela ishte “Përshëndetje z. Meta, do të isha e lumtur në qoftë se do të merrja një përgjigje për pyetjen time. Në fakt është një pyetje për një fenomen gjithnjë e në rritje, papunësia. Unë si studente e “bussines loë” ose “e drejtë biznesi”, çfarë prioriteti do kem krahasuar me numrin e madh të juristeve të dale së fundmi në treg, duke nisur që nga studimet “magjistraturë” dhe “doktoraturë” dhe prioritetet në tregun e punës. A do të jetë i mundur punësimi me anë të zotësisë? A do kenë mundësi të rinjtë e diplomuar të punësohen pranë gjykatave pa korruptuar me të mëdhenjtë??? Në pritje të një përgjigjeje, faleminderit për kohën tuaj”. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim iu përgjigj se “Motoja e LSI-së Adelajda është “Arsimim për punësim”. Kjo do të thotë që nuk është e rëndësishme për një të ri vetëm të arsimohet por është e rëndësishme që të arsimohet në funksion edhe të mundësisë për të gjetur një punë të sigurt për të ardhmen e tij, në mënyrë që diplomat të mos mbeten fiktive apo thjesht për të plotësuar disa ambicie kulturore. Në këtë drejtim ne vlerësojmë se ka një mospërputhje ende serioze midis arsimimit dhe mundësisë për punësimin.

Ne vlerësojmë se “Arsimim për punësim” është një moto që duhet konkretizuar çdo ditë, në mënyrë që të kemi mundësi për të arsimuar dhe për të edukuar të rinj sipas fushave ku ata nesër do të gjejnë hapësira në tregun e punës. Duhet të theksojmë edhe rëndësinë e formimit profesional pasi është shumë e rëndësishme për të krijuar mundësinë e arsimimit dhe të formimit për shumë profesione të domosdoshme dhe të kërkuara sot në tregun e punës, të cilat nuk u është kushtuar rëndësia e duhur deri më tani. Në këtë drejtim unë dua të shpreh besimin tim se për të gjithë ata të rinj të cilët kanë arritur që përmes studimeve të tyre të fitojnë me aftësi dhe me djersë një diplomë me vlerësime optimale padyshim se ekziston mundësia për të gjetur një vend pune, jo vetëm në sektorin publik, ku vlerësimi apo punësimi bazohet në konkurs, por njëkohësisht edhe në sektorin privat që është sektori më i gjerë në vend dhe gjithmonë e më me arritje. Ndaj ne i kemi kushtuar edhe një rëndësi të veçantë për të gjithë studentët që të zhvillohen praktikat e punësimit pranë institucioneve të ndryshme apo pranë kompanive të ndryshme. Jo vetëm kaq por ato të kenë edhe një vlerë të njohur si një mundësi e mirë për të pasur sukses në bërjen e intervistave për tu punësuar dikur dhe për të gjetur vendin e parë të punës”. Ndërkohë që pyetjes së bërë nga Danjela Shahini se sa e vlerëson të suksesshëm këtë koalicion të këtyre 4 viteve dhe se tek cilat reforma do të mbështetet LSI-ja në fushatën zgjedhore, z. Meta iu përgjigj se “Dua ta falënderoj Danjelën për këtë pyetje dhe e siguroj se ky koalicion ka treguar që është një koalicion i qëndrueshëm dhe
që ka arritur të sigurojë një stabilitet të përgjithshëm politik dhe ekonomik në vend, duke pasur në konsideratë rrethanat rajonale, evropiane e globale të një krize që ende vazhdon dhe që është me pasoja tepër të ashpra në vendet tona fqinje si Greqia apo edhe Italia, që janë edhe partnerët tanë kryesore tregtarë dhe ekonomikë. Pra, duhet të theksoj se ky stabilitet dhe kjo qëndrueshmëri pa asnjë diskutim që është një sukses edhe i këtij koalicioni që LSI ka realizuar dhe ka kontribuar deri tani. Le të mos harrojmë që brenda vitit të parë ky koalicion arriti një sukses të jashtëzakonshëm që ishte realizimi në kohë, pra brenda vitit të parë të qeverisjes, për liberalizimin e vizave të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Dhe të mos harrojmë që kjo nuk ka qenë e lehtë, përkundrazi janë plotësuar me qindra e qindra kritere strikte të vendosura nga BE, jo vetëm ligje apo akte të ndryshme administrative por edhe investime në teknologjitë nga më modernet për kontrollin e kufirit, të dokumenteve të udhëtimit e kështu me radhë.

Natyrisht që në rast se situata politike në vend do të kishte qenë më bashkëpunuese, nuk do të kishim pasur bllokimet, bojkotet e vazhdueshme nga ana e opozitës por një dialog më normal si në çdo vend tjetër demokratik evropian, pa asnjë diskutim që shumë energji të cilat për fat të keq u shpërdoruan në drejtim të konfliktit politik, do të ishin investuar për politika më të suksesshme ekonomike apo sociale. Megjithatë përsa i takon fushatës së ardhshme, natyrisht që LSI në qendër të vëmendjes do të ketë problemet e punësimit dhe problemet ekonomike në përgjithësi pasi ato janë problemet më shqetësuese dhe më të mprehta për çdo familje shqiptare dhe çdo të ri sot. Në këtë drejtim ne do të hymë me një program konkret i cili do të synojë për të mbrojtur vendet aktuale të punës sepse kriza që përmendëm më parë vazhdon, por njëkohësisht edhe për hapjen e vendeve të reja të punës.

Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë që një sërë masash kanë marrë gjatë këtyre viteve sidomos në mbështetjen e biznesit fason për të lehtësuar kostot e tij, i cili është biznesi kryesor punëdhënës sot në Shqipëri. Edhe përpjekje të tjera po bëhen dhe do të bëhen sikurse është edhe heqja e tatimit për pagat deri në 30 mijë lekë të reja që është një tjetër kontribut në interes të të gjithë të punësuarve me të ardhura të pakta dhe modeste. Ne do të dalim me një plan shumë të qartë dhe shumë konkret përsa u takon punësimit dhe problemeve ekonomike dhe besojmë se do të jetë plan realist i cili do të na krijojë mundësinë jo vetëm për ti bindur të gjithë shqiptarët për atë që LSI është një forcë me këmbë në tokë, me një vizion të qartë, që i njeh problemet dhe e angazhuar për ti zgjidhur por njëkohësisht besojmë se do të na krijojë mundësinë për të pasur një përfaqësim disa herë më të lartë në Kuvendin e ardhshëm dhe një rol akoma më të madh në qeverisje sepse kuptohet se edhe aftësia për të mbajtur premtime varet edhe nga mundësitë dhe instrumentet për realizimin e këtyre dhe besojmë se rritja e kësaj vote do të jetë mundësia më e mirë që do të na jepet për të realizuar premtimet tona”. Një pyetje tjetër e drejtuar për z. Meta ishte ajo e Kristi Bossi i cili pyet se “a mendoni zoti Meta se shqiptarët kanë humbur trenin e Evropës duke mos miratuar tre ligjet e famshme”. Z. Meta iu përgjigj kësaj pyetje se “Këto ligje janë bërë të famshme sepse janë bërë objekt i një debati të jashtëzakonshëm përgjatë këtyre muajve të fundit dhe njëkohësisht nuk janë bërë të famshme për mirë por janë bërë të famshme për keq, pavarësisht se nuk është faji i këtyre dy ligjeve dhe i kësaj rregulloreje që pritet të miratohen në Kuvendin e Shqipërisë sepse këto janë të standardeve evropiane. Është faji i konfliktit politik dhe i bllokimit që nuk kanë ndihmuar për të realizuar konsensusin e domosdoshëm prej 3/5 që duhet për miratimin e tyre. Sikurse edhe Komisioneri për Zgjerim ka theksuar është kërkesa minimale që Shqipëria të miratojë këto tre akte por të pasur një raport pozitiv për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ky ka qenë edhe qëllimi i vizitës më të fundit të komisionerit Fyle në vendin tonë, përveç angazhimit për t’i ftuar palët për të mos dëmtuar standardin e zgjedhjeve që po vijnë.

Në këtë drejtim Kristi besoj ju e keni ndjekur vazhdimisht shqetësimin tonë si LSI dhe timin personal njëkohësisht edhe apelet tona të vazhdueshme që ethet elektorale të 23 qershorit të mos pengojnë miratimin e këtyre tre akteve dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Sikurse e tha edhe Komisioneri Fyle statusi është plotësisht i arritshëm, varet nga politikanët. Ne si LSI do të vazhdojmë të kërkojmë këtë bashkëpunim të domosdoshëm sepse është e rëndësishme që të mos i bëhemi pengesë vendit për realizimin e një aspirate që u takon të gjithë shqiptarëve dhe që s’mund të jetë kurrsesi as pronë dhe as pasuri e politikës. Ndaj shpresoj që edhe kjo vizitë e Komisionerit Fyle të japë efekte pozitive në këtë drejtim. Ne si LSI do të luajmë rolin tonë përshpejtues, moderues dhe konstruktiv që këto standarde të plotësohen, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat dhe njëkohësisht zgjedhjet të jenë plotësisht të standardeve evropiane. Një pyetje tjetër drejtuar për z. Meta në median sociale “Facebook” i është drejtuar z. Meta nga Egla G-j e cila pyet se “Përshëndetje! Jam shumë e interesuar të di për ndonjë projekt tuajin për të punësuar studentët e sapodiplomuar. Hasim vetëm në dyer të mbyllura apo oferta super të shtrenjta korrupsioni. Po t’i kishim ato lekë ndoshta s’do kërkonim fare të punonim”. “Unë dua ta siguroj Eglën se ne jemi shumë të interesuar për të shtuar mundësitë e punësimit për të gjithë studentët që diplomohen.

Kjo është një nga arsyet që ne po i japim prioritet të veçantë praktikave të punësimit të cila do t’i ndihmojnë të rinjtë për të qenë më të përgatitur për realizimin e intervistave për tu punësuar. Duhet të kemi parasysh se vendet në administratën publike janë të kufizuara dhe është njëkohësisht shumë e rëndësishme të nxisim lehtësirat fiskale për të gjitha këto biznese të cilat punësojnë të rinj dhe të reja, në mënyrë që të plotësojnë edhe kostot e tyre në këtë drejtim për t’i bërë të interesuar për të hapur vende të reja pune por edhe për të punësuar të rinj dhe të reja pasi dihet që në përgjithësi biznesi është i orientuar për të punësuar ata që dinë ta bëjnë një punë më mirë në një kohë sa më të shpejtë dhe që kanë një eksperiencë. Ky është edhe thelbi i promovimit tonë dhe i praktikave të punës, në mënyrë që të shkurtojmë këtë rrugë të gjatë për një të ri apo të re që diplomohet për të gjetur sa më shpejt një punë të parë”, u përgjigj Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, për pyetjen e bërë në “Facebook” nga Egla G-j.