Monika Kryemadhi : FRESSH 92-2003, Partia tjetwMonika Kryemadhi : FRESSH 92-2003, Partia tjetër Socilaiste

Monika Kryemadhi : FRESSH 92-2003, Partia tjetwMonika Kryemadhi : FRESSH 92-2003, Partia tjetër Socilaiste

monikakryemadhi14012013

Monika Kryemadhi, një ndër aktivistet kryesore të momenteve të para të themelimit të Forumit Rinor Eurosocialist FRESSH, rrëfen detaje interesante të betejës politike midis të rinjvë të këtij formi dhe lidershipit të atëhershëm të PS. Peripecitë e rrugës që ndoqën Ilir Meta, Pandeli Majko, Ilir Zela, Ndre Legisi e të tjërë, në betejen e ashpër politike me Fatos Nanon dhe pjesën tjetër të lidershipit të PS, të cilët vinin nga një karrierë politike nga e shkuara komuniste e PS-së, si PPSH dhe iu bashkohej edhe një kategori intelektualësh të angazhuar në funksione të larta të partisë. Lufta e përhershme deri në largimin e bërthamës së FRESSH nga PS në vitin 2004, kur beteja Nano – Meta arriti kulmin në kongresin e dhjetorit 2003.

 

 

Kjo është një pjesë e intervistës të realizuar në funksion të një studimi, që ka lidhje me funksionimin e demokracisë së brendshme në partitë e mëdha politike në Shqipëri, gjatë periudhës së tranzicionit.

Kur jeni angazuar për herë të parë në politikë? Cilat janë detajet e ditës së parë?

Ka qënë nëntor 1991 dita ime e parë në politike. Më ka ftuar një shoqja ime, Ilda Reka, e cila më tha, se në PS po organizohej një takim me të rinj. Isha pak skeptike, por vendosa të shkoj. Më ka pritur te dera e PS, Musa Ulqini, i cili kishte organizuar një takim me të rinjtë. Më pas në atë takim erdhi Pandeli Majko, Ilir Meta, Ilir Zela e të tjerë, të cilët po themelonin forumin e të rinjve socialistë. Të gjithë ishin studentë, ndërsa pak kishte gjimnazistë, siç isha unë.Poata që po themelonin FRESSH, kishin përqëndruar vëmëndjen e tyre edhe tek gjimnazistët. Ndërkohë prindrit e mi më nxitën të angazhohesha, duke pasur parasysh edhe faktin, se ata kishin njohje me Musa Ulqinin apo edhe të tjerë në PS.

Kishin kaluar pak muaj, kur PPSH ndryshoi emrin dhe u kthye në PS. Pra ishte një parti, pasardhëse e PPSH në Shqipëri. Nuk patët ndonjë ngurrim për t’u angazhuar pikërisht aty dhe jo te një parti tjetër?

Në gjimnaz isha një natyrë rrebele dhe qëndroja gjithnjë kundër rrymës. Kur u themelua PD, kishte ngurrim nga bashkëmoshatarët e mi për t’u bërë me PD. Unë se pata. Ndërsa kur u pa qartë, se pasha po anonte nga PD, ndodhi e kundërta, unë u bëra me PS. Ndoshta kjo, më erdhi si pasojë e njëfarë diskriminimi, për shkak se unë isha në një klasë me fëmijë, që ishin bij drejtorësh dhe nëpunësish, ndërsa unë isha fëmijë punëtorësh. Ndoshta pata njëfarë diskriminimi dhe kjo më bënte të isha kundër rrymës.

Unë nuk vij nga një familje, që është përndjekur mirëfilli nga sistemi komunist dhe s’kishte pengesë nga ana ime për t’u angazhuar në PS. Megjithatë kisha njerëz në fisin tim, të përndjekur politikë, por unë dhe familja ime nuk e vuajtëm këtë. Në moshën që isha unë, nuk bëhej fjalë për t’u angazhuar për arsye filozofike, për program, apo statut të një partie. Nuk mendon aq thellë një i ri, por ideja ishte, se lidhjet e mija më çuan te PS. Më pas, nise krijon background-in tënd dhenis e piqesh politikisht. Një tjetër element, që më bindi të jem aty ishte edhe ekzistenca e një lloj kritike ndaj PPSH.

