06 Jun Meta: Modeli ekonomik duhet të orientohemi drejt prodhimit
LSI organizon forumin ekonomik me temë kryesore “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik për një punësim të sigurt”
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi sot në Hotel Tirana International forumin ekonomik me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik për punësim të sigurt”. Në këtë forum, ku ishte i pranishëm një panel shumë i spikatur, mori pjesë Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, si dhe nderonte me praninë e tij një nga këshilltarët kryesorë të qeverive “Laburiste” në Britaninë e Madhe, këshilltar ekonomik dhe i politikave sociale i Tony Blair, gjithashtu edhe këshilltar i Gordon Broën, aktualisht profesor në Universitetin e Oksfordit, Patrick Diamond.
Forumi ekonomik me temë kryesore “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik për një punësim të sigurt”.
Fjala e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta
Për mua është kënaqësi që të shkëmbejmë së bashku disa mendime lidhur me situatën ekonomike në vend dhe njëkohësisht lidhur edhe me perspektivën e saj, për të cilën janë mjaft të rëndësishme edhe këto zgjedhje, edhe ofertat e ndryshme programore. Do tu jepet mundësi qytetarëve që të bëjnë një zgjedhje të paktën për katër vitet që vijnë. Në këtë drejtim dua të shpreh kënaqësinë për bashkëpunimin me “Rrjetin e politikave” në Britaninë e Madhe, një bashkëpunim i hershëm që ne kemi pasur, dhe me këtë rast dua të falënderoj z. Patrick për këtë pjesëmarrje dhe për kontributin e tij që do të japë edhe gjatë këtij shkëmbimi mendimesh apo këtij debati.
Besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se tregu dhe liria e tij nuk mund të zgjidhë çdo gjë. Kjo është e vlefshme jo vetëm për vendet e zhvilluara evropiane dhe të konsoliduara por edhe për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e tjera postkomuniste. Këto vende duke vuajtur nga centralizimi i jashtëzakonshëm besuan se i gjithë progresi do të vinte vetëm si rezultat i zhvillimit të tregut të lirë. Prandaj edhe kriza që është evidente dhe me pasoja të mëdha, jo vetëm në BE, jo vetëm në shumë ekonomi të tjera të zhvilluara botërore, e cila ka dhënë impaktet e saj edhe në ekonominë tonë, kërkon një rol dhe një përgjegjësi më të madhe të shtetit dhe të qeverisë si një faktor rregullator, i cili pa cenuar hapësirat e tregut dhe të sipërmarrjes së lirë arrin të realizojë orientime të rëndësishme strategjike për zhvillimin e vendit dhe të ekonomisë.
Kam përmendur shpesh këto ditë një rast konkret sepse kam qenë vërtet shumë i befasuar gjatë një vizite që kam bërë në qytetin e Kukësit. Nuk e mendoja që katër vite pasi është bërë një investim i jashtëzakonshëm, sikurse është rruga e Kombit, dhe kur dihet që qyteti që ka përfituar më shumë në raport me shkurtimin e distancës me Tiranën është Kukësi, gjendja ekonomike dhe sociale në Kukës është mjaft më problematike siç ka qenë para se kjo rrugë të bëhej. 2000 familje, pra gati më shumë se gjysma, në këtë qytet jetojnë me asistencë sociale. Më shumë se sa ishin para katër vitesh. Kjo do të thotë që padyshim që rruga është e rëndësishme për zhvillim për zhvillimi nuk mund të vijë pa një rol orientues, nëpërmjet politikave ekonomike, fiskale apo sociale, nga ana e shtetit.
Në të gjitha këto këndvështrime unë mendoj se edhe debatet që ne po ndjekim në fushatë tregojnë për një konfuzion, për një mungesë qartësie në përgjithësi dhe për një nivel populizmi në trajtimin e çështjeve, thjesht për përfitime të shpejta elektorale dhe duke mos dhënë dot një strategji të qartë se si ne do të garantojmë që Shqipëria të mos kalojë drejt recencionit. Të mos harrojmë se vetëm para pak ditësh raporti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerësonte se për tremujorin e parë të këtij viti ekonomia shqiptare u rrit vetëm 0.5 për qind, pra shumë pranë recensionit. Në këtë situatë, kur kemi një thellim të deficitit tregtar, në këto situata kur kemi një rritje të jashtëzakonshme të borxhit publik, përtej të gjitha limiteve që kanë qenë të pranueshme dhe të parashikuara. Kur një pjesë e këtij borxhi nuk shkon për investime por shkon për paga dhe për pensione thjesht për ato masa me karakter të përkohshëm elektoral.
