Ralf Gjoni: Konflikti politik po institucionalizohet, po pengon integrimin

Ralf Gjoni: Konflikti politik po institucionalizohet, po pengon integrimin

ralfgjoni07022013

Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni, në një intervistë dhënë për televizionin “ABCnews”, është shprehur se konflikti politik në Shqipëri po institucionalizohet dhe po pengon integrimin. Sipas tij, është e domosdoshme që palët të bashkëpunojnë për axhendën integruese. Z. Gjoni tha se LSI është kundër stanjacionit në vend dhe retorikave boshe të palëve politike.

LSI, jo pak herë, i është drejtuar klasës politike shqiptare me një apel për konsensus politik, sidomos kur bëhet fjalë për ligjet dhe kriteret e kërkuara nga BE. A ka qenë në këtë frymë edhe takimi i z. Meta në Bruksel me Stefan Fule, komisionerin për Zgjerimin?

Absolutisht që po, dhe nuk janë vetëm ndërkombëtarët që e kërkojnë konsensusin, jemi dhe ne forcat politike kombëtare, ose disa prej nesh, sepse ne e kuptojmë më mirë situatën në vend dhe kuptojmë se sa kosto ka mungesa jo e konsensusit, por e bashkëpunimit politik. Nuk mund të pretendojmë për një konsensus të plotë në çdo çështje. Demokracia këtë ka, ka luftën midis partive politike në parlament, por kërkohet një bashkëpunim dhe takimi midis z. Meta dhe z. Fule ka qenë pikërisht në frymën e shkëmbimit të opinioneve dhe të mendimeve për të gjetur një zgjidhje dhe për të avancuar sadopak që të mundemi axhendën europiane të integrimit Shqipërisë. Duke pasur gjithmonë frikën se kjo axhendë po bllokohet dhe po ngadalësohet nga dita në ditë me këtë ngërç, me këtë konflikt, që tashmë po institucionalizohet dhe po forcohet dita-ditës në Shqipëri, sidomos para zgjedhjeve të përgjithshme.

Sa është përmendur prej z. Fule fakti që Shqipëria në njëfarë mënyre në procesin e integrimit ka krijuar një lloj stanjacioni?

Unë nuk mund të hyj në detaje të veçanta për çfarë është thënë në takim, kuptohet që janë dhe biseda të brendshme, por mund të them që stanjacioni politik në Shqipëri, ka një stanjacion politik për momentin ku kemi ngelur në retorika boshe nga të dyja palët ku janë konfliktuar me njëri tjetrin dhe patjetër që kjo sjell edhe bllokimin e procesit të integrimit evropian. Bllokimi i këtij procesi ishte arsyeja përse edhe përse dhe z. Fule dhe z. Meta janë takuar dhe përse komisioni ka një angazhim në dukje, që do thosha më intensiv kohët e fundit dhe shpresoj që ky angazhim i Bashkimit Europian të vijë duke u rritur në Shqipëri.

A është kërkuar nga z. Meta një angazhim më konkret në zhbllokimin e kësaj situate, apo mbetemi ende në nivelin e deklaratave dhe retorikës?

Mendoj që takime të tilla nuk zhvillohen vetëm për të prodhuar deklarata dhe retorikë, sidomos kaq pak kohë para zgjedhjeve. Nuk është kërkuar nga z. Meta asgjë, është biseduar nga z. Meta dhe z. Fule për sa i përket angazhimit më të fortë dhe ushtrimit të influencës pozitive të LSI në spektrin politik shqiptar për të arritur një lloj normalizimi të marrëdhënieve do thosha konfliktuale për momentin për të arritur që të gjendet një zgjidhje për sa i përket axhendës së integrimit. Pse? Sepse pas disa muajsh kemi zgjedhjet e përgjithshme dhe shqetësimi i LSI, jam shumë i lumtur që dhe BE e ndan këtë shqetësim me ne real, është që mos kalimi i tre ligjeve, bllokimi i axhendës së integrimit do të sjellë një polarizim më të madh të situatës parazgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve. Për këtë arsye, ne e kemi ngritur zërin disa herë përmes deklaratave, përmes edhe aksioneve tona, që palët të bien dakord, duke lënë mënjanë luftën politike të brendshme, sepse kjo është normale para zgjedhjeve, do ketë një polarizim normal. Por duke i lënë këto mënjanë, të paktën të ecim përpara me axhendën e integrimit, me ato tre ligjet, pavarësisht marrjes apo jo të statusit para zgjedhjeve. Rëndësi ka që ne të krijojmë një frymë sa më pozitive bashkëpunimi midis dy palëve në konflikt për momentin dhe kjo do i hapte rrugën besoj zgjedhjeve më pak konfliktuale më normale, dhe sa më afër standardeve europiane.