Në datën 27 dhjetor të vitit 1991 unë u pranova anëtare e PSSH dhe më pas u zgjodha anëtare e KPD për rrethin e Tiranës. Në këtë moment, pata ngurrimin e prindërve, të cilët thanë, se ky angazhim në këtë moshë është shumë. Por më pas ata u bindën. Kështu u angazhova në politikë, në një fushatë shumë të rëndësishme zgjedhore: ishte fushata e zgjedhjeve të 22 marsit 1992. U caktova të punoj në Peshkopi, të organizoja forumin e rinisë socialiste atje. Tani, kur e kujtoj më vjen edhe për të qeshur, kur kujtoj se isha 17 vjeç dhe kisha vendosur të angazhohesha në politikë. Pa hezituar fare, shkova në një zonë ku agresiviteti politik ishte i madh. Sigurisht që patëm shumë vështirësi, nisi diskriminimi në shkollë, pasi ata mësues që kishin qënë me PPSH, u kthyen me PD e të tjera me radhë. Por unë e kujtoj si një periudhë shumë të bukur.

Ju u angazhuat në FRESSH, I cili ishte një bërthamë e rëndësishsme, ku lidershipi i PS po investonte. Pandeli majko, Ilir Meta, Ilir Zela, Ndre Legisi etj, po përgatiteshin si fytyra e re e së majtës në Shqipëri. Por erdhi një moment, kur kjo bërthamë u forcua më tepër, se sa lidershipi e kishte parashikuar. Ju ishit atje, në këto zhvillime…?

Unë kam kuptuar një gjë. Fillimisht Partia Socialiste ishte e interesuar, që të krijohej një forum rinor, sepse i duhej që të barazpeshonte gjithë atë lëvizje studentore rinore që ishte rreth PD. Atje ishte përqëndruar gjithë potenciali antikomunsit. Ndërsa PS ishte si një parti, që vetëm kishte ndryshuar emrin dhe ishte qartazi trashëgimtare e PPSH. Pra në këto kushte, PS i duhej një grup njerëzish, që do të ndryshonin imazhin e saj në këtë drejtim. Kjo u realizua shumë shpejt, por pati problem gjatë rrugës. Në FRESSH në atë kohë, u bashkuan kategori të ndryshme, studentë dhjetori, të rinj të shkollave, të angazhuar në politikë, njerëz si unë, që deri atëherë nuk kishin asnjë lidhje me politikën etj. Ne punuam shumëforttë gjithë bashkë dhe ia dolëm të krjonim një bërthamë të rëndësishme dhe të ndryshonim imazhin komunist të PS. PS i interesonte fillimisht ky rezultat, sepse ishin zgjedhjet e 22 marsit, zgjedhjet lokale të korrikut 1992 e të tjera beteja, që pasuan. Ne ndikuam në rezultatin e zgjedhjeve vendore, sepse PS i fitoi ato.

Pra unë mendoj, se në fillim lidershipi i PS i angazhoi individët e FRESSH me qëllim për t’i përdorur. Por ata nuk i kishin bërë llogaritë mirë. Ishte fjala për njerëz, që vinin nga një background i rëndësishëm angazhimi. Në krye të FRESSH kishte individë, që vinin nga lëvizja e dhjetorit ‘90 për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Atyre iu shtoheshin individë pa një të shkuar politike, pra s’kishin lidhje me të shkuarën komunsite. Këtë kategori ishte e vështirë ta përdorje siç kishte menduar lidershipi i PS. Ne kuptuam momentin kur PS hezitoi të na bënte pjesë të vendimarrjes, edhe pse ne na kishte përdorur për aq sa i duheshim. Por ishte e vështirë, që ne të manipuloheshim aq kollaj. Ne e kuptuam shumë shpejt këtë dhe reaguam. Patëm mbështetjen e një pjese të rëndësishme të intelektualëve të PS. Me mbështetjen e tyre, ne kërkuam ndryshime në statutin e PS, ku u vendos një farë pavarësie e FRESSH nga partia. Dua të veçoj një moment të rëndësishëm: Kur humbi PS në 22 mars, unë bashkë me Luzhiana Abazin kemi qarë shumë, sepse menduam se PS i shiti zgjedhjet. Në fakt historia tregoi, se ishte bërë diku një marrëveshje për lënien e pushtetit.