Në këtë kohë kur klima ndaj biznesit është bërë gjithnjë edhe më e vështirë, ku problemet janë të shumta që nga mospagimi i punëve publike prej disa qindra milion euro për shumë kompani, proces që ka sjellë një bllokim në përgjithësi të të gjithë aktiviteteve në vend dhe që e ndjen edhe biznesi i vogël nga mosrimbursimi i TVSH-së për shumë biznese. Dhe këtu kemi të bëjmë përsëri me një shifër mjaft të konsiderueshme që është njëkohësisht një borxh i padeklaruar apo një borxh i fshehur, absolutisht që kemi shumë kambana të cilat kërkojnë një kthjelltësi dhe një orientim të shpejtë jo vetëm për disa masa afatshkurtra stabilizuese, por njëkohësisht edhe për një ristrukturim afatgjatë të të gjithë modelit tonë ekonomik, në mënyrë që të kemi një ekonomi që prodhon dhe përmes nxitjes dhe stimulimit të prodhimit, të kemi mundësi të ulim importet, të kemi mundësi të rrisim eksportet vazhdimisht, pra të krijojmë një ekonomi, e cila konkurron dhe të përmirësojmë të gjithë parametrat makroekonomikë, të cilët sot janë gjithnjë edhe më kritikë. Remitancat janë në rënie, që kanë qenë burimi kryesor i financimit të ekonomisë sonë.
Njëkohësisht problemet e tjera të cilat kanë të bëjnë me politikën e taksave, ne gjithmonë kemi theksuar se duhen vënë në funksion të objektivave kryesorë për zhvillimin e ekonomisë së vendit. Dhe në këtë plan, për ne e para është që ne të kemi një ristrukturim sa më të shpejtë dhe me efekte afatshkurtra dhe afatgjata për ekonominë e vendit nga një ekonomi konsumi në një ekonomi e cila ecën drejt rritjes së prodhimit dhe e orientuar në mënyrë të veçantë drejt eksporteve. Dhe së dyti, e gjithë politika e taksave të vihet në këtë funksion dhe të rritjes së punësimit që është problemi më i mprehtë sot social për vendin tonë, si një vend me një moshë të re dhe ku çdo vit janë me dhjetëra e mijëra të rinj, të cilët kërkojnë vende të reja pune. Vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë të kemi një ekonomi dinamike, një ekonomi që njeh vazhdimisht rritje dhe njëkohësisht edhe të kemi mundësi të përfitojmë nga proceset e integrimit evropian, sepse procesi i integrimit evropian nuk do të thotë domosdoshmërish vetëm përfitime. Ne mund të përfitojmë vetëm duke ecur në këtë mënyrë sepse përndryshe në rast se ne do të nënvlerësojmë të gjithë faktorët që përmenda më parë dhe do të vazhdojmë me vetëkënaqësi apo me qëndrime populiste dhe afatshkurtra thjesht për t’u bërë qefin për zgjedhje disa shtresave të caktuara të shoqërisë, absolutisht që situata ekonomike do të jetë edhe më dramatike
dhe shumë shpejt çdo qeveri do të detyrohet të marri masa drastike.
Përsa i takon tregut, për ne tregu nuk duhet mbivlerësuar, ai ka rolin e tij absolutisht. Për ne avantazhet e një ekonomie që bazohet tek tregu i lirë duhet të shoqërohen me rolin rregullator të qeverisë dhe të shtetit në mënyrë që të gjithë shtresat e shoqërisë të përfitojnë nga zhvillimi ekonomik i vendit, nga rritja ekonomike e vendit dhe patjetër për këtë janë të gjitha mundësitë për të zhvilluar politika të ndryshme të taksave apo sociale.
