14 Feb Marreveshja e Tregtise se Lire me BE
” Marreveshja e Tregtise se Lire me BE nje sfide dhe mundesi per ne Nga Ilir Meta Kryetari i Levizjes Socialiste per Integrim
Dita e neserme si fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian sigurisht që shënon një moment kulmor në rrugën e vështirë që do të kurorëzohet me anetarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Procesi i Integrimit në këtë komunitet deri më sot përmbledh një histori komplekse sfidash ku nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për respektimin e parimeve të demokracisë dhe funksionimin e tregut të përbashkët i lë vendin fillimit të një faze të re të bashkepunimit konsolidimit dhe adoptimit gradual të standarteve europiane në të gjithë dinamikat e realitetit shqiptar.
Në këtë histori sfidash nisja e zbatimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme ose sic quhet ndryshe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e bën më të prekshëm tjetërsimin e procedurave teknike (të nënshkrimit diskutimit në Parlamentet e vendeve anëtare të BE-së apo ratifikimit) dhe shndërrimin e tyre realisht në mbështetjen dhe sigurinë që Bashkimi Europian do të vazhdojë ti japë Shqipërisë për thellim të reformave ekonomike financiare dhe tregtare.
Kjo mbështetje dhe siguri do të investojë për të përftuar një shpejtësi të tillë të procesit të integrimit ku së pari Shqipëria të mund të zërë një pozicion më dinjitoz se deri më tani sidomos kundrejt vendeve të tjera të rajonit dhe së dyti qe termat kohore drejt anetarësimit në BE të jenë sa më të shkurtër për ne shqiptarët.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë që në themel ka liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve drejt tregjeve të BE-së konvergon në të gjithë parametrat e saj me elementët thelbesorë të MSA-së në përgjithësi.
Eksperienca e vyer e këtij procesi na ka dhënë mësimin më me vlerë: integrimi ekonomik s’mund të ekzistojë pa atë politik dhe anasjelltas reformat ekonomike dhe tregtare nuk mund të avancojnë pa reformat thelbësore ligjore dhe institucionale strukturat e pakta cilësore administrative nuk mund ta përmbushin misionin e integrimit kur në Shqipëri mungon shteti i konsoliduar ligjor e demokratik kur në Shqipëri s’bëhet fjalë më për administratë të mbështetur në vlera dhe mbi të gjitha kur Shqipëria vuan nga një qeveri aspak e ndergjegjshme per përgjegjësitë që mbart mbi supe.
Situata që jeta ekonomike dhe sociale i ofron zbatimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Bashkimin Europian ka në themel një pjesmarrje të vakët të grupit me të rëndësishëm social e njëkohësisht aktorit më themelor ekonomik sic është Biznesi. Ajo karakterizohet nga mungesa e politikave të shtetit për gjithëpërfshirje të shoqërise civile në ketë proces nga mungesa e një fushate intensive për informim dhe rritje të ndërgjegjes kombëtare mbi mundësitë avantazhet vështirësitë dhe kostot e procesit nga një qeverisje vendore dhe një decentralizim pa frymemarrje nga lufta kunder korrupsionit dhe krimit të organizuar pa objektiva të qarta dhe të alternuara për goditjen e krimit ekonomik e oligopoleve.
Këta elementë si dhe mbi të gjitha dimensioni zgjedhor sigurimi i standarteve europiane për zgjedhje të lira e të ndershme do të ishin faktorët detërminues që procesi i Stabilizim Asociimit i konkretizuar së pari në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë që në fillimet e para të mos jetë i cunguar.
Përtej entuziazmit që meriton kjo marrëdhënie e re zbutja e deficitit tregtar aq shumë të përkeqësuar këtë vit është një sfidë që lidhet direkt me garantimin e përmirësimit të treguesve të hapjes ekonomike e që kjo Marreveshje do ta çonte përpara.
Oponenca dhe kritikat që institucionet ndërkombëtare i adresojnë menaxhimit dhe administrimit të procesit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë nga Qeveria evidentojnë në plan të parë reformat në administratën doganore fuqizimin e kapaciteteve institucionale të saj dhe shmangien e ekspertizës me mangësi të theksuara profesionalizmi që erdhën si pasojë e emërimeve të pastra politike e joligjore.