Keni ju argumenta për ta vërtetuar këtë?

Unë i referohem historisë, pasqyrimit në media të ngjarjes, fotografive etj. Unë nuk kam asgjë më konkrete për të thënë, por kur analizon ngjarjet sot, me ftohtësi, arrin në një përfundim. Dhe unë tani çuditem, se si mërziteshim aq shumë sa qanim me orë të tëra, për atë tradhëti, që na paskësh bërë pa
rtia…

Një moment tjetër i rëndësishëm ishte edhe koha kur ne kuptuam, atë që unë po e quaj tradhëti të PS ndaj FRESSH: Në momentin kur u sulmua IlirMetanga mazhoranca demokrate për ngjarjen e Poliçanit. Ishte pranvera e vitit 1993, kur në parlament po kërkohej heqja e imunitetit të Ilir Metës dhe deputetët e PS nuk luftuan absolutisht për ta mbrojtur. Ne të rinjtë e FRESSH, që ndiqnim seancën në llozhen e parlamentit mbetëm të shokuar. Në FRESSH ishin tre deputetë: Ilir Meta, Pandeli Majko dhe Ndre Legisi, pra kishim pushtetin e mjaftueshëm për t’u konsideruar nga PS dhe grupi i saj parlamentar. Por atë ditë folën vetëm këta të FRESSH. Disa “u bënë” atë ditë të sëmurë dhe nuk u paraqitën në seancë, ca të tjerë nuk folën fare. Pra ne menduam asokohe, se lidershipi i PS kishte menduar, se i shkonte për shtat që IlirMetatë burgosej dhe të përdorej nga PS si një element i rëndësishëm për fushatë, për të garantuar atë, që më pas e garantoi me burgosjen e Nanos. Unë flas për veten time, ose edhe disa të tjerë, që unë kisha lidhje në këtë forum. Ne kështu e menduam.

Ku e bazuat ju këtë dyshim?

Në kongresin e majit 1992, u zgjodh Pandeli Majko kryetar i FRESSH, pra në atë kohë ishte Majko kryetar. Unë dhe të tjerë e kishim lidhjen më specifike me Majkon, pasi ishte i ngarkuar me rrethin e Tiranës dhe Durrësit, ndërsa Metaishte i ngakruar të komunikonte me rethet e tjera të largëta. Unë nuk kisha atëherë asnjë lidhje me Ilirin. Por ne kishim krijuar idenë e një lideri, që luftonte fortdhembronte interesat e FRESSH dhe PS. Ka pasur një element të rëndësishëm në atë kohë, në marrëdhëniet mes nesh dhe PS. Ata e mbanin vetën si inetelektualë dhe hezitonin të përplaseshin në beteja të forta politike me kundërshtarin. Këtë pjesë e bënim ne me zell të madh, por kjo po na shtonte dalëngadalë imazhin, pushtetin tonë brenda PS. Pra ne kishim nisur të evidentonim njëfarë gare me ta. Dhe ne na u duk, se po e “shisnin” Ilir Metën në atë kohë. Duke u nisur nga vetja, ne menduam se siç “shesin” atë, do na “shesin” edhe ne. Pra ne menduam, se kur Metaqë kishte atë background të rëndësishëm politik, ishte edhe deputet, mund të lihej kaq kollaj në baltë, çfarë ishim ne për PS?

Kështu, kohët kaluan dhe pas një viti ndodhi, që u arrestua Fatos Nano.

Pse e lidhni arrestimin e Fatos Nanos me këto zhvillime që folëm më lart?

Unë personalisht kam aluduar në atë kohë, që Partia Socialiste po kërkonte një kurban, për të balancuar të gjithë retorikën antikomuniste, që po përdorte PD e Berisha kundër PS. Unë kam aluduar, se u tentua që ky kurban të ishte Ilir Meta, por nuk ia dolën dhe më pas kurbani u bë pikërisht kryetari i PS, Fatos Nano. Por të kthehemi në zhvillimet mes nesh dhe PS. Unë kam kuptuar në atë kohë, që ne si të rinj me imazh të mirë, që e vumë në funsksion të PS, po përdoreshim prej saj dhe në fakt koha dëshmoi, se u përdorëm dhe kur nuk iu deshëm më PS, na hodhi në rrugë.

