Ralf Gjoni: LSI përshëndet kontributin e BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd

Ralf Gjoni: LSI përshëndet kontributin e BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd

ralfgjoni20032013

Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni, në një intervistë dhënë për televizionin “ABCnews”, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në rajon, sidomos për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Z. Gjoni tha se LSI përshëndet të gjithë mbështetjen dhe kontributin që Bashkimi Evropian i jep këtij dialogu.

Z. Gjoni, vizitat e përfaqësuesve të lartë të BE, Fule dhe Ashton, çfarë do të thonë për Kosovën?

Ajo që duhet përshëndetur është një angazhim shumë i madh dhe shumë i shpeshtë i krerëve të lartë të BE, për sa i përket edhe Kosovës edhe Serbisë, sidomos mbarëvajtjes së dialogut midis dy vendeve. Nuk është thjesht një zyrtare e lartë, baronesha Ashton është përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE, sidomos pas traktatit të Lisbonës, kemi një përfaqësuese të lartë të politikës së jashtme dhe kemi një komisioner për Zgjerimin. Prania e dy autoriteteve më të larta të politikës së jashtme, por edhe të politikës së zgjerimit të BE, si në Kosovë ashtu dhe në Serbi tregojnë një angazhim dhe një vullnet shumë pozitiv për sa i përket përqasjes së Brukselit drejt perspektivës së këtyre dy vendeve në BE. Është një riafrimin, është një rikonfirmim, që edhe Serbia edhe Kosova e kanë vendin në BE. Dhe unë besoj se duhet përshëndetur fort kjo iniciativë dhe ky angazhim kaq konkret i z. Fule dhe i baroneshës Ashton, sepse garanton pak a shumë atë strukturë, apo të vetmin mekanizëm që mund të sjellë paqe midis këtyre vendeve dhe paqe në të gjithë rajonin.

Gjashtë raunde të mbajtura takimesh midis dy kryeministrave, nesër raundi i shtatë, çka kanë sjellë deri tani këto takime?

Unë besoj që gjëja e parë që kanë sjellë është dialogu, pra zhvillimi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit është një mekanizëm shumë i rëndësishëm për të ecur përpara. Kemi të bëjmë me dy kryeministrat, të cilët kanë deklaruar të paktën z. Daçiç që, nëse do ishin në luftë, ata do ta eliminonin njëri-tjetrin. Sot bisedimet dhe marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve zhvillohen në një kontekst tjetër, në kontekstin e dialogut. Dialogu është fitorja e parë e këtyre bisedimeve e ndërmjetësimit të BE. Kanë prodhuar edhe rezultate konkrete në terren, kemi menaxhimin e integruar të kufijve midis dy vendeve, kemi hapjen e zyrave përfaqësuesve bilaterale, pra në dy vendet, pra mund t’i quajmë ambasada, mund t’i quajmë zyra përfaqësimi, nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që po ecet përpara me një ritëm goxha të kënaqshëm dhe pritet shumë shpejt që të kalohet në terma më konkretë për sa i takon veriut të Kosovës, që unë do ta quaja çështja e ngërçit, akulli që duhet thyer është veriu i Kosovës. Besoj se, nesër bisedimet midis z. Daçiç dhe z. Thaçi do të përqendrohen pikërisht një zgjidhjen e problemeve në veriun e Kosovës, për sa u përket strukturave paralele. Është e sigurt që strukturat paralele duhet të përfundojnë. I duhet dhënë fund këtyre strukturave, sepse nuk ndihmojnë në klimën e mbarëvajtjes në marrëdhëniet ndëretnike dhe të paqes brenda Kosovës, por edhe në marrëdhëniet Serbi-Kosovë. Dhe më tej duhet shkuar në funksionimin e plotë dhe implementimin e plotë të sundimit të ligjit të Republikës së Kosovës në të gjithë territorin e saj, i cili përfshin edhe veriun e Kosovës. Dhe besoj se pa shtytjen dhe pa rënien dakord të Beogradit, kjo nuk mund të arrihet. Kështu që, dialogu midis z. Thaçi e z. Daçiç është çelës për zgjidhjen e këtij ngërçi në veriun e Kosovës.

Një tjetër deklaratë që ka bërë Kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka thënë se, kemi gënjyer veten duke thënë se Kosova është Serbi. Si e përktheni ju këtë deklaratë?

