Kryetarja e LGI-së, Esmeralda Demiraj: Parandalimi i dhunës në familje, masat e qeverisë janë vetëm fasadë

Kryetarja e LGI-së, Esmeralda Demiraj: Parandalimi i dhunës në familje, masat e qeverisë janë vetëm fasadë

Sot dua të prekim një plagë të rajonit tonë dhe më gjerë, sikurse është dhuna në bazë gjinore dhe ajo në familje.
Kemi qenë gjatë këtyre viteve dëshmitarë dhe veçanërisht të prekur nga akte të paprecedentë dhune fatale ndaj grave.
Rastet e vrasjes ndaj grave duhet të shërbejnë si fanar kujtese për të gjithë ne, për të mos harruar se lufta jonë me dhunën ndaj grave, nënave, motrave e vajzave tona është ende larg për t’u quajtur e përfunduar!

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intim në Europë. Vetëm në vitin 2023 janë vrarë 11 gra. Dhe viti 2024 ka nisur me vetëvrasjet e femrave nga një grupmoshë shumë e re!

Shifrat e mësipërme tregojnë që dhuna në familje kryesisht ushtrohet nga partnerët, familjarët dhe bashkëshortët të cilët e nisin me dhunë verbale psikologjike e fizike dhe duke degraduar deri në vrasje e në nxitje për vetëvrasje.

Edhe në regjimet komuniste vrasja ka qenë një vepër që dënohej madje dhe me vdekje, kurse në një vend demokratik siguria është e drejtë themelore që duhet të arrihet e plotë.
Të flasësh për dhunën në familje sot, natyrisht të shfaqen shumë sfida sepse së pari mendimi ynë social duhet të ndryshojë.
Shoqëria ka nevojë t’i adresojë dukuritë, që kërcënojnë mbarëvajtjen e saj dhe mirëqenien e saj,

Përpjekjet duhet të përqendrohen në veçanti në krijimin e një ambienti, në të cilën fëmijët duhet të rriten me kujdes, dashuri dhe qasje në shkollim në frymën e edukatës, të lirë nga dhuna dhe steriotipet gjinore.

Një qasje e tillë afatgjatë do të sigurojë zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të vlerave të tjera që ne i ndajmë me civilizimin evropian.
Qeveria duhet të ketë prioritet parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, forcimin e masave për evidentimin, parandalimin dhe trajtimin sa më korrekt rast past rasti, dhe jo vetëm konsolidimi i një kuadri strategjik e ligjor bashkëkohor në përputhje me standardet ndërkombëtare e europiane.

Pasi nuk mund të mjaftohet kjo qeveri vetëm me ndryshimet ligjore të kohëve të fundit, në ligjin për dhunën në familje, të ndryshimeve në kodin penal ndaj ashpërsimit të dënimeve dhe futjen e ndjekjes kryesisht të këtyre veprave, por duhet të investojë në strukturat e posaçme që mbulojnë fushën përkatëse si dhe në fushata sensibilizimi e ndërgjegjësuese në mbarë vendin, pasi rolin e pazëvendësueshëm në këtë fushë e kanë mbajtur shoqëritë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kjo qeveri trumbeton me zë të lartë rolin e policisë, të prokurorisë, bashkëpunimet ndërinstitucionale dhe gjithë strukturat e ngritura për këtë qëllim, dhe në shifrat e saj zyrtare për dhunën në familje.

Situata është alarmante dhe lë për të dëshiruar.

Por këto shifra aktuale zyrtare nuk paraqesin realitetin e dhimbshëm ku ne gjendemi.

Vende të zhvilluara si Franca, Gjermania etj në statistikat e tyre nuk ju referohen vetëm të dhënave zyrtare por të dhënat e tyre pasurohen nga rezultatet që janë produkt i sondazheve profesionale në të gjithë vendin, ndërsa në Shqipëri i referohen vetëm rastet zyrtare në polici apo të gjykatave për urdhërat mbrojtës.

Ku vetëm 10 muajt e parë të vitit 2023 janë marrë rreth 2400 urdhëra mbrojtje për gratë dhe vajzat.

Të gjithë e dimë mjaft mirë së vetëm një copë letër nuk të mbron nga dhunuesi, ku femrat dhe pse me urdhër mbrojtje janë detyruar të bashkëjetojnë me dhunuesit e tyre, ose edhe më keq me urdhër mbrojtje janë vrarë barbarisht në mes të kryeqytetit!

Është e pabesueshme që Shqipëria të ketë të dhëna më të ulta sesa këto vende të zhvilluara, pasi në të kundërt nuk do ishin shqiptarët azilkërkues por anasjelltas.
Aktualisht në vendin tonë ka 16 qendra të përkohshme në nivel qarku dhe bashkie dhe 2 qendra kombëtare, të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme.
Por a janë mjaftueshëm vetëm 2 qendra kombëtare për të gjithë Shqipërinë?
Ne mendojmë se duhet shtuar patjetër numri dhe kapaciteti i tyre!

Ofrimi i ndihmës juridike falas reklamohet si një nga arritjet më të mëdhaja të kësaj qeverie si mbështetje ndaj grave të dhunuara.

Ku vetëm gjatë vitit 2023 kanë qenë 690 viktima të dhunës ndaj familjes që kanë përfituar ndihmë juridike parësore dhe 74 që kanë përfituar ndihmë juridike dytësore.

Pra mendësia e kësaj qeverie nuk është për parandalimin e këtij fenomeni por me fasadën sikur po i mbështet, duke i ofruar ndihmë ligjore falas. Rikujtojmë që ky është fenomen që duhet parandaluar dhe kuruar dhe jo arnuar!

Është koha që të ngrihemi dhe të ndalojmë së pranuari këto lloj sjelljeje si standard, sulmet verbale s’janë të rastësishme, ato janë një model sjelljeje që është e papranueshme, ç’njerëzore dhe përhapin urrejtje.
Indiferenca e çdokujt prej nesh në kuadër të dhunës së ushtruar ndaj vajzave e grave shqiptare është e pafalshme dhe përbën krim në vetvete.

Ne, duhet të jemi promotori kryesor i një kulture që beson në të drejtën e femrave për të jetuar e për t’u trajtuar njësoj si meshkujt, përmes ndërgjegjësimit të burrave e djemve shqiptarë dhe angazhimit e edukimit të tyre në këtë çështje.

Ne shpresojmë në suportin e bashkëpunimin e çdo qytetari të këtij vendi, angazhimi i secilit prej nesh në parandalimin e zvogëlimin e këtij fenomeni!

I bëj thirrje çdo qytetari, çdo gruaje e vajze që përballet me çdo lloj forme të dhunës, t’a ngrejë zërin, t’a adresojë atë pranë instancave përkatëse.

I bëj thirrje sot, çdo qytetari shqiptar, i cili ka dyshimin më të vogël për ekzistencën e këtij fenomeni t’a denoncojë atë në një kohë sa më të shpejtë si detyrim ligjor e moral ndaj çdo femre të dhunuar.

Duhet të bashkohemi të gjithë, të luftojmë për një botë humane, e cila do t’i sjellë rinisë të ardhmen dhe të moshuarve sigurinë.

Pa siguri nuk ka liri.