Reagimi/ Konferenca për shtyp e Nënkryetarit të LSI-së, Ylli Manjani

Reagimi/ Konferenca për shtyp e Nënkryetarit të LSI-së, Ylli Manjani

yllimanjani10042013

Ne thirrëm përsëri këtë komunikim me ju, në këtë orë, edhe për t’ju përgjigjur interesit tuaj të shtuar. Me këtë rast unë dua të falënderoj të gjithë median për interesin që ka shprehur gjatë këtyre orëve pas nisjes së procedurave në Komisionin e ligjeve të parlamentit, sot në orën 14.30, procedura të cilat nuk kanë asnjë lidhje me shtetin, me ligjin, me Kushtetutën, rendin juridik, procedura të cilat praktikisht i nxjerrin pozicionet e vendit, në mënyrë të veçantë zgjedhjet e lira në një kontekst tërësisht ilegal. Ky është një moment që çdo parti politike duhet të mbajë qëndrimet e saj por jo vetëm partitë politike institucionet në vend por në radhë të parë Parlamenti i Shqipërisë i cili ka detyrë nesër më shumë sesa asnjëherë tjetër të rivendosë legjitimitetin e munguar, i cili ka nis sot në Komisionin e Ligjeve i cili duhet të ishte simboli i respektimit ku ligji drejt së drejtës në këtë vend. 

Dua t’ju jap paraprakisht një informacion, fare të shkurtër, teknik, në lidhje me situatën ku jemi: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është lejuar me vendim të Parlamentit në bazë të nenit 14, të Kodit Zgjedhor, i cili është miratuar me konsensus politik të gjerë  në Parlamentin e Shqipërisë, jo shumë muaj më parë. Po në bazë të këtij neni, pra në bazë të nenit 14 dhe gjerësisht në dispozitat e Kodit Zgjedhor, filloi kjo KQZ që të funksiononte normalisht dhe funksionon dhe në çastin që flasim, me anëtarësi të plotë. Sot, opinioni publik u vu në dijeni se një kërkesë e Partisë Republikane paska vënë në lëvizje Komisionin e Ligjeve për të çel procedurat e zëvendësimit të njërit prej 7 anëtarëve të KQZ-së. Dua të bëj me dije opinionin publik se KQZ funksionon në bazë të Kodit Zgjedhor dhe është neni 18, dhe neni 19 i këtij kodi që parashikon rastet se kur dhe si zëvendësohet një anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë rast janë përcaktuar në një listë fare qartë të cilat po u a lexoj:

Rasti i parë kur zëvendësohet një anëtar i KQZ-së është kur ai apo ajo kryen veprimtari politike. Rasti i dytë është kur mbush moshën për pension. Rasti i tretë është kur anëtari i KQZ-së vdes. Rasti i katërt është kur anëtari i KQZ-së jep dorëheqjen. Rasti i pestë është kur ai ose ajo dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, një krim. Rasti i gjashtë është kur me veprim ose me mosveprim anëtari i KQZ-së cenon rëndë veprimtarinë e këtij institucioni. Dhe rasti i fundit kur anëtari i KQZ-së zëvendësohet kur mungon pa arsye në mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këto janë rastet dhe në qoftë se ndonjëri nga këto raste ndodh, i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe jo Komisionit të Ligjeve në Parlament, askujt tjetër pra jashtë KQZ-së, që të verifikojë këtë fakt, të marrë një vendim, i cili merret me pesë vota deh ky vendim i transmetohet Parlamentit për zëvendësimet e nevojshme. Asnjëri nga këto veprime nuk ka ndodhur deri më sot.

Deri në çastet që flasim, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gëzojnë shëndet të plotë, janë të gjithë në detyrë, asnjë nuk ka dhënë dorëheqjen. Nuk ka asnjë vendim të KQZ-së që të konstatojë që ka një vend vakant në përbërje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dhe vetëm pasi të ketë një vend bosh, atëherë i takon Parlamentit që të zëvendësojë anëtarin që nuk ekziston më në detyrë. Ky është Kodi Zgjedhor. Pra është e qartë e gjithë procedura sesi bëhet zëvendësimi. Kjo procedurë nuk ka ndodhur, por Komisioni i Ligjeve në Parlament ka marrë përsipër që të jetë më shumë sesa ligji, që të jetë më shumë sesa Kodi Zgjedhor dhe të operojë mbi bazën e një kërkese të Partisë Republikane në mënyrë të çuditshme. Dhe po jua them se pse është e çuditshme, sepse anëtari i tretë sipas Kodit Zgjedhor, që i takonte partive të shumicës parlamentare është zgjedhur me konsensus të plotë të të gjitha partive të vogla, përveç Partisë Demokratike. Këtë thotë ligji. Pra, Partia Republikane ka qenë plotësisht dakord me anëtarin e tretë që i takon shumicës parlamentare dhe që sot kërkohet të zëvendësohet padrejtësisht, në një kontekst krejtësisht ilegal, mbi bazën e një kërkese të Partisë Republikane, që ne nuk besojmë se është kërkese e kësaj partie. Sepse nuk ka ndodhur asgjë në marrëdhëniet midis dy partive tona që të kalojë në këtë gjest politik dhe kjo është një lojë, mesa duket, e Partisë Demokratike e cila qartësisht ka ngel që tani në opozitë. Kjo është situata ligjore, kjo është situata politike.

