17 Feb Meta: Përshëndes votimin me konsensus për imunitetin. Meta: Qëndrimet tona
” Meta: Përshëndes votimin me konsensus për imunitetin. Meta: Qëndrimet tona kane te bëjnë me identitetin e LSI.
Është kënaqësi të përshëndes votimin e djeshëm me konsensus të plotë të Kuvendit i cili hodhi një hap të rëndësishëm jo vetëm për çlirimin e politikanë dhe zyrtarëve të lartë nga imuniteti por edhe tregoi se kur ekziston vullneti dhe dëshira për të kontribuar në mënyrë konstruktive për mbarëvajtjen e reformave çdo gjë mund të realizohet edhe pse për fat të keq me vonesë. Megjithatë votimi i djeshëm dhe konsensusi i djeshëm i cili ishte hapi i kërkuar dhe i mirëpritur si nga qytetarët tanë ashtu edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë nuk duhet të mbetet i pashoqëruar në ditët dhe në javët e ardhshme edhe me disa hapa të tjerë imediatë sikurse është mbyllja e reformës për procedurat parlamentare ligji për Gjykatën e Lartë dhe iniciativa të tjera të cilat tregojnë qartë se ekziston vullneti për të vijuar me këto reforma dhe për të plotësuar më së miri jo vetëm të gjitha kërkesat e 12 prioriteteve por edhe të gjithë angazhimet e tjera që derivojnë prej tyre dhe prej gjithë procesit të integrimit europian të vendit. Theksojmë rëndësinë e kohës dhe rëndësinë e ecurisë sepse kjo do të ndihmonte maksimizimin e shanseve dhe mundësive për një vlerësim sa më pozitiv të vendit në javët dhe muajt e ardhshëm brenda këtij viti për konsiderimin e statusit të vendit kandidat.
Z. Meta ju keni abstenuar për sa i përket propozimeve të Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese në reformën në drejtësi keni abstenuar gjithashtu për aktin normativ për lirimin e banesave të ish pronarëve etj. A ka ndoshta një lloj ftohjeje në mazhorancë. Pse keni abstenuar?
Qëndrimet tona kanë të bëjnë me pozicionet tona politike dhe me vlerësimin tonë për çështjet në fjalë. Abstenimi për ndryshimet që u sollën për lirimin e banesave të ish pronarëve erdhi pas mosmarrjes në konsideratë të kërkesës sonë për të vijuar dialogun në mënyrë që jo vetëm të jepej një zgjidhje për kthimin e pronave të zëna me qera pronarëve të ligjshëm por edhe për të evituar një diskriminim ndaj të gjithë atyre qytetarëve që jo për fajin e tyre por të sistemimit të kaluar dhe njëkohësisht edhe për shkak të paaftësisë për t’i dhënë një zgjidhje gjatë këtyre dy dekadave mund të dalin në rrugë të madhe. Në këto kushte kur e pamë të pamundur që të jepej më shumë kohë për të vijuar dialogu dhe për një zgjidhje sa më të plotë menduam që ai ishte qëndrimi më normal. Ndërsa për çështjet e tjera absolutisht që mendoj se çdo gjë tjetër është spekulim.
Po përsa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të kërkoni kryetar apo anëtar?
Ne do të kontribuojmë sa më pozitivisht për konsolidimin e një KQZ-je sa më të pavarur sa më përfaqësuese që të justifikojë të gjithë atë iniciativë ndryshimi për të shtuar garancitë për zgjedhjet e ardhshme.
Z. Meta duke iu referuar votave abstenuese tuajat a paralajmërohet një ftohje në koalicionin qeverisës edhe në kuadër të vitit elektoral në të cilin ndodhemi?
Qëndrimet tona në raport me koalicionin kanë qenë tepër konstruktive. Ne i jemi përmbajtur me përpikmëri të gjithë marrëveshjes kuadër PD-LSI. Natyrisht që për çështje të caktuara ne kemi pasur qëndrimet tona që kanë të bëjnë me vetë identitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim apo me bindjet tona për zgjidhjet që mund të ofroheshin apo të ofrohen. Unë mendoj se koalicioni ka funksionuar në mënyrë të qëndrueshme. Edhe brenda një partie ka mendime të ndryshme dhe nuk ka pse të mos ketë mendime të tilla edhe midis partnerëve në një koalicion. Në këtë drejtim për mua mbetet e rëndësishme që të gjithë t’i fokusojmë dhe t’i përqendrojmë energjitë në këto ditë dhe në këto javë për të vijuar me reformat e kërkuara me forcë nga partnerët tanë si një mundësi për të shtuar në maksimum shanset për një vlerësim pozitiv të vendit për statusin kandidat.
0x323031322d30392d3139 rVML620110323111057_23031119.jpg 14:12)”