Pikërisht paqëndrueshmëria që sjell ky fenomen në themelet e memorjes teknike dhe institucionale të shtetit është një nga dëmet më të mëdha që kjo qeveri po i sjell procesit të integrimit. Kjo situatë rëndohet dhe më shumë për aq kohë sa administrata doganore do të jetë e para që do të preke realisht kuadrin e zbatimit të MTL-së me BE-në. Aplikimi i cmimeve të referencës refuzimi i vlerës së transaksionit në 20% të rasteve si dhe mospërputhja e legjislacionit dhe zbatimit të vlerësimit doganor me standartet e OBT-së dhe metologjisë së parametrave globale dëshmon për funksionimin tejet larg standarteve të akive të Komunitetit.
Shqipëria është ende shume mbrapa me politikat aktive sektoriale kundrejt hapjes se tregjeve dhe këtu vecohet në mënyrë të padiskutueshme Bujqësia punësimi mjedisi turizmi.
Produktiviteti bujqësor vazhdon të jetë i ulët dhe larg kritereve të konkurrencës me produktet e importuara. Madhesitë e fermave vazhdojnë të jenë me nivele ekstremisht të ulta. Kanalet e distribucionit të produkteve bujqësore kanë shumë nevojë për tu përmirësuar sidomos në rritjen e cilësisë së përpunimit dhe magazinimit dhe lehtësive të tjera të domosdoshme për fermerin shqiptar. Roli i industrisë së brëndshme në rritjen e prodhimit bujqësor vazhdon të jetë i kufizuar. Çështjet e pazgjidhura të pronësisë apo politikat e vakëta dhe pothuaj inekzistente në fushën e shërbimeve sanitare dhe veterinare mungesa e stabilimenteve me standarte europiane dhe pa laboratore shkencore në fushën e peshkimit etj. kanë bërë që realisht edhe ato produkte bujqësore shqiptare që janë me potenciale eksporti të mos të arrijnë tregjet europiane për nga standartet dhe cilësia. Dhe akoma më keq Shqipëria të mos jetë e aftë që të përfitojë preferencat tregtare që Bashkimi Europian na ofron në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë duke realizuar një proces integrimi me dy shpejtësi. Nga njëra anë negocimin me ritme dhe cilësi të MSA-së dhe MTL-së me BE-në
dhe nga ana tjetër shpejtësi me ritme të ngadalta në reformat që do të bëjnë të prekshme këtë Marrëveshje dhe ajo cka është e rëndësishme në keqmenaxhimin e fondeve financiare që BE i akordon këtij procesi ne Shqipëri.
Përtej këtij dimensioni hapat e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal duhet të kenë emërues të përbashkët me marrëdhënien tregtare më kulmore me Bashkimin Europian që zë fill më 1 Dhjetor 2006. Parafimi i Marrëveshjes së vetme Rajonale të Tregtisë së Lirë (CEFTA) së fundi në Bruksel është një tjetër sinjal i Bashkimit Europian që pulson drejt vendeve të Europës Juglindore për thellim të partneritetit ekonomik e tregtar ndërmjet vetë vendeve tona për lehtësi dhe transparencë më të madhe që i ofrohet Biznesit të Ballkanit Perëndimor e ndërmjet tyre dhe atij shqiptar si një komunitet që gëzon në mënyrë të drejtpërdrejtë pronësinë e procesit për shmangie të veprimeve abusive dhe korruptive të doganave të Rajonit dhe fuqizim e mirëadministrim të hapjes ekonomike dhe tregtare në bllok.
Mbi të gjitha shqiptarët edhe me këtë Marrëveshje presin dialog konstruktiv politik Parlament me aktiv per te absorbuar politikat ekonomike te zhvillimit te qendrueshem të vendit nje qeverisje qe te reflektoje konkretisht dhe t’i paraprijë ndryshimeve strukturore që sjell hyrja ne fuqi e MSA-se pret shpejtësi reale integrimi për një Shqipëri moderne qe funksionon me standartet e Bashkimit Europian si pjese integrale e konstitucionit te saj.
0x323030362d31312d3330 12:29)”