Do të vazhdoj të insistoj se prekja aq më tepër në kushtet e ilegjimitetit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të thotë prekje e zgjedhjeve. Ata që e bëjnë këtë punë, kanë një prapavijë shumë të qartë. Bëhet për të imponuar shumica të dhunshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të imponuar nesër çdo votë, çdo rezultat zgjedhor dhe çdo gjë që ka të bëjë me zgjedhjet. Nga kjo pikëpamje legjitimiteti i zgjedhjeve është i dyshimtë. Kështu që i takon nesër Parlamentit të Shqipërisë ta kthejë këtë legjitimitet. Natyrisht, është detyra e opozitës që vetëm për shkak të numrave në opozitë sot, sepse politikisht është qartësisht mazhorancë e këtij vendi. Megjithatë, ne do të flasim në kontekstin ku jemi, që të rikthejmë sa më shumë të jetë e mundur legjitimitetin. Ka ende kohë për reflektim, ka ende kohë edhe për Partinë Demokratike të cilën ne e dimë që është një parti që ka qeverisur Shqipërinë në 8 vitet e fundit, nuk i ka hije. Një parti që ka qeverisur këtë vend të sillet në kushtet e ilegjitimitetit, ku kërkon të dhunojë strukturën zgjedhore.

Prandaj, është e rëndësishme të kthejë legjitimitetin. Ky është hapi i parë. Pastaj në varësi të sjelljes sigurisht do të ketë edhe reagim. Ne nuk jemi sot për të bërë të qartë reagimet sepse ato do të vijnë në mënyrë të natyrshme, por jemi për të bërë thirrje njerëzisht, politikisht, në mënyrë qytetare që t’i kthejmë normalitetin, t’i kthejmë klimën e besimit dhe mbi të gjitha të kthejmë legjitimitetin që sot ka filluar të mohohet dhe të cungohet në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve. Kjo është ajo që doja të ndaja me ju edhe në respekt të interesit që keni pasur për të sqaruar këtë situatë. Edhe një herë e theksoj asgjë, asnjë rresht asnjë pikë, asnjë prejse e Kodit Zgjedhor që kemi miratuar me konsensus të gjithë së bashku, nuk është respektuar sot në Komisionin e Ligjeve. Diskutimi mbi balanca politike, mbi shtylla kurrizore apo mbi kushedi se çfarë shpikjesh, u detyruan të nxirrnin nga goja deputetët e Partisë Demokratike të kapur në panik edhe ata. Nuk është faji i tyre sigurisht. Ua njoh zotësitë e tyre. Janë profesionistë shumë të mirë disa prej tyre por që janë të kapur në një panik politik të imponuar dhe përpiqen të justifikojnë një shkelje shumë të rëndë, nuk ka se çfarë ndodh më më shumë se sa kjo, shumë të rëndë të Kodit Zgjedhor. Ne nuk kemi ndo
një interes politik në këtë çështje. Jua siguroj këtë. Kemi besuar gjithmonë dhe besojmë që përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është apolitike. Është e vërtetë që partitë politike propozojnë por në çastin që anëtarët emërohen dhe funksionojnë pranë KQZ-së partitë politike nuk kanë asnjë rol aty, as t’i shkarkojnë anëtarët e Komisionit  Qendror Zgjedhjeve. Kjo është garancia që kemi marrë në Kodin Zgjedhor duke emëruar një institucion apolitik.  Zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së pa ligj, pa rregulla, pa procedurë ngjan me një republikë aspak  juridike, aspak me një republike ku sundon e drejta dhe ligji. Kjo është e rëndësishme që ta kuptojmë.

Z. Manjani çfarë nënkuptoni që Parlamenti t’i kthejë legjitimin? Me sa vota shkarkohet një anëtar i KQZ-së?

Legjitimitet do të thotë: Të mos preket përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky është kusht minimal. Në qoftë se anëtarët e KQZ-së preken sa herë na preken interesat atëherë këtu nuk ka më shtet por pushtet dhe logjikë dhunë, logjikë pushteti, logjika e më fortit. Nuk tregohet vota me logjikë votash, aq më pak me vota të trafikuara apo të blera. Nuk ke kujt ai tregon pushtetin me këtë. Partitë politike qeverisin ose janë në opozitë për shkak se ndërtojnë aleanca jo fluide por aleanca të qëndrueshme. Është fjala për marrëveshje burrash dhe jo marrëveshje… Nuk dua t’i vë asnjë fjalë tjetër. Kjo është situata. Legjitimitet do të thotë respektim i ligjit. Referojuni të paktën tre neneve të Kodit Zgjedhor, nenit 14 që tregon se si formohet KQZ-së, neni 18 që jep rastet kur dhe si i ndërpritet mandati anëtarit të KQZ-së dhe nenit 19 që tregon se si bëhet zëvendësimi në të tilla raste. Në asnjërin nga këto nene nuk do ta gjeni as formalisht Komisionin e Ligjeve në Parlament dhe kur Komisioni i Ligjeve merr përsipër të shkelë ligin kjo është diçka që nuk meriton shumë komente përveçse ilegjitimitet. Nga kjo pikëpamje kthimi i legjitimitetit është kusht për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.