30 Jan Meta: Qeveria përgjegjëse për varfërimin dramatik të pensionistëve. Ja propozimet e Partisë së Lirisë
Dëshiroj të shpreh shqetësimin më të thellë, lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet kategoria sociale më e diskriminuar nga qeveria e Rilindjes, që është ajo e pensionistëve, të cilët pasi kanë kontribuar për dekada të tëra, sot përballen jo vetëm me një masë të ulët të pensionit, por edhe me një kosto shumë të shtrenjtë të jetesës.
Pensionistët janë varfëruar edhe më shumë, si për shkak të mosrritjes së nevojshme të pensionit, ashtu edhe për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të çmimeve. Numri i pensionistëve është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, kur ndërkohë masa e pensionit është përkeqësuar vazhdimisht në raport me nivelin e pagës minimale dhe të asaj mesatare për shkak të politikave antisociale të ndjekura nga qeveria e Rilindjes.
Numri I të gjithë kategorive të pensioneve në fund të vitit 2014 ishte 585.000 persona, ndërsa në vitin 2023 arriti në 694.000 persona, pra u rrit në 20%. Masa e pensionit të pleqërisë në fund të vitit 2023 në qytet llogaritet me 18.842 lekë në muaj dhe në zonat rurale me 11.239 lekë në muaj.
Masa e pensionit të pleqërisë në fund të vitit 2014 në qytet llogaritej 14.710 lekë në muaj dhe në zonat rurale në 7.381 lekë. Pra shkalla e zëvendësimit si raport i masës së pensionit me pagën minimale në shkallë vendi dhe me pagën mesatare po përkeqësohet vit pas viti në mënyrë të qëndrueshme.
Në vitin 2014, masa e pensionit mesatar të pleqërisë në qytet ishte 67% e pagës minimale dhe 32% e pagës mesatare, ndërsa në fund të vitit 2023 masa e pensionit mesatar të pleqërisë në qytet ishte 47% e pagës minimale dhe 26% e pagës mesatare, pra një përkeqësim tepër i ndjeshëm.
Në vitin 2014, masa e pensionit të pleqërisë në zonat rurale ishte 34% e pagës minimale dhe 16% e pagës mesatare, ndërsa aktualisht masa e pensionit mesatar të pleqërisë në zonat rurale është rreth 28% e pagës minimale dhe 15% e pagës mesatare, pra edhe këtu vijon përkeqësimi I vazhdueshëm.
Qeveria në politikat e saj mban përgjegjësi të plotë për rishpërndarjen e pabalancuar të të ardhurave dhe sidomos për cënimin e shtresave më të prekura nga të ardhurat. Ky është principi i rritjes ekonomike gjithëpërfshirë, që do të thotë se të gjithë duhet të jenë përfitues të rritjes ekonomike.
Megjithë rritjen e të ardhurave reale kombëtare ndër vite, kategoria e pensionistëe që përfaqëson mbi 32% të popullsisë mbi 20 vjeç, jo vetëm që nuk është përfituese nga shpërndarja e të ardhurave reale, por jeton në kushtet e varfërisë.
Pensionistët shqiptarë në pjesën dërrmuese marrin pensione shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë i përcaktuar nga Banka Botërore, me 6.85 USD në ditë. Për një pensionist në qytet, masa e pensionit të pleqërisë është 6.4 USD në ditë, ndërsa masa e pensionit të pleqërisë në zonat rurale është vetëm 3.8 USD në ditë.
Përveç nivelit të ulët të pensionit, faktori i dytë me ndikim të lartë në rritjen e varfërisë është rritja e lartë e çmimeve dhe sidomos e artikujve ushqimorë. Efekti i rritjes në nivel dyshifror i çmimeve dhe veçanërisht i atyre ushqimore ka rënduar më shumë pensionistët, duke konsideruar se për moshat në pension, pesha e ushqimeve është 59% e shpenzimeve të tyre mujore.
Niveli i çmimeve veçanërisht në vitet 2021, 2022 dhe 2023 ka hyrë në një spirale rritëse. Inflacioni i produkteve ushqimore në vitin 2021 ishte 5.3%, në vitin 2022 ishte 18.3% dhe në vitin 2023 është gati 30%.
Brenda grupit të artikujve ushqimorë në vitin 2023, çmimet e disa produkteve kanë arritur në nivelet më të larta se mesatarja. Buka dhe artikujt e drithërave u rritën 24.4%, mishi 21.1%, qumështi 36.3%, vaji 26.8%, frutat 31%, sheqeri 22.85 dhe perimet 43.1%.
Me këto nivele të larta të çmimeve, një pensionist në qytet, i cili shpenzon 59% të të gjithë pensionit të tij mujor vetëm për ushqim, ose 364 lekë në ditë, pra me këto lekë ai mund të blejë vetëm një kafe me çmim deri në 65 lekë, një gotë qumësht me çmim 43 lekë, një gotë kos me çmim 45 lekë, 100 gr djath me çmim 80 lekë, 400 gr bukë me çmim 35 lekë dhe një gjellë në drekë pa mish me çmim 100 lekë.
Ndërsa një pensionist në zonat rurale, i cili shpenzon mesatarisht 59% të pensionit për ushqim ose 217 lekë në ditë, me ato lekë ai mund të blejë vetëm një kafe me çmim 65 lekë, 400 gr bukë me çmim 40 lekë dhe një gjellë në drekë pa mish me çmim 100 lekë.
Është pikërisht qeveria dhe vetëm ajo përgjegjësja e plotë për këtë situatë kaq të rëndë dhe dramatike në të cilën ndodhet shtresa e pensionistëve, pa folur këtu për çështjen e barnave se ajo është një histori dhe një dramë tjetër, dhe është pikërisht ajo qeveria, që duhet të heq dorë nga politikat përjashtuese, nga politikat të cilat rritjen ekonomike e përdorin vetëm në interesin e oligarkëve dhe të klientëve të lidhur me qeverinë. Ajo duhet të mbrojë këtë shtresë kaq të rëndësishme të shoqërisë sonë, si shtresa më në nevojë nga rritja e lartë e çmimeve nëpërmjet indeksimeve të shpeshta në nivelin e inflacionit të produkteve me peshën më të madhe në shpenzimet mujore të pensionistëve.
Për këtë është e domosdoshme dhe ne vlerësojmë se duhet bërë indeksimi i vazhdueshëm i pensioneve për shkak të rritjes së çmimeve; rritje me përparësi e pensioneve të ulëta krahasuar me ato të larta; kryerja e Reformës së Pensioneve për të realizuar shtyllën e dytë të pensioneve me qëllim të rritjes së masës së pensioneve; ulja e informalitetit duke rritur numrin e kontribuesëve që do të mundësonte rritjen e fondeve për të financuar rritjen e pensioneve; dhe padyshim rritja e punësimit afatgjatë tek të rinjtë, që do të kontribuojë gjithashtu në rritjen e kontributeve dhe do të përmirësojë skemën e mbulimit të pensioneve. Dhe natyrisht që ndalimi i shpopullimit të Shqipërisë është shumë i rëndësishëm edhe për të përmirësuar të gjithë skemën e pensioneve.