META: Integrimi Evropian kërkon bashkëpunim më të fortë politik

META: Integrimi Evropian kërkon bashkëpunim më të fortë politik

” META: Integrimi Evropian kërkon bashkëpunim më të fortë politik

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u shpreh sot në Tiranë se integrimi evropian kërkon bashkëpunim më të fortë politik mes forcave dhe se aktorët e ndryshëm nga Shqipëria duhet të flasin me një zë në BE.
 
Gjatë fjalës së tij mbi arritjet dhe sfidat e Shqipërisë gjatë procesit të integrimit evropian në Konferencën e 6-të të Komisioneve Parlamentare të Integrimit të Shteteve Anëtare të MSA-së z. Meta tha se Shqipëria ka bërë një progres të konsiderueshëm në plotësimin kritereve të Kopenhagenit por se kriteri politik ende mbetet sfidë madhore për integrimin.
 
Në këtë plan z. Meta u shpreh se marrëdhëniet e një bashkëpunimi më të ngushtë dhe më aktiv midis Ministrisë së Integrimit dhe Komisionit Parlamentar të Integrimit si po vihet re edhe kohët e fundit janë të rëndësishme sepse këto në thelb janë dhe raportet midis Qeverisë dhe Parlamentit për çështjet e integrimit evropian.
 
Z. Meta vuri në dukje se sfidat e vendeve të rajonit janë të ngjashme për shkak të një trashëgimie pak a shumë të përbashkët. “Por në rastin e Shqipërisë ajo që është për tu theksuar është rëndësia e forcimit të dialogut politik që po të themi të drejtën është diçka që nuk po shkon në përputhje me dialogun e qytetarëve çdo ditë në Shqipëri pavarësisht përkatësive partiake dhe kjo klimë tepër pozitive duhet të na ndihmojë ne politikanëve për të qenë më bashkëpunues me njëri tjetrin për një qëllim kaq të madh që i bashkon të gjithë shqiptarët sikurse është integrimi evropian” tha z. Meta.
 
Ai shtoi se kohët e fundit ka një progres të rëndësishëm dhe premtues në drejtim të zbatimit të planit të veprimit për 12 prioritetet sidomos në drejtim të reformës zgjedhore asaj parlamentare dhe fushën e drejtësisë. Në këtë kontekst z. Meta theksoi rëndësinë e fuqizimit të mëtejshëm të rolit të Komisionit Parlamentar të Integrimit si dhe të bashkëpunimit me Ministrinë e Integrimit në shërbim të efikasitetit të zbatimit të planit të veprimit.
 
Lidhur me rajonin z. Meta tha se “pavarësisht nga mungesa e entuziazmit në Evropë përsëri ka lajme të mira që tregojnë se ky është një proces që po përparon sikurse është nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit të Kroacisë apo marrja e statusit kandidat për Serbinë” duke nënvizuar se çdo hap pozitiv i secilit vend është një hap përpara i të gjithë rajonit. Po kështu dhe në drejtim të Kosovës lancimi i dialogut për liberalizimin e vizave si dhe studimi i fizibilitetit janë hapa pozitivë megjithëse shumë të vonuar. “Nuk duhet të harrojmë se qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët janë dhe ndihen të izoluar dhe të diskriminuar dhe mendoj që kjo nuk është e drejtë” u shpreh z. Meta.
 
Në përfundim z. Meta theksoi se Shqipëria ka qenë është dhe do të jetë gjithnjë në krye të të gjitha përpjekjeve pozitive që bëhen në rajon për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të forcuar politikat e fqinjësisë së mirë. Ai nënvizoi se “ka këtu përpjekje për të nxitur një frymë nacionaliste ekstremiste dhe ksenofobie ndaj fqinjëve por kjo nuk përbën një shqetësim serioz për arsye sepse nuk gëzon asnjë lloj mbështetje në opinionin publik sepse orientimi i qytetarëve shqiptarë është shumë i qartë dhe shumë pragmatik ai është përshpejtimi i integrimit evropian si një projekt që u jep statusin e merituar si qytetarë të barabartë në Evropën e bashkuar”.
 
Në këtë kontekst z. Meta vuri në dukje se pavarësisht këtij roli parësor që Shqipëria ka luajtur praktikisht asnjë qendër e nismave rajonale nuk ndodhet në Tiranë megjithëse Tirana ka qenë një promotore dhe nxitëse e të gjitha këtyre iniciativave.  Në këtë drejtim z. Meta propozoi se sikurse është rënë dakord edhe në të kaluarën të krijohet një fond i përbashkët nën shembullin e vendeve të Vishegradit në mënyrë që të nxisim ndërtimin e projekteve të përbashkëta ndërkufitare.
 
Z. Meta përfundoi duke theksuar se “do të ishte mirë nëse Sekretariati i këtij projekti të ishte në Shqipëri. E rëndësishme është që të përforcojmë më tej edhe qasjen tonë en-blok ndaj Bashkimit Evropian sepse mendoj se kjo na bën më të besueshëm në raport me të kjo na bën partnerë më të denjë me njëri-tjetrin dhe me vetë Bashkimin Evropian”.
 

0x323031322d30332d3039 Meta_EC_Solo.jpg 15:10)”