10 Apr Manjani : Kush prek KQZ-në ka prekur zgjedhjet e lira
Jemi sot për të kërkuar gjithë përqendrimin e vëmendjes së gjithë klasës politike, por jo vetëm, për ti dhënë mbështetjen maksimale, që praktikisht është e nevojshme, për ato gjëra që kërkoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dje. Praktikisht është një paketë shumë e rëndësishme, e cila në fakt ndihmon të gjithë sistemin bankar për të çliruar sa më shumë potenciale dhe energji nëpërmjet kredidhënies por edhe për të siguruar kredi në të ardhmen.
Ato gjëra që thotë ajo paketë, që thotë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, duhet mbështetur me çdo kusht. Prandaj ne jemi për ti bërë thirrje të gjithë mjedisit politik, në radhë të parë partive politike parlamentare, që të lënë diçka nga agjenda e tyre e politikës së ditës në këtë prag fushate zgjedhore dhe të japin mbështetje maksimale për këtë paketë. Është fjala konkretisht për një projektligj për ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, ku preket përgjithësisht procedura e ekzekutimit të kolateraleve dhe e marrëdhënies së Bankës me Gjykatat dhe me sistemin e Përmbarimit. Janë ndryshime të domosdoshme që duhen bërë, ndihmojnë sistemin bankar.
Dhe së dyti, është një projektligj ku procedura tatimore, që gjendet ende në fazën e përgatitjes, dhe ne e nxisim, pa diskutim nxisim qeverinë që ta sjellë këtë projektligj në Parlament me procedura të përshpejtuara mundësisht, me qëllim që ti japim një vëmendje maksimale të merituar kësaj çështjeje. Është një situatë që në fakt provokohet nga të dhëna statistikore delikate, por ndërhyrja kërkohet të jetë energjike. Dhe nga kjo pikëpamje, të gjitha institucionet e shtetit, klima politike duhet të jetë në vëmendjen e duhur, në lartësinë që kërkon nevoja. Është koha që të dëgjojmë institucionet e pavarura, është koha që të mos injorojmë kërkesat që vijnë për vendimmarrje politike, kështu që në këtë çast ne jemi për ta mbështetur këtë paketë që kërkon Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Natyrisht ne nxisim Bankën e Shqipërisë, në radhë të parë, që të ushtrojë në mënyrë më gjithëpërfshirëse, edhe më të fortë sesa deri më sot, gjithë funksionin, gjithë kompetencat e saj mbikëqyrëse mbi tregun e bankave të nivelit të dytë, me qëllim që siguria e kredisë të jetë edhe më e lartë sesa deri më sot dhe me qëllim që të përmirësohet dhe të çlirohet sistemi bankar nga mbetjet e sistemit aktual të kontabilizimit të kolateraleve. Kështu që, nga kjo pikëpamje roli i Bankës së Shqipërisë është i pazëvendësueshëm. Askush nuk mund të kryejë sot më mirë sesa Banka e Shqipërisë funksionet mbikëqyrëse në këtë treg.
Nga ana tjetër, është me vend të kujtojmë se, edhe baza ligjore aktuale, veçanërisht Kodi Penal ka disa nene që merren me dhënien e kredive në mënyrë të parregullt dhe që gati sa janë harruar. Askush ose pakkush e di që ekzistojnë këto nene sepse pak, për të mos thënë aspak, janë zbatuar nga institucionet e ndjekjes penale. Është me vend që këto institucione të kenë vëmendjen e duhur edhe në zbatimin e këtyre neneve me qëllim që të rritet siguria e kredisë dhe siguria e të gjithë sistemit bankar në tërësi. Nuk është vendi për të bërë komente politike për këtë çështje. Është koha për të dhënë mbështetje. Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet Grupit të saj Parlamentar është e gatshme ta japë këtë mbështetje pa asnjë kusht dhe pa asnjë ekuivok.
Z. Manjani, në pyetjen time do t’i referohem një deklarate të një prej deputeteve të PD-së e cila e ka lidhur lënien e posteve qeverisë të LSI-së me atë të anëtarit të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Keni ndonjë koment në lidhje me këtë deklaratë? Si e shikoni konfigurimin e ri të KQZ-së në rast se do të ketë një të tillë, duke iu referuar edhe pretendimeve që ka ngritur Partia Republikane në lidhje me këtë çështje?
Pikë së pari, sa për konsekuencë të fakteve, Partia Republikane dhe Partia Demokratike kanë një papajtueshmëri në atë që kërkojnë. PR nuk kërkon anëtar të KQZ-së sepse ka pranuar, të paktën në qëndrimet e derisotme zyrtare, standardin që KQZ-ja nuk ka punë me partitë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ndërtuar mbi bazën e një Kodi Zgjedhor konsensual dhe si i tillë partitë politike nuk kanë asnjë punë me axhendën e këtij institucioni, aq më pak me anëtarët e tij të cilët mbrohen me ligj. Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë emëruar në bazë të Kodit Zgjedhor dhe shkarkohen për arsye të ndryshme që janë në nenin 18 të këtij kodi dhe tregohet se si shkarkohen dhe kur shkarkohen. Pra është një çështje tërësisht institucionale dhe juridike dhe nuk ka punë fare politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Politikisht mund t’ju them që Komisioni Qendror të Zgjedhjeve është standardi numër një i garancisë së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kështu që tendenca për të politizuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aq më keq tendenca për ta ndryshuar përbërjen e këtij institucioni është pa diskutim një standard i cenuar i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky është një koment që vjen në mënyrë të natyrshme sepse Komisioni Qendror të Zgjedhjeve funksionon mbi bazën e Kodit Zgjedhor konsensual dhe si i tillë partitë politike duhet vetëm të zbatojnë këtë kod. Do të ketë kohë për debate politike kur të ndërtohen komisionet e nivelit të dytë dhe më poshtë dhe aty do të shikohet se si do të jenë konfiguracionet politike. Tashmë e kemi një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë ndërtuar komisionet e nivelit të dytë. Pra është miratuar formula politike në në qoftë se do të ketë debat mund të ketë për këtë nivel dhe jo për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sepse ky është një standard ligjor, standard kushtetues, standard i gjithë pranuar dhe kush e prek atë do të ketë probleme me zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike në këtë vend.
Nëse kjo gjë nuk ndodh a do të jetë koha e nevojshme dhe a do të cenohet standardi i zgjedhjeve duke pasur parasysh që zgjedhjet janë shumë afër?
Ne nuk të paragjykojmë dhe nuk duam të komentojmë askënd dhe asgjë mbi këtë çështje. Ne besojmë se standardi i ngrirë në Kodin Zgjedhor me konsensus politike, miratuar me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit për një KQZ funksionale dhe jashtë partive do të duhet të vazhdojë deri në përfundimin e zgjedhjeve. Anëtarësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon dhe diskutohet sipas këtij kodi në tetor të vitit 2015. Deri atëherë kemi kohë.