14 Sep Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, i përgjigjet pyetjeve të deputetëve në lidhje me programin për ministrinë që drejton
Pyetje nga deputeti i Qarkut Gjirokastër, Vangjel Tavo
1 – Përsa i takon Ministrisë së Transportit dhe të Infrastrukturës, z. Vangjel Tavo deputet i Qarkut Gjirokastër ka pyetur për parashikimin e përfundimit të aksit jugor Levan – Tepelenë, i filluar që prej 9 vitesh, thotë ai, por akoma i papërfunduar. Z. Tavo thotë gjithashtu se tashmë vlera i ka kaluar 50 për qind të saj. Dua të falënderoj deputetin e Gjirokastrës për këtë pyetje dhe dua ta siguroj që si çështje prioritare, si kriter prioritar në veprimtarinë përsa i takon sektorit të infrastrukturës, do të jetë përfundimi i të gjithë veprave që nuk janë përfunduar akoma, me qëllim që të realizojmë planin tonë të integruar për transportin në vend.
Pyetje nga deputeti i Qarkut Vlorë, Shkëlqim Selami
1 – Pyetjes nëse është parashikuar nga qeveria ngritja e një porti në Vlorë për tragete dhe kroçera, në programin tonë ne kemi parashikuar ridimensionimin e porteve, por gjithashtu edhe ndarjen e punëve të porteve për t’i profilizuar ato, dhe sigurisht portet e jugut do të kenë një profil më të qartë turistik. Kështu që do të jetë brenda planeve tona për t’u realizuar.
2 – Pyetja e dytë e z. Selami se a është parashikuar nga qeveria ngritja e një porti në Vlorë, po edhe kjo është parashikuar, pasi zhvillimi i integruar i turizmit në zonën e jugut ka si kërkesë të domosdoshme pikërisht edhe krijimin e mundësive aeroportuale për të realizuar zhvillimin me përparësi të saj.
3 – Pyetja e tretë e deputetit Selami është nëse është parashikuar që Drejtoria Rajonale e Rrugëve që është vendosur në Gjirokastër do të rikthehet në Vlorë, kjo është një çështje menaxhimi dhe çështje administrative. Sigurisht do të ketë vëmendjen tonë.
Pyetje nga deputeti i Qarkut Fier, Petrit Vasili
1 – Përfitoj nga rasti t’i përgjigjem edhe pyetjes së deputetit të Qarkut të Fierit, Petrit Vasili, i cili shpreh shqetësimin për vështirësitë e shërbimit të qytetarëve të Lushnjes përsa i takon patentave dhe ai kërkon që dega të shpërngulet nga Fieri në Lushnje. E siguroj atë se do të ketë një shërbim cilësor të të gjithë shërbimeve që i ofrohen qytetarëve. Dhe duka pasur parasysh këtë kriter, që shërbimi të shkojë tek qytetari dhe jo qytetari tek shërbimi, do t’i kemi si prioritare për realizimin e këtyre kërkesave që kanë bërë deputetët e nderuar.
Pyetje nga deputeti i Qarkut Shkodër, Agron Çela
1 – Pyetja tjetër është nga deputeti i nderuar i Qarkut Shkodër, z. Agron Çela, i cili pyet nëse në parashikimet e qeverisë janë edhe ndërtimet e dy unazave rrugore të Shkodrës, aq jetike për qytetin. Edhe kësaj pyetjeje do t’i përgjigjem në mënyrë parimore. Është një nga parimet tona në zhvillimin e infrastrukturës që rrugët kryesore të mos kalojnë përmes qyteteve, por të kalojnë në anë të tyre, me qëllim që të ketë më frymëmarrje, më rrjedhje të trafikut dhe të kemi impakt sa më të vogël në mjedis. Kështu që, kjo është një çështje që qëndron dhe që do të trajtohet me gjithë seriozitetin e duhur përsa i takon edhe Qarkut të Shkodrës.