Unë do të thosha diçka edhe për çështjen e bujqësisë. Është e vërtetë që ka pasur një subvencionim për bujqësinë edhe pse shumë modest, por ka pasur diçka dhe ne mendojmë që duhet të 3-4 fishohet ky subvencion menjëherë për arsye sepse i jep një impakt të menjëhershëm dhe të shpejtë në rritjen e të ardhurave, në rritjen e rendimentit, në rritjen e prodhimit, në uljen e importeve dhe në rritjen e eksporteve. Është një impakt edhe i menjëhershëm, edhe i qëndrueshëm. Natyrisht edhe në drejtim të vetëpunësimit e me radhë. Por, është e rëndësishme njëkohësisht që kjo politikë subvencionuese të jetë sa më orientuar qartë nga ana e qeverisë së ardhshme sepse kemi vënë re duke qenë në shumë ferma dhe në takime me fermerë të ndryshëm, që subvencionohet një kulturë e caktuar, pa verifikuar më parë cilësinë e tokës nëse kjo kulturë aty mund të japë rendimentin më të mirë dhe më të lartë. Meqë është edhe fondi i pakët, kemi vënë re që ka një përzgjedhje mjaft selektive, jo sipas atyre kritereve që kanë të bëjnë me nxitjen e prodhimit, me rritjen e rendimentit dhe njëkohësisht nuk funksionojnë siç duhet shumë institucione të rëndësishme të cilat e ndihmojnë fermerin që të mos dështojë në prodhimet e tij, në mbjelljet e tij siç është mungesa e kontrollit të farave, që është një problem shumë i madh, që vjen ndonjëherë edhe për shkak të mungesës së kontrollit, por që vjen edhe për shkak të asaj që vetë fermerët priren t’i blejnë atje ku është më lirë dhe më pas ata dështojnë për të realizuar një prodhim me rendimentin dhe cilësinë e pretenduar.
Edhe për këtë ne kemi në program subvencionime me 50 për qind të çmimit për farat më të zgjedhura, më të mira të certifikuara, përveç shumë elementëve të tjerë të rinj subvencionues për sa i takon të gjithë inputeve në këtë sektor. Por, ne besojmë realisht që zhvillimi i bujqësisë, dhe i industrisë agropërpunuese është një potencial i jashtëzakonshëm sepse vendi e ka pasur këtë zhvillim në të kaluarën pavarësisht në një formë tjetër. Përmes këtij zhvillimi kemi një mundësi të madhe që të ndikojmë edhe në rritjen ekonomike, edhe në uljen e importeve, edhe në rritjen e eksporteve sepse Shqipëria edhe para 30-40 vitesh ka mundur të eksportojë dhe për këtë na duhet të nxisim sidomos shoqëritë bujqësore, të cilat duhen stimuluar për t’u rritur, për t’u zmadhuar sepse vetëm në këtë mënyrë do të realizojmë biznese të suksesshme, të fuqishme, me të gjitha kapacitetet edhe për të prodhuar, edhe për të realizuar proceset e tjera të grumbullimit, të magazinimit, të shitjes apo të agropërpunimit dhe për këtë në programin tonë ne kemi disa lehtësi dhe një mbështetje të veçantë sidomos për këtë lloj aktivitetesh me qëllim që t’i rrisim në një kohë sa më shpejtë.
Administrator i Konfindustria, Gjergj Buxhuku
Nga fjala që mbajti miku nga Britania e Madhe unë vlerësoj faktin se tashmë partitë duhet të tejkalojnë ideologjitë dhe të kthehen në parti pragmatiste që zgjidhin probleme. Unë mendoj që shembulli më i mirë në Shqipëri, që është një parti pragmatiste që zgjidh probleme është Lëvizja Socialiste për Integrim. Këtë e them me shembuj dhe jo në teori, pasi kemi qenë dëshmitarë që ishte LSI, që zgjidhi çështjen shumë vjeçare të diskutuar për ligjin e famshëm për funksionimin e Gjykatës Administrative. Z. Meta përkrahu qëndrimin që Kofindustria mbajti para disa kohësh në takimin me liderin e Partisë Socialiste duke i shprehur faktin se duhet miratuar ligji dhe pastaj në hyjë në funksionim pas zgjedhjeve.