Ta detajojmë më shumë ngjarjen për fillimin e këtij konflikti mes jush dhe lidershipit të PS. Beteja juaj me Fatos Nanon dhe mbështetësit e tij, nisi pikërisht në momentin kur pushteti juaj në PS dhe në opinionin publik, ishte konsoliduar. Nisur nga zhvillimet e atëhershme, duket se Nano e kishte një strategji: Ai fillloi përçarjen brenda grupit të drejtuesve të FRESSH. Ndërsa ju u bashkuat rreth Ilir Metës, pasi u ndjetë të kërcënuar nga partia, Nano mbështeti Pandeli Majkon dhe ky i fundit duket se u shkëput prej jush. Si është e vërteta?

Unë jam bashkëshortja e Ilir Metës dhe çfardo që të them kam përshtypjen, se do të paragjykohet, por kjo nuk më pengon të them mendimin tim. Pra për këtë rast unë mendoj, se Ilir Meta ishte një figurë e pakompromentueshme dhe nuk mund të ishte ai figura e FRESSH, të cilit do t’i drejtohej Nano për përçarjen e këtrij forumi. Iliri dukej që atëherë, se kishte një logjikë të konsoliduar politike dhe një karakter shumë të fortë. E dyta, ishte shumë punëtor dhe i përkushtuar, kishte mbështetje të fortë në bazë. Iliri kishte komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe kështu krijonte lidhje të frotë më ta. Unë mendoj, se këto cilësi e kanë mbajtur deri sot të kosnsoliduar në politikë. Pandeli Majko kishte cilësi shumë të mira, kishte momente që ishte brilant në deklaratat e tij, por kishte momente të tjera që fshihej dhe nuk dukej për të thënë apo për të bërë atë, që duhej në momentin e dhënë.Metaishte gjithnjë aty për të mbrojtur njerëzit e tij. Kjo bënte diferencën. Dua të kujtoj një moment kur në kongresin e vitit 1992 ne kërkuam nga Ilir Meta ta pranonte postin e nënkryetarit të FRESSH, për shkak se mendonim, se kishte autoritet në politikë dhe këtë e kishte dëshmuar. Por ai refuzoi. Tani kishte ardhur momenti, që ai të merrte më shumë përgjegjësi në drejtimin e FRESSH, pasi rrethanat dukeshin të tilla. Kjo erdhi pas një situate të tillë: ne kishim kohë, që ishim informuar se lidershipi i PS kishte porositur kryetarët e rretheve, që të mos i jepnin shumë hapësirë veprimi drejtuesve të FRESSH. Shumë gjëra dëgjonim edhe nëpër koridoret e PS. Aty kuptonim edhe reagimet dhe bisedat e ndryshme, që merreshin vesh etj. Pra kishte disa detaje, që të çonin në një përfudnim: Lidershipi i PS kishte llogaritur gabim forcën e drejtuesve të FRESSH dhe tani po përpiqej të korrigjonte këtë gabim.

Në këtë moment ne u konsoliduam, me mendimin se duhet të ishim më të bashkuar për t’u përballur me drejtuesit e partisë. Në kongresin e parë të FRESSH unë u zgjodha sekretare e përgjithshme. Ne vendosëm, që të jemi si një strukturë e fortë dhe e pandashme dhe kështu do të ishim edhe më të domosdosëhm për palën tjetër, pra lidershipin e partisë. Ne nisëm zyrtarisht kontaktet me kryetarët e PS në rrethe, por paralelisht nisëm një komunkim njerëzor me ta. Ne ishim njerëzit, që punonim më shumë në PS. Kur ata vinin në Tiranë, nuk kishin gjithnjë shans të takonin kryetarin, apo drejtuesit e tjerë të PS, por ne na kishin gjithnjë në dispozicon për t’i ndihmuar dhe asistuar në betejën politike me kundërshtarët. Kështu u krijua një lidhje e mirë e bazës me ne. Në fakt kjo lidhje ishte konsoliduar më shumë në zgjedhjet vendore të korrikut ‘92.