Në fakt, duket se tani theksi vihet te standardi i zgjedhjeve, por dhe pjesëmarrja e votuesve në këto zgjedhje. Nga çfarë është deklaruar nga Brukseli, duket se një gjë e tillë është diskutuar dhe me z. Meta?

Po, zgjedhjet patjetër që janë prioritet, sepse janë një test shumë i rëndësishëm për demokracinë shqiptare. Ndoshta do ishte testi më i rëndësishëm i këtij viti dhe sepse ligjet u refuzuan fatkeqësisht për t’u votuar në parlamentin shqiptar. Unë mendoj që, nëse në të kaluarën Brukseli e ka refuzuar statusin e vendit kandidatit për Shqipërinë, unë mendoj që në 2012 Brukseli kishte angazhimin dhe predispozitën maksimale për ta akorduar këtë status, por palët në konflikt në Shqipëri dhe predispozitën maksimale për ta akorduar këtë status, por palët në konflikt në Shqipëri refuzuan marrjen e këtij statusi të vendi kandidat për Shqipërinë. Kështu që, mendoj se për sa kohë që në mënyrë institucionale këto ligje nuk janë kaluar në Parlament, kuptohet që zgjedhjet janë me rëndësi jetike dhe mendoj se është më se normale që Bashkimi Europian i kushton vëmendje, në bashkëpunim edhe me faktorët e tjerë, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbarëvajtjes dhe zhvillimit të një procesi sa më europian, civil, qytetar, normal të zgjedhjeve, sepse është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen, por edhe që rezultati të pranohet.

Takimin e z. Meta me z. Fule duhet ta shohim si një lloj avancimi të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të shkuar akoma më në qendër të vëmendjes së ndërkombëtarëve? Çfarë ndodh konkretisht me këto raporte?

Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë gjithmonë në qendër të ndërkombëtarëve, sepse LSI-a ka një peshë elektorale. LSI është një parti, e cila ka vendosur fatin e qeverisë, të koalicionit të integrimit në 2009-ën. Është normale, sepse është një parti, që jo vetëm ka një seriozitet për sa i përket programit të saj dhe mënyrës se si e kryen politikën e saj, por edhe për sa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare. Jemi një parti politike që gjithmonë kemi pasur marrëdhënie shumë të ngushta dhe shumë të afërta me ndërkombëtarët, sepse mesazhi ynë është pozitiv, mesazhi ynë është europian. Pra, gjuha e përbashkët midis LSI-së dhe ndërkombëtarëve në Shqipëri është një gjuhë që ka një frekuencë më të përafërt sesa ndoshta me grupet e tjera politike, për vetë faktin se ne jemi pozitivë dhe konkretë në ato që bëjmë. Patjetër që ka një lloj avancimi, sepse po vlerësohet gjithmonë e më shumë nga faktori ndërkombëtar roli pozitiv i LSI-së. Pra, po shihet tepër qartë, të paktën në opinionin tim, edhe qytetarët shqiptarë po e shohin më qartë që në mes të këtij konflikti midis dy partive të tjera politike, LSI është e vetmja parti politike që ka treguar një lloj konstruktivizmi dhe pozitivizmi për sa i përket ndërmarrjes së hapave në axhendën e integrimit. Kështu që besoj se edhe faktori ndërkombëtar di ta vlerësojë faktorin pozitiv në Shqipëri, që për mendimin tim është Lëvizja Socialiste për Integrim.

Takimi Meta-Fule, mbeti vetëm në çështjet e politikës shqiptare, apo u diskutua edhe për çështje të tjera të rajonit, siç është Kosova, Presheva etj.?

Ne e bëmë të qartë që u diskutua së pari për gjetjen e një momenti, ose impulsi të ri në politikën shqiptare për të garantuar që axhenda europiane nuk do të ngadalësohet, para, gjatë dhe sidomos pas zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme që fushata elektorale, polarizimi i pritshëm që është normal midis dy partive politike mos ta bllokojë këtë axhendë dhe këto prioritete, në mënyrë që pas zgjedhjeve të kemi mundësi të avancojmë më shpejt dhe që të merret statusi sa më shpejt që të jetë e mundur. Ose ndoshta pse jo, të fillojnë negociatat, unë mendoj që Shqipëria është gati që të marrë dhe statusin, por edhe të fillojë të hapë negociatat në Bashkimin Europian. Për sa i përket pyetjes tuaj, a u diskutua për çështje të tjera, po u diskutua për integrimin, u diskutua për zgjedhjet, u diskutua edhe për rajonin; për rolin që Shqipëria ka luajtur, po luan dhe mund të luajë në të ardhmen në rajon. Është e qartë që roli konstruktiv, pesha e Shqipërisë në rajon është e padiskutueshme, si nga faktori vendas, por sidomos nga faktori ndërkombëtar dhe besoj se Brukseli gjithnjë e ka vlerësuar politikën pozitive dhe përgjegjshmërinë e Shqipërisë në zhvillimet rajonale, për nga vetë pesha që përfaqësojnë edhe shqiptarët jashtë kufirit të Shqipërisë. Është e vërtetë që ka pasur disa shqetësime, të cilat edhe ne vetë i kemi shprehur, për sa i përket retorikës nacionaliste, apo disa elementëve nacionalistë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, të cilët unë mendoj se këto elementë dëmtojnë balancën e paqes apo të sigurisë në rajon, dhe ndikojnë negativisht, sidomos në procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, që për mua është një proces tejet i rëndësishëm për mbarëvajtjen e stabilitetit dhe krijimin e kushteve për garantimin e një paqeje afatgjatë në Ballkan. Në këtë drejtim do të thosha është biseduar për sa i përket ushtrimit të një influence më të fortë dhe më pozitive të Shqipërisë, sidomos të diplomacisë shqiptare në shërbim të kësaj paqeje dhe të ruajtjes së stabilitetit në rajon.