Në fakt ishte pozitive miratimi i paktës me tre ligjeve. Aspekti i dytë pozitiv nga LSI është qëndrimi ndaj politikës fiskale në vend. Natyrisht, situata në Britaninë e Madhe është shumë e ndryshme sa i përket strukturës ekonomike dhe shumë elementë të politikës fiskale që aplikohet atje nuk mund të aplikohen këtu. Fakt është që qëndrimi që LSI-ja mbajti për debatin që mori pamje ideologjike midis përplasjeve për taksën e sheshtë dhe taksës progresive, qëndrimi i LSI-së ishte një qëndrim pragmatist sepse e kishte të qartë faktin se një taksë progresive e mirëfilltë nuk mund të aplikohet në vende të cilat janë në zhvillim.
Vendet në zhvillim kanë nevojë të krijojnë pasuri dhe pastaj të zbatohen ligje progresive për ta rishpërndarë këtë pasuri. Por, në fazën e krijimit të pasurisë ne kemi nevojë për një politikë fiskale nxitëse për investimet, qoftë të vendit, por sidomos për investimet e huaja. Kështu që edhe qëndrimi që LSI ka për aplikimin e taksës progresive nën kufirin maksimal 10 për qind që i takon taksës së sheshtë unë mendoj që është pozitive dhe se duhet përshëndetur. Unë mora këto dy momente për të treguar faktin se tani jemi në momentin që kemi nevojë për partitë pragmatiste, që shënjestrojnë problemet reale që ka ekonomia e vendit dhe mundohen t’i japin zgjidhje.
LSI-ja, ka treguar se është një parti e rëndësishme e spektrit politik shqiptar, për sa i përket faktit se si mund të përmirësohet mënyra e investimeve publike. Është shumë e vërtetë fakti që Shqipëria ka qenë një vend shumë i prapambetur nga pikëpamja e zhvillimit të infrastrukturës, rrugore sidomos, e ngjashme me vendet afrikane dhe këtu flas përpara 20 vitesh kur ne hymë në sistemin e ri të tregut të lirë. Investimet në infrastrukturë janë absolutisht shumë të rëndësishme. Ende sot, me gjithë investimet e mëdha që janë bërë në infrastrukturë, përsëri gati gjysma e vendit nuk ka akses në rrjetin rrugor dhe kjo lidhet drejtpërdrejt pastaj me zhvillimin ekonomik të vendit.
Por natyrisht brenda këtij spektri ka vend, që mbase një pjesë e fondeve që sot janë destinuar për infrastrukturën mund të rialokohen edhe në sektorë të tjerë, siç është bujqësia për shembull apo edhe industria. Dhe fakt është që një politikë subvencioni që është ndjekur në këto tetë vite ka qenë shumë e suksesshme në sektorin bujqësor, kështu që është e mundshme të shikohet një rritje e subvencioneve për bujqësinë, e cila pastaj ka ndikime në të gjithë ekonominë. Dhe me këto sugjerime mendoj se ja vlen që të diskutohen tema të tilla, qoftë për të parë edhe mundësinë se si ne mund të dalim nga një gjendje relativisht e vështirë e ekonomisë në këto momente, duke pasur parasysh që edhe mund të tejkalohet pak kufiri i borxhit publik për një moment të parë, duke pasur parasysh faktin se tashmë edhe vendet e Evropës po e marrin veten n
ga kriza globale dhe natyrisht ditë më të mira do të vijnë edhe për ekonominë shqiptare.