Pra ne, u konsoliduam si një rrymë në PS, e domosdoshme për lidershipin, të destinuar të bashkëjetojmë në PS. Pas arrestimit të Fatos Nanos dhe më pas, në fushatën për referendumin e miratimit të Kushtetutës në vitin 1994, FRESSH u bë një strukturë politike mjaft e rëndësishme, e domosdoshme për PS dhe ishte në krye të sukseseve të kësaj periudhe për opozitën. Ne ishim konsoliduar dhe tashmë ishte e vështirë të mendohej, se ishim mjet për t’u përdorur dhe flakur më pas. Ne ishim rryma agresive brenda PS.

Kishit mbështetje jashtë Shqipërisë?

Një moment mjaft i rëndësishëm ishte lidhja, që krijoi Ilir Meta me socialdemokratët danezë. U krijua një bashkëpunim shumë i mirë për forumet socialiste të vendeve të tjera dhe ne nisëm të konsideroheshim të rëndësishëm në rrafsh ndërkombëtar. Ilir Meta bashkë me të tjerë, krijuan lidhje të drejtpërdrejta me Internacionalen Socialiste dhe me forumet rinore të Internacionales Socialiste. PS e kishte të pamundur të bashkëpunonte me këto struktura. Ky ishte një moment mjaft i rëndësishëm, kur PS nisi të krijojë një farë vartësie n
daj nesh.

Ndërsa Fatos Nano e të tjerë drejtues të PS, të cilët kishin një të shkuar komuniste, edhe pse vinin nga pjesa intelektuale dhe jo specifikisht nga angazhimet partiake në PPSH, ishin të sulmuar ashpër dhe vazhdimisht nga Berisha, ju nuk ishit pjesë e këtyre sulmeve, nuk ishit të targetuar nga Berisha…?

Po, është e vërtetë. Po si do të më sulmonte mua, apo të tjerë anëtarë të FRESSH Sali Berisha? Ne nuk na thoshte dot që ishim komunistë. Por ai bëri një hile në sulmet e tij, bazuar në politikën “përça e sundo”. Ndërsa sulmonte mjaft ashpër liderin dhe drejtues të tjerë të PS, FRESSH-in edhe pse ishte me peshë specifike, nuk e sulmonte. Kjo mendoj se ishte e qëllimshme për të krijuar përçarje në PS. Por nga ana tjetër nuk kishte edhe ku t’i bazonte akuzat për ne. Berisha e kishte taktikë politike. Nga ana tjetër, ne na shërbeu kjo, pasi kancelaritë e huaja e konsideronin FRESSH si një rrymë reformuese të partisë dhe pjesë të demokratizimit të saj.

Në kohën kur Fatos Nano u arrestua, ne u bëmë edhe më të domosdoshëm. Megjithëse Nano ishte në burg, partia funksiononte. Kur Fatos Nano ishte në burg, PS u bë solide, pra nuk kishte debate edhe aq, sa mund të konsideroheshin si të tilla.

A i bashkoi Nano rrymat në PS?

Po, por nuk mund të themi se kishte ndonjë shfaqje të fortë publike të rrymave. Megjithatë, mund të them se ne, si FRESSH, ishim bërthama e betejës politike dhe PS ishte e detyruar të na kosnideronte. Në moemtnin kur nisën protestat për firmat piramidale, PS e Tiranës nuk po organizohej, sepse kishin frikë. Ishte FRESSH, që mori përsipër drejtimin e të rinjve, që nga studenët deri tek gjimnazistët. PS distancohej nga ky veprim.

Ato ditë ishte duke u diskutuar mocioni i famshëm i Nanos për riorganizimin e partisë. Por para se vijmë në këtë moment, duhet të flasim për ngjarje të mëparshme. Kur Fatos Nano u burgos, nisi të bëhej një figurë shumë e rëndësishme për të majtën, ashtu siç ju parashikuat se i duhej PS, pra një “kurban” shumë i mirë për opozitën, që në vetvete po rritej çdo ditë e më shumë, duke u kthyer në hero të saj. Kjo po e sfumonte rolin e të tjerëve në PS, pra për pasojë edhe të drejtuesve të FRESSH. A ishte kjo një ndër arsyet, që ndezi më shumë betejën midis FRESSH, mbështetur nga disa drejtues të PS dhe Nanos, mbështetur nga të tjerë, ndërkohë që FRESSH po akuzohej për bashkëpunim me Berishën?

