07 Feb Mbledhja e Kryesisë së Partisë së Lirisë, 7 Shkurt 2024
Ilir Meta: Do të propozojmë një iniciativë ligjore për ndryshimin e skemës së sigurimeve shoqërore. Përfitues edhe ata që kanë kontribuar më pak se 15 vjet
Partia e Lirisë e përshëndet nënshkrimin e shumëpritur të marrëveshjes për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë.
Një hap i madh dhe arritje e merituar, por shumë e vonuar, produkt i mbi 15 viteve negociata dhe përpjekje të gjithanshme, jo vetëm shtetërore por sidomos të vetë shqiptarëve dhe organizatave të tyre në Itali që prej 32 vitesh kanë ushtruar presionin e tyre pozitiv dhe e kanë nxitur përmbushjen e kësaj të drejte themelore ekonomike që ju takonte.
Uroj që ky hap të përshpejtojë procesin edhe për finalizimin sa më parë të marrëveshjes së ngjashme me Greqinë, si edhe me vende të tjera, ku shqiptarë, që prej dekadash u mohohet kjo e drejtë, që duhet të përfitohet sa më parë.
Por ajo çfarë e nxjerr zbuluar hipokrizinë e Qeverisë shqiptare që vrapon të marrë suksesin për arritjen e kësaj marrëveshjeje, kur ndërkohë nuk ka 10 vite por 15 vite që negociohet, është e vërteta e madhe dhe e hidhur e përjashtimit të padrejtë nga skema e pensioneve të mijëra qytetarëve në vendin tonë!
Teksa shpreh falenderimin dhe mirënjohjen për Qeverisë e Italisë për miratimin e kësaj marrëveshjeje dhe për fleksibilitetin e treguar ndaj shtetasve shqiptarë, konstatojmë me keqardhje se Qeveria e Shqipërisë i ka braktisur dhe përjashtuar nga skema e pensionit dhe përfitimit të gjithë ata qytetarë që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë kontribuar më pak se 15 vite pune.
Pse Qeveria mban një standard të dyfishtë, që njeh kontributet nën 15 vjet në rastin e marrëveshjeve me shtetet e tjera, por padrejtësisht përjashton nga skema e përfitimit pensional të qytetarëve që kanë kontribuar brenda vendit?
Shqetësimi i drejtë i të gjithë këtyre qytetarëve është:
Pse nuk u njihen kontributet nga shteti shqiptar dhe ku kanë përfunduar ato?
Injorimi i mundit, djersës dhe mosnjohja e kontributeve të tyre duhet të marrë fund.
A nuk është koha të mendojmë edhe për këtë kategori që u mohohet kjo e drejtë?
Për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie Partia e Lirisë do të propozojë një iniciativë ligjore për ndryshimin e skemës së sigurimeve shoqërore për t’u mundësuar të gjithë atyre personave të cilët nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë, pavarësisht se kanë më pak se 15 vite gjithsej pune.
SKEMA E PENSIONEVE
Dy faktorë kërcënojnë sot skemën e pensioneve dhe në vitet e ardhshme:
– Plakja e popullsisë, si rezultat i rënies së numrit të lindjeve dhe shpopullimit të vendit.
– Informaliteti i lartë në kontributin e skemës së sigurimeve shoqërore.
Për faktorin e parë edhe vetë FMN në raportin e saj më të fundit të këtij janari ngre alarmin se numri i popullsisë mbi 65 vjeç krahasuar me numrin e popullsisë aktive nga 25 vjeç në 65 vjeç do të shtohet nga 23% sot aktualisht, në 83% në vitin 2070.
Ndërsa për faktorin e dytë aktualisht përqindja e informalitetit në skemën e kontributeve të pensioneve është shumë e lartë.
Vetëm 39% e popullsisë në moshë aktive pune nga 15 vjeç deri në 65 vjeç janë kontribues të skemës të pensioneve.
Dhe kjo është rezultat i një informaliteti të lartë në tregun e punës, ku një pjesë shumë e konsiderueshme punonjësish aktivë janë në informalitet dhe nuk kontribuojnë në skemën pensionale edhe për shkak të barrës së lartë fiskale dhe diferencimeve të taksave për klientët e Qeverisë.
Kjo ka sjellë përkeqësimin e treguesit të numrit të kontribuesve kundrej numrit të përfituesve, aq sa aktualisht numri i përfituesve po barazohet me numrin e kontribuesve.
TAKSAT DHE INFORMALITETI
Së fundmi u njohëm edhe me një tjetër rekord të negativ.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Taksave, niveli i taksave për të ardhurat personale në Shqipëri është deri në 23%, ndërsa Kosova e ka 10%, Maqedonia e Veriut 10%, Bosnje Hercegovina 10%, Rumania 10% dhe Bullgaria 10%.
Edhe pse jemi shteti më i varfër në rajon dhe në Europë renditemi të parët për koston e lartë të jetesës, për çmimet më të larta të ushqimeve, për çmimet më të larta të karburantit dhe për çmimet më të larta të apartamenteve.
Të mos harrojmë dhe dua ta theksoj që jemi qëllimisht vendi me performancën fiskale më skandaloze në rajon, që mbledh vetëm 27,5% të të ardhurave të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndërkohë që vendet e rajonit tonë si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja mbledhin mesatarisht 42%.
Ndërkohë duhet të kemi parasysh se kjo diferencë prej 14,5% do të thotë 3,3 miliardë euro në vit, të cilat nuk mblidhen dhe administrohen, por vidhen dhe shpërdorohen qëllimisht dhe do të thotë 13,2 miliardë euro në 1 mandat 4-vjeçar.
Dua të rikthesoj se Partia e Lirisë për të rritur investimet në arsim, teknologji, inovacion, bujqësi, shëndetësi dhe sidomos për rritjen e pensioneve dhe mbështetjen e grupeve në nevojë nuk do të bëjë asnjë shpikje, përveç vullnetit të qartë politik për t’u ndarë përfundimisht nga informaliteti ekstrem, përjashtimet e qëllimshme klienteliste fiskale, për t’u ndarë nga degradimi i frikshëm i administratës tatimore e doganore dhe për të realizuar atë nivel të ardhurash që realizojnë të paktën fqinjët tanë.