Pyetje nga deputeti i Qarkut Dibër, Përparim Spahiu
1 – Pyetja e fundit është nga deputeti i Qarkut Dibër Përparim Spahiu, i cili pyet për pritshmërinë elektorale për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Është prioriteti ynë absolut që të gjithë rrugët që janë në proces, akset që janë në proces të përfundojnë në mënyrë prioritare. Kështu që, përgjigja është ‘Po, do të përfundojë’.
Pyetje nga deputeti i Qarkut Berat, Gledion Rehovica
1 – Dua t’i përgjigjem gjithashtu pyetjes së deputetit të Qarkut Berat, Gledion Rehovica përsa i takon infrastrukturës. Më ka pyetur për rrugën Lushnje – Berat dhe Fier – Berat, për boshtin e jugut. Kësaj pyetje i përgjigjem pozitivisht. Është në planet tona për ta realizuar gjatë katër viteve të ardhshme.
Përfitoj nga rasti që të shpreh vlerësimin tim për këto pyetje që janë realizuar nga deputetët në adresën time.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, i përgjigjet pyetjeve të deputetëve në lidhje me programin për ministrinë që drejton
Në Adresë të Ministrisë të Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave kanë ardhur një sërë pyetjesh nga deputetë të nderuar. Unë po mendoj t’i adresoj këto pyetje ashtu siç kanë ardhur.
Pyetja e parë që më është adresuar është nga deputeti i nderuar z. Piro Kapurani i cili më pyet: Në Qarkun e Korçës sektori i bujqësisë zë peshën kryesore të ekonomike, çfarë është parashikuar nga qeveria?
Z. Kapurani ju e dini që në Qarkun e Korçës punohet, kultivohet dhe prodhohet. Kjo edhe në sajë të traditës dhe kulturës të mirëinstaluar të punës në këtë qark por problemi kryesor që ekziston është natyrisht dalja e prodhimit në treg dhe çuarja e tij për agro-
përpunim. Prandaj edhe politikat e qeverisë, politikat ministrisë së Bujqësisë, do të jenë të orientuara kryesisht në mundësimin e daljes sa më shpejt të këtij prodhimi në treg, shkuara e tij në agro-përpunim për të marrë një vlerë të shtuar në mënyrë që mundi i fermerëve dhe sakrifica e tyre të mos shkojë dëm. Nuk do të kemi asnjë lloj kompleksi z. Kapurani për të aktivizuar edhe disa elementë të marrëveshjes së tregtisë së lirë, posaçërisht marrëveshja fitosanitare, në mënyrë që produktit vendas të mos i bëhet konkurrencë e pandershme nga prodhimet e importit.
Një pyetje tjetër që më vjen po nga deputeti i nderuar Piro Kapurani është: Çfarë është parashikuar nga qeveria dhe Ministria e Bujqësisë në drejtim të përmirësimit të sistemit të ujitjes dhe e kullimit në tërësi për fushën e Maliqit në veçanti, me qëllim eliminimin e përmbytjeve dhe vënia në eficencë e qindra hektarëve tokë në këtë zonë?
Siç e dini, z. Kapurani, çështja e përmbytjeve aty është një problem kronik. Padyshim që investimet në sistemin e kanalizimeve dhe të kullimit do të jenë prioritet i ministrisë. Ne jemi duke artikuluar një strategji të posaçme për këtë zonë për të parandaluar përmbytjet dhe për të vënë në eficencë të plotë edhe ato qindra hektarë të cilët nuk futen në prodhim bujqësor pikërisht për shkak të përmbytjeve.
Pyetja tjetër që më është adresuar dhe që vjen këtë herë nga deputeti i nderuar Robert Bitri është: Çfarë është parashikuar nga qeveria dhe Ministria e Bujqësisë për t’i orientuar fermerët për të mbjellat dhe kulturat bujqësore?
Natyrisht që do të bëjmë rajonalizimin e mirëmenduar dhe mirëpeshuar të kultivuesve, duke marrë parasysh natyrisht kushtet mikroklimatike të rajoneve të caktuar dhe traditën e prodhimit në këto vende në mënyrë që fermerët të orientohen saktë dhe drejtë për strukturën e tyre të prodhimit.