Unë flas në emrin tim. Unë nuk e mendoja FRESSH, si të ndarë nga PS. Dua të rrëfej një ngjarje.Parazgjedhjeve të 26 majit, ne si FRESSH, kishim organizuar një miting proteste në pallatin e sportit. Ftuam TVSH, por problemi ishte, se duhej një drejtues i rëndësishëm i PS, që të mund ta filmonte dhe transmetonte aktivitetin e opozitës televizioni publik, pasi mbi këtë rregull funksiononte atëherë. Duheshin nënkryetarët e partisë, njëri prej tyre. Ne nuk na erdhi asnjë prej tyre dhe kjo na la shije shumë të keqe. Por tre deputetët e FRESSH ndërhynë në TVSH dhe aktiviteti u filmua dhe u transmetua. Për ne ishte e rëndësishme të transmetohej, pasi në atë aktivitet kishim të ftuar edhe një delegacion nga Belgjika. Ky ishte edhe momenti, kur PD përfitoi, për të krijuar një lloj përçarje. Pasi u transmetua aktiviteti, drejtuesit e partisë reaguan dhe thanë, se ju paska çuar Berisha kamera për t’ju filmuar. Në fushatën e zgjedhjeve të 26 majit, Berisha nxorri ligjin që penalizonte disa kandidatë për deputet, pra nuk i lejonte të kandidonin, duke sajuar ligjin për pastërtinë e figurës. Dhe shumë kandidatë të PS u skualifikuan. Nga radhët e FRESSH nuk u penalizuan, pasi nuk kishin ku kapeshin, por kjo u përdor për alibinë e “mbështetjes së Berishës”. Në të vërtetë nuk kishte të bëntë fare. Në atë kohë unë bashkëjetoja me Ilir Metën, pra ishim në një raport tjetër. Shumë gjëra unë nuk i merrja vesh, se edhe Iliri është tip diskret dhe nuk tregon gjithnjë, edhe sot e kësaj dite unë nuk informohem plotësisht për bisedat e tavolinave.

Por dua të theksoj atë çfarë di. Në kohën kur Nano ishte në burg, ne ishim të angazhuar plotësisht për t’u kujdesur për detaje të rëndësishme. Për lobimin që bënim me të huajt, delegacionet vinin në Tiranë dhe partia nuk kujdesej fare për ta, ndërsa ne të FRESSH, i prisnim dhe i mbanim edhe nëpër shtëpitë tona, duke u kujdesur që çështja Nano, të ndërkombëtarizohej sa më shumë. Familja ime dhe e të gjithëve ne, mblidhte donacione për shpenzimet që duheshin për burgun, deri tek pagesat për avokatët. Pra ishim plotësisht të angazhuar dhe nuk kishim asnjë problem me rritjen e Nanos si figurë, madje ishim ne, ata që kontribonim për këtë në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar. Ne po investonim, që Nano të konsiderohej i burgosur politik. I gjithë investimi ynë ishte për këtë dhe ne ia dolëm. Të gjithë e konsideronin Fatos Nanon si të burgosur politik dhe PS, si një parti që po reformohej. Kjo padyshim, që kishte meritën e padiskutueshme të drejtuesve të FRESSH.

Por kjo duket se nuk u reflektua kështu tek Fatos Nano…

Sot mendoj, se kjo përpjekje e vazhdueshme e jona, pra e FRESSH, krijoi një farë xhelozie në radhët e drejtuesve të PS. Si pasojë e kësaj, erdhi kongresi i gushtit 1996, faza e dytë e tij, kur Fatos Nano paraqiti mocionin. Për mua u rrëzuan muret. Gjithçka kishim investuar, ishte hedhur poshtë si me një të rënë të lapsit. Ishin pesë vite angazhim intensive në mbrojtje të partisë ku aderoja, duke përfshirë këtu të gjithë elementët dhe në këtë kongres këto shumëzohen me zero, jo vetëm për mua, por për shumë të tjerë. Ky ka qënë momenti i parë, kur unë për veten time, e kam menduar largimin nga PS. Në këtë moment, unë kutpova se në PS, po ktheheshin ish-ët e Partisë së Punës.

Cilët ishin ata?