Por është fakt që Shqipëria është në një moment të vështirë sot, pro jemi në një moment shumë të përshtatshëm për sa i përket të ardhmes. Unë jam optimist se jemi në një moment shumë të përshtatshëm për faktin se sot jemi pjesë e projekteve të mëdha strategjike në sektorë shumë të rëndësishëm të ekonomisë . Shqipëria është në prag të përfitimit nga projekti TAP, që do të thotë industrializim i vërtetë i vendit me pasoja pozitive të jashtëzakonshme. Shqipëria është në prag të zbulimeve të reja në naftë dhe përsëri kjo është shumë e rëndësishme. Dhe Shqipëria ka prani të shumëkombësheve ndërkombëtare në shfrytëzimin e energjisë elektrike me përfitime të jashtëzakonshme për vendin. Prandaj duhet të kemi vazhdimësi politikash që këto investitorë të mëdhenj dhe këto projekte të mëdha të jenë të pranishme dhe të mbështeten dhe jo të pengohen.
Fjala e Patrick Diamond, ish-këshilltar ekonomik i Tony Blair dhe Gordon Brown
“Falënderoj z. Meta dhe LSI-në për ftesën që më bënë, është vërtetë kënaqësi e madhe që ndodhem këtu. Është hera e parë që vij në Shqipëri, kam dëgjuar shumë gjëra për vendin tuaj, por është kënaqësi e madhe që kam mundësinë ta shoh vetë nga afër dhe të jem këtu në një moment të rëndësishëm për vendin tuaj, moment kur duhen bërë zgjedhje të mëdha në kontekstin e fushatës elektorale.
Gjithashtu është kënaqësi e madhe për mua që jam këtu në mbështetje të kësaj partie dhe ka tre arsye pse unë mendoj se është e rëndësishme. E para, historikisht marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë kanë qenë i një rëndësie të madhe. Shqiptarët i kanë dhënë një kontribut të madh për Britaninë e Madhe dhe për ekonominë e vendit tonë gjatë viteve të fundit. Tregtia dhe lidhjet ekonomike mes vendeve tona janë shumë të rëndësishme dhe kjo është arsyeja e parë të për të cilën unë ndodhem këtu.
Arsyeja e dyta pse unë ndodhem këtu, është sepse kjo parti politike (LSI-ja) po bën diçka që vetëm partitë politike moderne e bëjnë. Që është, bërja e fushatës elektorale mbi bazat e ideve dhe politikave të saj, jo thjesht te personalitetet, jo duke u marrë me rezultatet e sondazheve, por duke u përpjekur të gjejë idetë e duhura për vendin.
Arsyeja e tretë pse unë jam i lumtur që mbështes LSI-në, është se kur punoja në qeveri me Tony Blair dhe Gordon Brown dhe kur punonim ngushtë me politikanë si Bill Clinton dhe SHBA-të, gjithmonë kam thënë se gjëja tek e cila besojmë nuk është një qeveri ideologjike, por një qeveri që zgjidh problemet. Dhe unë besoj se kjo parti është përkushtuar në principin për të pasur një qeveri që u zgjidh problemet njerëzve dhe jo të krijojë probleme. Të punojë në mënyrë pragmatike dhe gjithashtu të punojë mbi bazat e ideve të mira, duke u përpjekur të zgjidhë sfidat me të cilat ky vend përballet.
Për këto arsye, por edhe për shkak të motit, është kënaqësi të jem në Shqipëri duke mbështetur z. Meta dhe partinë e tij në këtë fushatë elektorale. Kur mora ftesën për këtë forum u gëzova që do të mund të ndaja me ju idetë e mia, se çfarë mund të mësojmë nga eksperienca e Britanisë së Madhe dhe gjithashtu eksperienca nga vende të tjera evropiane dhe Bashkimit Evropian.
Ideja kryesore që përcakton politikën progresiste është ideja e kapitalizmit progresiv. Në historinë e të gjitha partive të majta ka pasur njerëz që kanë thënë se kapitalizmi progresiv është një term kontradiktor sepse nuk mund të kemi një kapitalizëm që të jetë edhe progresiv. Sigurisht, që ne nuk biem dakord me këtë dhe ne e argumentojmë këtë me faktin se mund të kesh një formë kapitalizëm tregu që nuk është thjesht i mirë për eficiencën ekonomike, por është gjithashtu i mirë për kohezionin social dhe për drejtësinë sociale. Dhe është ky model i kapitalizmit progresiv që ne kemi kërkuar të zhvillojmë në Britaninë e madhe dhe në vende të tjera të lëvizjes progresiste në të gjithë botë. Por kapitalizmi progresiv bazohet në refuzimin e dy qasjeve të modës së vjetër. Njëra është socializmi tradicional, ideja se mund ta centralizosh ekonominë dhe mund ta drejtosh ekonominë sipas principeve të kontrollit të komanduar. Kjo teori nuk funksionon më mjedisin e ekonomisë globale, në të cilin ne jetojmë.
