Kryetari i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta intervistë për median prestigjioze pakistaneze “The Pakistan Daily”: Kemi potencial të madh për bashkëpunim me Pakistanin

Kryetari i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta intervistë për median prestigjioze pakistaneze “The Pakistan Daily”: Kemi potencial të madh për bashkëpunim me Pakistanin

Kryetari i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta, në margjinat e Forumit XI Global të Bakusë dha një intervistë për median prestigjioze “The Pakistan Daily”.

“Pakistani dhe Shqipëria janë dy vende mike me marrëdhënie të mira diplomatike, por ne duhet t’i fuqizojmë më tej këto marrëdhënie duke patur parasysh realitete, rrethana dhe interesa të reja”, tha Meta.

Në veçanti, Kryetari i Partisë së Lirisë theksoi se “kemi një potencial të madh të bashkëpunimit Shqipëri-Pakistan, që ende nuk është shfrytëzuar plotësisht”.

Duke kujtuar takimin e tij në Tiranë me ish-Kryeministrin e Pakistanit, Nawaz Sharif në vitin 1999 gjatë krizës humanitare të Luftës së Kosovës, Meta theksoi se Shqipëria “nuk i harron kurrë miqtë që na ndihmojë në kohë nevoje ndaj i jemi gjithmonë mirënjohës Pakistanit për ndihmën humanitare prej 1 milion dollarësh që dha i Shqipërisë në atë periudhë të vështirë”.

Kryetari i Partisë së Lirisë në këtë intervistë duke i uruar “suksese Qeverisë së Shehbaz Sharifit, sepse Pakistani është një aktor shumë i rëndësishëm global dhe stabiliteti dhe suksesi i tij ndihmon shumë për një botë më të sigurt”, theksoi gjithashtu se “Pakistani dhe Shqipëria mund të bashkëpunojnë në fushat e mbrojtjes, shkëmbimit të inteligjencës dhe bujqësisë, duke zgjeruar gjithashtu lidhjet tregtare”.

Z.Meta u shpreh gjithashtu se Shqipëria mund të jetë një destinacion i përshtatshëm për bizneset pakistaneze në industri të ndryshme, duke përfshirë sektorin e industrisë minierare, energjinë dhe bujqësinë.

Lidhur me islamofobinë, Meta tha se Pakistani dhe Shqipëria mund të bashkohen për të kufizuar përhapjen e ndjenjave anti-myslimane në mbarë botën.

“Shqipëria është një vend i cili është një model i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare, është shumë e rëndësishme që të trajtohet islamofobia përmes bashkëpunimit dhe veprimeve të dukshme që tregojnë përkushtimin e vendeve dhe kombeve për paqe dhe bashkëpunim. Gjithashtu, është e rëndësishme të izolohen terroristët dhe të bëhet e qartë se ata nuk përfaqësojnë shoqërinë dhe popullin tonë dhe se terroristët nuk kanë përkatësi fetare”, tha Meta në intervistën për “The Pakistan Daily”.

Kryetari i Partisë së Lirisë, theksoi gjithashtu se “si një vend anëtar i NATO-s që është gjithashtu pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Shqipëria mund të konsiderohet si një partner potencial strategjik për Pakistanin, veçanërisht në rajonin e Ballkanit dhe Mesdheut”.