Ato kohë, po shikoja njerëz që më parë nuk vinin në PS dhe nisën të rikthehen. Në atë kohë unë takoja shpesh Ramiz Alinë, pasi një prej vajzave të tij ishte pedagogia ime. Kisha kuptuar, se ai diskriminohej për të shkuarën komunsite dhe nuk përfillej në PS. Por të tjerë, që kishin qenë anëtarë të byrosë politike, apo të Komitetit Qëndror, po ktheheshin në PS. Pra ata s’kishin faj për të shkuarën komuniste, ndërsa Ramizi po. Kjo logjikë nuk qëndronte. Tani s’më kujtohen ekzaktësisht emra, por kështu ka ndodhur. Momenti i dytë është miratimi i anëtarëve të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues dhe të kryesisë. U larguan nga këto forume të gjithë reformatorët e kësaj partie, bashkë me FRESSH, ku përfshihej Servet Pëllumbi e Namik Dokle dhe mbështetësit e Ilir Metës. Në forume u kthyen ish-ët.

Ka një detaj të rëndësishëm për t’u sqaruar dhe këtë s’mund ta bëj unë, por vetëm Ilir Meta. Ka një korrespondecë letrash nga burgu mes Nanos e Metës, ku mund të gjesh plot argumenta për të vërtetuar tentativën e Nanos për ta përdorur Metën kundër Servet Pëllumbit e Namik Dokles dhe në momentin kur nuk ia doli, ai u kthye kundër Metës. Këto janë gjëra personale të Ilirit dhe unë s’kam pse flas mbi to.

Pra u ashpërsua beteja, që përfundoi me “dramë” në kongresin e dhjetorit të vitit 2003. Ngjarje, që u pasua pak muaj më vonë edhe me largimin tuaj nga PS dhe themelimin e LSI…

Mendoj se në këtë përçarje kanë pasur një rol të rëndësishëm
njerëz të caktuar në PS. Në zgjedhjet e korrikut ‘96, PS i humbi zgjedhjet për shkak se ishte e përçarë, ndryshe nga zgjedhjet e 26 majit, që u manipuluan nga PD. Në zgjedhjet e korrikut, drejtuesit e PS nuk ishin të interesuar më shumë për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkish e komunash, por ishin më të interesuar, që të luftonin anëtarët e FRESSH apo mbështetësit e tyre. Nuk kishte bashkëpunim. Musa Ulqini bashkë me Halil Lalën, ishin personazhe pozitivë, që përpiqeshin të neutralizonin këtë betejë politike, me qëllim që të mbylleshin mosmarrëveshjet, e kam fjalën për Tiranën. Në të vërtetë, ai kongres dhe mocioni, nuk e ndihmuan aspak funksionimin e demokracisë së brendshme në PS, por e penguan atë.

Në atë kongres megjithatë, u bënë disa reformime, ose të paktën kështu u “shitën” nga drejtuesit e partisë, ndër të tjera u hoq referenca e Marksit nga programi dhe u bënë disa ndryshime në statut dhe programin e partisë. Ndikuan këto në rritjen e demokracisë së brendshme dhe në reformimin e PS?

Mendoj, se të gjitha lëvizjet ishin në funksion të luftës për karrige në PS dhe jo për reformimin e saj, apo aq më pak për demokracinë e brendshme. Në atë kongres u hoq nga forumet Ilir Meta, Servet Pëllumbi, Luan Hajdaraga, Namik Dokle e të tjerë. Pra nuk ka lidhje me demokracinë. Ndërkohë, që disa individë, të cilët dikur ishin në mbështetje të Metës e Pëllumbit kaluan në krahun tjetër. Pra u krijua një kaos dhe njerëzit ishin të çorjentuar. Beteja bëhej për post dhe jo për reformim. Në atë kohë unë fillova të krijoj rezerva të mëdha në raport me PS dhe unë kam krijuar dyshimet e mia shumë më herët se sa Iliri. Ka qënë ky moment, kur unë kam menduar të iki nga PS, madje edhe e kam shprehur. I kam thënë Musa Ulqinit, që është momenti të ikim, sepse do të kemi edhe mbështetjen brenda, edhe jashtë vendit. Ulqini u shokua kur i thashë, se duhet të largohemi. Iu duk një ide shumë e parakohshme.

Më pas vijnë ngjarjet e vitit 1997 dhe lufta u duk, se po shuhej.

