Prononcim për median i anëtarit të Kryesisë së LSI-së, njëkohësisht edhe kryetari i grupit të punës PS-LSI, z. Edmond Haxhinasto

Prononcim për median i anëtarit të Kryesisë së LSI-së, njëkohësisht edhe kryetari i grupit të punës PS-LSI, z. Edmond Haxhinasto

edmondhaxhinasto05052013

Z. Haxhinasto, në çfarë pike është puna e 2 ekipeve, të LSI-së dhe PS-së, për hartimin e programit të 300 ditëve të para të qeverisjes?

Puna vazhdon me takime periodike për sa i takon konvergimit të të gjithë prioriteteve që ne kemi në këtë program por gjithashtu edhe për elementë të tjerë të veçantë e konkretë që do të realizojnë pikërisht pra prioritetet kryesore që do të ketë programi. Ne jemi në një punë intensive. Çdo ditë kemi konsulta për sektorë të ndryshëm dhe besojmë që të përfundojë drafti i parë i programit në kohën që presim.

Cilat janë ata sektorë që ka përfunduar puna për hartimin e programit?

Kjo është një përpjekje frontale në të gjithë sektorët të cilët vijnë nga niveli i prioriteteve kryesore, në harmonizimin e prioriteteve me njëri-tjetrin dhe pastaj në detajimin e tyre për secilin sektor. Mund të them që jemi marrë konkretisht me çështjet e financimit të zhvillimit, me çështjet e shëndetësisë, çështjet ekonomike etj. Po kështu edhe me strukturën kryesore që do të ketë programi, që ishte hapi e parë që bëmë, për ndërhyrjet e shpejta në fushën e ekonomisë, në fushën institucionale, të cilat mendojmë se do të sjellin një ritëm tjetër në ecurinë e vendit.

Keni hasur në vështirësi? Ka pasur pika në të cilat nuk keni arritur të konvergoni në të njëjtën linjë?

Diskutimet janë bërë për sa i takon rrugëve konkrete për të realizuar një qëllim të përbashkët. Mendoj se deri më tani secila palë ka treguar fleksibilitetin e duhur që të gjendet një zgjidhje sa më optimale dhe sa më efikase për sa i takon rrugës për të arritur objektivin që në tashmë e kemi të identifikuar dhe të pranuar nga të dyja palët.

Është prekur sistemi i ri i taksimit? A do të kemi në 300 ditët e para taksën progresive siç ka premtuar PS?

Në fakt edhe LSI ka pasur progresivitet në programin e saj, veçanërisht për sa i takon tatimit mbi të ardhurat. Deri më tani ne jemi në fazën e një mirëkuptimi që sistemi fiskal ka nevojë për një konsolidim me qëllim që me këto politika që ne kemi aktualisht, me këtë sistem që ne kemi aktualisht dhe me ndërhyrjet e tjera që ne propozojmë të realizojmë një nxitje më të madhe për të pasur një rritje ekonomike dhe më pas të përpunojmë në detaje të gjithë planin tonë për të vendosur një progresivitet, jo vetëm tek të ardhurat por edhe tek biznesi. Kjo është diçka që i takon së ardhshmes.

Për 300 ditët e para do ta kemi taksimin progresiv për të ardhurat personale?

Për sa i takon kohës se kur do të realizohet kjo është për tu vendosur dhe do të jetë një nga pikat që do të vendoset me programin e ri. Akoma nuk është vendosur.

Po përsa i takon sektorit të shëndetësisë, është rënë edhe dakord nga LSI që të kemi një qendër e cila të kontrollojë të gjithë sistemin shëndetësor dhe që shërbimi shëndetësor të jetë falas?

Reformat e shërbimit shëndetësor janë reforma të cilat kërkojnë një kohë të konsiderueshme për t’u përgatitur dhe detajet e tyre. Ajo që ne dëshirojmë të realizojmë sigurisht duke konverguar edhe me qëndrimet e PS-së është që të realizojmë disa ndërhyrje sa më të shpejta në sistemin shëndetësor, veçanërisht në fushën e furnizimit me barna për spitalet e kam fjalën me qëllim që të rritet menjëherë cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve. Të jetë plotësimi i një vakumi që aktualisht ekziston sa i takon këtij shërbimi.

Në 300 ditët e para nuk do të aplikohet sistemi i shërbimit shëndetësor falas?

Ua shpjegova që ndryshimi i sistemit kërkon një kohë të konsiderueshme, duhen sigurisht përpunuar aktet ligjore, duhet të mësohet edhe i gjithë personeli i shërbimit shëndetësor me modelin e ri, pra kërkohet një kohë. Por edhe në rastin kur flasim për një sistem shëndetësor falas, sigurisht do të ketë kontribute nga qytetarët, sepse nuk mund të ketë buxhet shteti, por nuk pati kontribute nga qytetarët. Kështu që ju e kuptoni që në këtë lloj sistemi janë qytetarët ata që duhet të kontribuojnë me taksën e tyre për sistemin shëndetësor. Ne si LSI kemi propozuar që të ruanim sistemin aktual që kontributi shëndetësor të shkonte në një fond të veçantë për shëndetësinë, ndërsa propozimi i PS-së është që kontributi për shërbimin shëndetësor të jetë pjesë e taksës së përgjithshme që paguan çdo qytetar i Shqipërisë, pra duke mos e quajtur atë taksë për shërbimin shëndetësor. Pastaj buxheti i shtetit mbulon në një masa të caktuar, sigurisht ka një masë për buxhetin, shërbimin që i ofrohet qytetarëve.

Nga këto dy propozime që sapo thatë kush do të përzgjidhet?

Do t’i konvergojmë, do të përgatisim propozime sa më të përpunuara me qëllim që të mbajmë syrin tek synimi final, objektivi final që t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve. Sistemet janë gjithnjë në funksion të qëllimeve dhe qëllimi që ne kemi është t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve që të realizojmë një diagnostifikim sa më të mirë me kosto më të ulët, të realizojmë furnizimin me barna, të realizojmë një shërbim sa më të mirë spitalor, të rajonalizojmë spitalet me qëllim që aty të kemi të gjithë shërbimet e nevojshme që kërkojnë qytetarët. Këto janë objektivat, pastaj mjetet janë të dorës së dytë.

Mund të themi që ka qenë një bashkëpunim i frytshëm i dy ekipeve të dy forcave politike?

Besoj se kështu do të jetë.