LSI, jo parti e kushteve

E para, ne nuk jemi parti e kushteve, pasi nuk kemi qenë ndonjëherë e tillë. Politika ka bashkëpunim, ka marrëveshje e kontrata politike dhe nuk ka kushte. Ne nuk punojmë me kushte dhe nuk vëmë kushte në asnjë moment, sidomos kur bëhet fjalë për axhendën e integrimit. Vërtetë që ne, axhendën e integrimit europian e kemi kryefjalë të programit tonë elektoral, por me një arsye, me një qëllim, për t’i shërbyer stabilitetit të vendit, stabilitetit politik që sjell një stabilitet ekonomik, e që më vonë sjell punësim. Ju thatë se LSI-a gjendet në një pozitë të favorshme dhe unë mendoj që nuk duhet të jenë vetëm dy forcat e tjera politike të Shqipërisë që duhet ta thonë këtë gjë, por duhet të jetë edhe qytetari shqiptar që duhet ta thotë me votën e 23 qershorit. Sepse LSI është një parti tepër serioze dhe tepër konkrete. Nëse ju i studioni të gjitha deklaratat e LSI-së në muajt e vitet e fundit, LSI-a ka një lloj konstanteje të pandryshueshme për sa i përket bashkëpunimit politik, seriozitetit në politikëbërje dhe le të mos harrojmë se jemi partia e parë politike që kemi sjellë kulturën e kontratës politike, duke krijuar një koalicion në historinë e demokracisë shqiptare në këto 20 vjet. Kështu që ne jemi një parti serioze dhe nuk merremi me kushte. Ne besojmë se duke inkurajuar të dyja palët dhe duke biseduar me të dyja palët, gjithashtu edhe me një angazhim më intensiv në javët në vazhdim të Bashkimit Europian dhe të miqve tanë ndërkombëtarë, unë mendoj se ekzistojnë shanse që ne të avancojmë sadopak në axhendën e integrimit, që janë: Votimi i tre ligjeve dhe pse jo edhe zgjidhja e çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me shqetësimet për sa i përket si opozitës ashtu edhe Partisë Demokratike.

LSI, faktor përcaktues

Nuk përbën ndonjë sekret të madh, dhe të gjithë e kanë të qartë që Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë siç ka qenë, do të jetë edhe më fortë faktori përcaktues i këtyre zgjedhjeve. Jo vetëm për sa i përket rezultatit, që unë jam i sigurt që do të jetë i ndryshëm nga viti 2009, shumë më fenomenal do të thosha, në drejtim të votave që LSI-a do të marrë, por edhe për sa i përket përgjegjësisë që LSI do të marrë mbas 23 qershorit, për sa u përket prioriteteve të Shqipërisë që duhet të përmbushen për të avancuar me axhendën e integrimit europian. Nuk është thjesht një retorikë, njerëzit duhet ta kuptojnë shumë qartë. Axhenda e integrimit europian nuk është thjesht një retorikë, të cilën ne e lakojmë nëpër kanalet televizive apo nëpër gazeta, ka të bëjë me disa prioritete konkrete dhe ka të bëjë me marrjen e përgjegjësive konkrete nga politika shqiptare; që do të thotë kjo duhet treguar në vend, kjo duhet treguar në parlament me votim, kjo duhet treguar në krijimin e një klime pozitive, në mënyrë që edhe Bashkimi Europian, edhe faktori amerikan të jenë më të unifikuar, të gjejnë një kulturë ose një klimë më pozitive për të operuar në vend dhe për ta ndihmuar Shqipërinë. Në këtë drejtim, unë do të thosha që LSI vlerësohet si një faktor pozitiv, si një faktor përcaktues, por edhe si një faktor, do të thosha, jo vetëm ekuilibrues, por që di të normalizojë politikën shqiptare dhe di t’i marrë përgjegjësitë për sa i përket realizimit të këtyre prioriteteve.