Unë e përkthej si një zgjim të retorikës politike të Beogradit në përputhje me realitetin e prekshëm në vite në Ballkan. Le të themi realitetin, Kosova nuk ka qenë Serbi. U keqmenaxhua nga regjimi i Millosheviçit dhe me përfundimin e entitetit të ashtuquajtur Jugosllavi, përfundoi edhe Kosova si një pjesë e Serbisë. Kosova është një shtet i pavarur, kemi festuar 5-vjetorin e Pavarësisë. Kosova është një shtet në konsolidim, është një shtet që po konsolidohet dita-ditës përmes forcimit të institucioneve dhe mendoj që është një zgjim i retorikës së Kryeministrit të Serbisë për sa i përket pranimit të realitetit në terren. Është e vërtetë që serbët duhet të kthejnë faqen e historisë, të ecin përpara, ta pranojnë faktin që Kosova është shtet i pavarur. Madje, edhe ministri Panariti e ka shprehur në takimin e tij të fundit me homologun serb në Tiranë, që Shqipëria pret nga Serbia që ta njohë Kosovën, sepse kjo do të ndihmonte jo vetëm Serbinë, por të gjithë rajonin për të ecur përpara. Sepse për momentin ngërçi i këtyre marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe Serbisë e ka mbajtur peng zhvillimin social dhe ekonomik të të gjithë rajonit dhe ka një influencë dhe një peshë edhe në vendet përreth.

Për sa i përket njohjes së Kosovës nga arena ndërkombëtare, a mund të ishte bërë më tepër në këtë drejtim dhe çfarë roli ka Shqipëria në këtë drejtim?

Kemi 98 vende që e kanë njohur Kosovën dhe ky është një rezultat i kënaqshëm në pesë vjet. Pra, Kosova është në një rrugë të drejtë, në një rrugë pa kthim drejt njohjes së të paktën 2/3 të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, vota që nevojitet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për t’u bërë anëtari i OKB-së. Shqipëria ka luajtur një rol shumë pozitiv. Unë kam qenë vetë pjesë e Ministrisë së Jashtme dhe kemi qenë shumë të angazhuar për sa i përket lobimit në interes të Kosovës. Të gjitha strukturat e shërbimit të jashtëm të diplomacisë shqiptare janë në shërbim të Kosovës për sa i përket edhe lobimit, sidomos me rajonet që nuk e kanë njohur Kosovën, për shembull lobimi që është bërë në vendet e Ligës Arabe për ta shtuar numrin e njohjeve të Kosovës, por edhe në vende të tjera. Besoj se Shqipëria ka qenë një partnere shumë e denjë, përkrah me partnerët tanë ndërkombëtarë, sidomos me BE-në dhe me SHBA-në për sa i përket rritjes së numrit të njohjeve të Kosovës dhe avancimit të Kosovës drejt një avancimi të plotë në OKB. Unë do të thosha se më tepër sesa anëtarësimi në OKB, ne duhet të bëjmë më shumë për sa i përket shtytjes së bisedimeve për sa u përket bisedimeve të Beogradit me Kosovën. Sepse, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, atëherë ajo do të ushtrojë gjithë influencën e saj për të bllokuar, përmes miqve të saj ndërkombëtarë, si Rusia, për të bllokuar një votë në Këshillin e Si
gurimit. Pasi duhet të kuptojmë se, nëse Këshilli i Sigurimit nuk jep rekomandimin tek Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, atëherë nuk mund të kalohet në votim për anëtarësim në OKB. Dhe asnjë nga anëtarët permanent të Këshillit të Sigurimit nuk duhet të përdorin veton e tyre për sa i përket anëtarësimit të Kosovës. Kështu që, duhet të kuptojmë edhe dinamikat që luhen për sa i përket platformave ndërkombëtare, lobingjeve që duhen bërë me faktorë dhe me elementë të ndryshëm për të arritur në një sukses të sigurt të Kosovës që është anëtarësimi në OKB. Pastaj gjërat do të ecin më shpejt dhe më mirë.

Roli i Shqipërisë në rajon

Absolutisht është ndoshta pika më e fortë e politikës Shqiptare. Atë që politika shqiptare nuk e bën dot brenda kufijve tanë, e ka bërë më së miri në mënyrë të suksesshme për sa i përket përqasjes sonë edhe rajonale, por edhe ndërkombëtare. Ne jemi një vend të cilët jemi të rrethuar me shqiptarë, më bashkëkombësit tanë në të gjithë rajonin, në të gjitha anët e kufirit tonë dhe e kemi ushtruar të drejtën tonë me marrëdhëniet tona me fqinjët në një mënyrë tepër të përgjegjshme dhe tepër pozitive dhe konstruktive. Mund të kishin qenë edhe qeveri të tjera dhe një klasë tjetër e papërgjegjshme, ndoshta më nacionaliste në të kaluarën, e cila mund të provokonte më tepër probleme, dhe sot ndoshta nuk do të ishim ku jemi, për sa i përket marrëdhënieve mes vendeve, por edhe të drejtave të qytetarëve të këtyre vendeve me njëra-tjetrën, kujtoj Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, liberalizimin e vizave pas vizitës së z. Meta në Beograd, por edhe të drejtave të qytetarëve serbë. Një vit më vonë ndoqi edhe Serbia shembullin tonë për qytetarët shqiptarë. Pra, ka një avancim dhe një moment pozitiv, do të thosha, në rajon dhe Shqipëria është një faktor kyç në arritjen e këtij momenti historik.