Në fakt u kalua në plan të dytë, ose të tretë përkohësisht, pasi në plan të parë ishin zgjedhjet. Dukej qartë, se PS po vinte në pushtet, jo për shkak se po fitonte PS, por për shkak të gabimeve që kishte bërë Berisha dhe qeveria e tij. Kishte njëfarë pragmatizmi, por në thelb dukej qartë, se lufta vazhdonte, pasi Ilir Meta mezi u fut kandidat për deputet në Skrapar. Në kongresin e gushtit ’96,Metadhe mbështetësit e tij ishin larguar nga forumet. Megjithatë, ai e kishte mbështetjen e tij në këto forume. Pra Meta kishte konsoliduar pushtetin e tij brenda PS, deri në forumet më të larta drejtuese dhe ishte e vështirë ta anashkaloje.

Megjithatë, dukej se fatos Nano kishte nisur të korrte fitoret brenda PS. Kishte dalë nga burgu, po përgatitej për të ardhur në pushtet dhe kishte gjithë luksin të qeveriste i qetë, i gatshëm për të bërë “viktima” kundërshtarët e tij.

Pas kongresit të ‘96, kur ishin larguar gjithë kundërshtarët dhe ishin afruar në forumet e PS vetëm një pjesë e saj, si dhe disa të rinj pa kontribute, sillte një situatë që vlonte brenda partisë. Nanos i duhej ta menaxhonte këtë reaksion. U deshën pak muaj dhe situata shpërtheu, pasuar me ngjarjet e mëvonshme, kur Nano dha dorëheqjen. Erdhi momenti, që atij i duhej bashkëpunimi i zërave ndryshe në PS, si një strategji, që do të mbante PS e bashkuar. Ndryshe nga Rama i sotëm, Nano e kishte cilësinë e bashkëpunimit me kundërshtarët. Megjithse Fatos Nano ishte hakmarrës, ulej në bisedime dhe kërkonte ndihmë kur i duhej, madje edhe nga kundërshtarët. Këtë e bënte me përulësinë më të madhe, pasi i bënte llogaritë, se ky bashkëpunim i duhej. Kështu ai vendosi të përfshijë në qeverisje kundërshtarët, të cilët do të merrnin kosto në qeverisje, por njëherësh do të përmirësonin dhe imazhin e Nanos. Këtë strategji, Nano kishte nisur ta përdorte menjëherë sa erdhi në qeveri, kur zgjodhi Ilir Metën në krye të PS Tiranë. Kjo i shërbeu për të riorganizuar Tiranën, por edhe për të dhënë mesazhin e bashkimit në PS.

Si mundësohej bashkjetesa mes Nanos e Metës në atë betejë të ashpër politike, që kulmonte fort në momente të caktura, kur dukej sikur ata ishin armiq të përbetuar, por i riktheheshin marrëveshjeve dhe kjo vazhdoi për shtatë vjet qeverisje të PS?

Mund të them diçka të përmbledhur. Fatos Nano i bën llogaritë mirë dhe për sa kohë i duhet, ai nuk e ka problem të bashkëpunojë me çfarëdolloj kundërshtari. Kjo ka ndodhur deri në vitin 2003, në kongresin e dhjetorit, kur siç duket për shkak të konsumit të moshës e faktorëve të tjerë, Nano nuk i bëri aq mirë llogaritë. E gjithë lufta Nano – Meta erdhi vetëm për shkak, se Nano nuk arriti dot ta kontrollonte Ilir Metën. Faktor i rëndësishëm në këtë përballje është edhe roli i të tretëve në këtë marrëdhënie. Gjithnjë kanë ndikuar negativisht individë të caktuar, për të prishur raportin Nano – Meta. E treta, ka qënë edhe xhelozia e Nanos ndaj Metës. Nuk mund të jesh xheloz me kohën.Metaështë djali i Nanos në moshë dhe nuk mund të bësh garë me kohën. Kjo shkaktoi edhe largimin nga PS dhe themelimin e LSI. Ilir Meta u përjashtua nga PS bashkë me mbështetësit e tij. Them kështu, sepse PS asokohe drejtohej nga disa grupe interesi dhe jo nga socialistë. Ata ishin të interesuar, qëMetatë largohej nga PS dhe ia dolën. Meta u përjashtua, më pas Nano ra nga pushteti dhe sot nuk është në politikë. Në të vërtetë nga PS, iku FRESSH i vitit 1992.