Pyetja tjetër më vjen nga deputeti i Qarkut të Fierit, Petrit Vasili: A ka menduar Ministria e Bujqësisë që duke pasur strategjinë e kooperimit të fermerëve që të trajtohen me përparësi subvencionet bujqësore në zonën e Myzeqesë ku dhe investimet kthehen më shpejt?
Padyshim që zona e Myzeqesë është hambari i Shqipërisë, kemi prodhimin më intensiv bujqësor dhe për rrjedhojë subvencionet do të jenë të fokusuara posaçërisht në këtë zonë. Në princip ne nuk do të subvencionojmë vetëm përpjekjen, që përgjithësisht ka qenë në themel të strategjisë të subvencionimit nga qeveria e kaluar, por do të kemi edhe përkrahjen financiare në drejtim edhe të rezultatit. Për këtë ka një arsye të mirë e cila është se duhet të mbështesim prodhimin e grumbulluar. Në këtë mënyrë do të lidhim prodhimin me industrinë ushqimore duke i dhënë atij një vlerë tyë shtuar dhe duke i hapur edhe perspektivën për plotësimin e nevojave të vendit por edhe për eksport.
Një tjetër pyetje që vjen nga deputeti, Petrit Vasili: Është paradoksale që Lushnja, një rreth nga më të rëndësishmit për prodhimin bujqësor nuk ka Drejtorinë e tij të Bujqësisë. Çfarë keni parashikuar ju për të plotësuar sa më parë një boshllëk të tillë kaq të rëndësishëm? Nga ana tjetër nuk ka një organizim të kontrollit të ushqimit në nivelin e duhur ndaj do të duhet të vini sa më parë edhe në këtë rreth një drejtori të AKU-së.
Z. Vasili, unë e kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj. Padyshim që Lushnja meriton të ketë Drejtorinë e saj të Bujqësisë. Ne do të marrim të gjitha masat për ta bërë të mundur këtë falë edhe peshës të madhe që ky rreth zë në prodhimin e përgjithshëm bujqësor të vendit. Nuk ndaj me ju të jëjtin mendim për sa i përket Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për arsye sepse ligji për ushqimin ka të përcaktuar qartë që organizmi i AKU-së funksionon në bazë qarku. Në këtë pikëpamje është i vendosur në Fier dhe do të mbulojë padyshim edhe Lushnjën.
Një pyetje që më është adresuar nga deputeti i nderuar i Qarkut të Shkodrës, Agron Çela: Cila është strategjia e qeverisë për ndalimin e përmbytjeve katastrofike të cilat kanë ndodhur për disa vite në Qarkun e Shkodrës?
Kjo është një pyetje shumë komplekse dhe për ne përbën një ndërhyrje shumë të rëndësishme, madje edhe emergjente sepse po i afrohemi sezonit të shirave. Ministria e Bujqësisë është një nga aktorët, nuk është aktori i vetëm që ka në dorë disipliminimin e sistemit të ujërave. Por përsa i përket sferës tonë të ndikimit dhe të administrimit ndërhyrja e menjëhershme dhe emergjente, që do të jetë një nga ndërhyrjet e para të mia, do të jetë marrja e masave urgjente për riparimin e kolektorëve, hidroforëve, kanaleve të kullimit në pikat kritike. Sa për stabilizimin makro të regjimit hidrik të kësaj zone kjo kërkon një strategji të mirëartikuluar, një koordinim të mirë edhe me Ministrinë e Energjetikës. Do të na duhet një rakordim i saktë në mënyrë që të mos kemi dëme. Qeveria ka edhe një strategji se si do të menaxhojë çështjen e dëmshpërblimit të fermerëve në rastet kur do të na duhet sepse katastrofat natyrore janë të pashmangshme. Ne kemi projektuar që të fusim në sistemin e bujqësisë edhe sistemin e sigurimeve. Për këtë është gati një projekt pilot i cili do të mbështetet nga donatorë, projekt i cili do të fokusohet posaçërisht në këtë zonë për të mbrojtur prodhimin bujqësor dhe atë blegtoral. Ka ardhur koha që ne ta shikojmë seriozisht këtë, natyrisht duke pasur parasysh edhe situatën e fermerëve tanë.