Gjithashtu, kapitalizmi progresiv nuk e pranon as liberalizimin total të tregut, idenë se thjesht mund t’i lësh gjithçka në dorë tregut. Nëse i lë gjithçka në dorë tregut, atëherë pasojat që do të kesh janë ekonomi joefikase, por edhe nivel i lartë i padrejtësisë sociale dhe më shumë vështirësi në arritjen e një kohezioni social.
Ne besojmë të kapitalizmi progresiv, por si mendoni se e kemi arritur këtë formë kapitalizmi në vitet e fundit? Në thelbin e nocionit të kapitalizmi progresiv dhe politikës progresive është ideja që shteti nuk duhet të zëvendësojë tregun, por shteti duhet të punojë me tregun për të marrë përfitime për ekonominë dhe për popullin
E dyta, në mënyrë që të zhvillojmë ekonomitë tona, duhet të kemi marrëdhënie të mira mes punëve, duhet të kemi një partneritet konstruktiv midis sektorit publik dhe atij privat. Këtu nuk bëhet fjalë që sektori publik të marrë kontrollin mbi sektorin privat, por sektori publik duhet të gjejë mënyra për të rritur aftësinë e sektorit pri
vat në krijimin e vendeve të reja pune të kënaqshme, të zhvillojë ekonominë, të zhvillojë infrastrukturën dhe kapacitetet e ekonomisë sonë.
Çështja e rregullatorëve është shumë e rëndësishme, partneriteti është i rëndësishëm, sigurisht edhe investimet janë të rëndësishme. Ekonomia britanike ashtu si edhe ekonomia shqiptare është në proces zhvillimi dhe ndryshimesh, e vetmja mënyrë që do të kemi për të qenë konkurrues në të ardhmen është e bazuar në aftësitë shumë të larta, infrastrukturës së mirë, kapacitete të shëndosha efektive, ingredientëve që nevojiten për të arritur rritje ekonomike dhe me një cilësi të lartë në të ardhmen. Të gjitha këto duhet të mbështeten gjithmonë nga inovacionet, nga investimet në teknologjinë e re, në sektorët e tjerë të rritjes. Investime në shkencë, investime në fusha që do të mbështesin zhvillimin e ri të ekonomisë. Këto janë kolonat bazë ku duhet të mbështetet qeveria.
Mbeta i shtangur nga vërejtjet e z. Meta dhe mendoj se ka nevojë si në Britaninë e Madhe ashtu edhe në Shqipëri që të rimëkëmbim ekonominë larg mbipërqendrimit te konsumi dhe të fokusojmë zhvillimin tonë ekonomik në investimet afatgjata në kapacitete, infrastrukturë dhe resurseve që do të na çojnë drejt një rritje të qëndrueshme ekonomike në të ardhmen. Në idetë tona për kapitalizmin progresive ne flasim për rëndësinë e zhvillimit të asaj që e ne quajmë politikat e reja të prodhimit, që mund ta çojnë drejt krijimit të një modeli të ri ekonomik, që është ma pak i shqetësuar për konsumin sot, por që është më shumë i fokusuar te investimet për të ardhmen.
Më lejoni të them pak fjalë për rëndësinë e punësimit, pasi e di se kjo çështje është në qendër të fushatës suaj elektorale. Punësimi do të jetë gjithmonë një prioritet për lëvizjet progresiste dhe për partitë politike progresiste. Si pjesë e axhendës së kapitalizmit progresive në Britaninë e Madhe ne kemi krijuar atë që quajmë axhendën e punëve cilësore. Por çfarë do të thotë kjo?
Principi i parë ka të bëjë me atë që ne besojmë se duke punësuar njerëzit ne duhet t’u japim atyre punë që ofrojnë cilësi të lartë, të mirë-paguar, punë që ofrojnë kushtet të mira dhe siguri. Gjithashtu edhe punë që i jep punonjësit mundësitë që të ketë një të ardhme sa më të qëndrueshme dhe jo thjesht një punë për vetëm disa muaj, apo për vetëm disa vite. Por, punë që ofron shpresë sa më shumë të jetë e mundur në jetën e tij. Po ne duhet të sigurojmë që të mundësojmë punë të mirë paguara si dhe të njohim që çelësi i këtij aspekti dhe i çdo politike progresive duhet që t’i pajisësh të gjithë njerëzit me konceptin e ndryshimit. Në ekonominë britanike në çdo dekadë 10 për qind e të gjithë profesioneve të ekonomisë do të pësojnë ndryshime nga teknologjia e zbatuar në ekonomi.
Aspekti i katërt i axhendës së punësimit është se ne duhet të jemi absolutisht të fokusuar në sfidat që ka nxjerrë para papunësia e të rinjve. Papunësia për çdo individ mund të jetë një eksperiencë e dhimbshme. Por, papunësia tek të rinjtë ka një dëm të madh ekonomik dhe social në gjithë shtresat e popullsisë dhe në shoqëri. Në Evropën e sotme, në vende si Spanja papunësia e të rinjve është afërsisht 50 për qind. Kjo është një katastrofë sociale e cila duhet të mbarojë sa më parë.
Në Mbretërinë e Bashkuar ne kemi të zhvilluar programe të cilat janë hartuar në mënyrë specifike, që të reduktojë papunësinë tek të rinjtë sa më shumë të jetë e mundur. Ne kemi prezantuar garancinë e punës. Kështu që çdo i ri i cili është i papunë prej më shumë se 6 muaj ka të garantuar mundësinë që të bëhet pjesë e trajnimeve të profesionit të tij dhe ka disa mundësi të tjera të punësimit. Kjo do të thotë që ky person nuk humbet kontaktet me tregun e punës dhe i është mundësuar që të bëjë progres për të ardhmen duke arritur të punësohet. Ne gjithashtu fokusohemi tek praktikat e punës dhe ky program u jep mundësi të rinjve t’u nënshtrohen trajnimeve në një punë të specifikuar, të mësojnë aftësitë që u nevojiten për të bërë të mundur që të gjejnë një punë në të ardhmen. Standardi i edukimit ka gjithashtu një prioritet të madh për qeverinë laburiste në Britani. Kur Tony Blair u ngjit në pushtet 1997 ai tha: “Kam tre prioritete për Britaninë: edukimin, edukimin, edukimin.”
Për 13 vjet që ne kemi qenë në pushtet, ne u fokusuam si qeveri në përmirësimin e sistemit të edukimit, cilësinë e sistemit të shkollave, cilësinë e sistemeve të trajnimit, cilësinë e universiteteve tona, cilësinë e praktikave të punës. Të gjitha këto aspekte të sistemit të edukimit janë thelbësore për të ardhmen e rritjes ekonomike, janë thelbësore për prosperitetin dhe mirëqenien e popullsisë. E gjitha ajo që dua të them, është se dua t’ju jap një farë panorame në Mbretërinë e Bashkuar. Jam jashtëzakonisht i kënaqur që ndodhem në Shqipëri. Mendoj se idetë që u diskutuan sot në këtë program janë ide shumë të rëndësishme. Është e rëndësishme që të ndiqen politika të reja, një modeli i ri i rritjes dhe zhvillimit ekonomik, që sjellin një formë të re të kapitalizmit i cili bën atë që të gjitha lëvizjet sociale demokratike kanë synuar të realizojnë. Nga kjo dua të them që ekonomia efikase dhe drejtësia sociale nuk janë në opozitë me njëra-tjetrën. Por, duhet që ato të shkojnë krah njëra-tjetrës, të rriten së bashku për të prodhuar një prosperitet ekonomik dhe që është i dobishëm për shumë njerëz dhe jo për një rreth të ngushtë shoqëror.