Kristian Kina: Vendi po mbetet pa mësues për shkak të shpopullimit dhe keqqeverisjes. Ja propozimet tona për ringritjen e arsimit

Kristian Kina: Vendi po mbetet pa mësues për shkak të shpopullimit dhe keqqeverisjes. Ja propozimet tona për ringritjen e arsimit

Me anë të kësaj konference për shtyp, duke marrë shkas nga një raport i Revistës Monitor, duam të ritheksojmë dhe njëherë këmbanën e alarmit që po bie në sistemin e arsimit shqiptar.

Sipas këtij raporti, kriza demografike po jep pasoja shumë negative në sektorin e arsimit.
Të dhënat zyrtare nga Portali i Mësuesit tregojnë se:

Në Bashkitë e Kukësit dhe Dibrës ka mungesa akute për mësues Matematike, teksa shkollat periferike të vendit po vuajnë për mësues në profilet kryesore.

Në shkollat e arsimit parauniversitar në Bashkinë e Kukësit mungojnë aktualisht 29 mësues Matematike, në Dibër mungojnë 23 mësues Matematike, madje edhe në Tiranë, mungojnë 11 mësues Matematike.

Në të gjithë vendin, arsimi 9-vjeçar dhe i mesëm ushtron aktivitet me 159 mësues Matematike mangët, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit.

Në këtë vit akademik, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, kemi pasur 6 studentë të regjistruar në Kimi, 8 studentë për Fizikë dhe vetëm 18 studentë për Matematikë.

Pra, edhe njëherë, tabloja e plotë paraqitet e tillë:

Aktualisht jemi minus 159 mësues Matematike në të gjithë vendin dhe ndërkohë vetëm 18 studentë të regjistruar në këtë degë.
Dhe duke e menduar konstant këtë numër studentësh të regjistruar, që njëkohësisht thuajse është njëlloj dhe me numrin e mësuesve të Matematikës që dalin në pension në një vit, situata duket sikur NUK do të ketë asnjë ndryshim pozitiv në të ardhmen, por vetëm përkeqësim.
Do të vazhdohet me stilin që lëndën e Matematikës do e zhvillojë mësuesi i Muzikës, i Fiskulturës apo i Vizatimit.

Edhe një instrument pozitiv që qeveria u duk se do të implementonte, që kishte të bënte me stimulimin e degëve Prioritare me bursa financiare për studentët, e denoncuam edhe para një jave sesi ajo rezultoi një mashtrim i madh, ku bursat shpërndaheshin në kuota minimale selektive dhe JO për të gjithë studentët e regjistruar, siç ishte dhe VKM-ja në fakt.

 

Kjo qeveri çdo ditë e më shumë tregon se e urren arsimin dhe përparimin e Shqipërisë.

Shprehja e pavdekshme e Rilindasit të vërtetë Naim Frasheri, kur thoshte:
“…dhe drita e diturisë,
Përpara do na shpjerë”
Për Neorilindasit fake është e panjohur dhe madje bie në kundërshtim me parimet e tyre.

Parimet e vetme të kësaj qeverie kanë të bëjnë vetëm me inceneratorët, tenderat sekretë, rrugët e florinjta dhe koncensionet e majme.

Partia e Lirisë ka një program të shkëlqyer dhe mjaft të detajuar për ringritjen e arsimit shqiptar.

7 propozimet tona janë:

1- Buxheti për Arsimin të jetë 5% e PBB, aq sa e kërkon niveli i Bashkimit Europian.
2. Niveli i pagave të mësuesve të miratohet me shumicë të cilësuar, duke e trajtuar kështu si një profesion prioritar, që meriton një vlerësim prioritar.
3- Kuvendi të vendosë nivel dysheme për financimin e inovacionit. Aktualisht, inovacioni në Shqipëri financohet në masën 0.05% e PBB, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 2.2%.
4- Përveç pagave, gjithashtu me shumicë të cilësuar, duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat dhe politikat arsimore. Për vendime kaq jetike dhe afatgjata për vendin është e domosdoshme dakordësia e të gjithëve.

5-Mësuesia dhe shkenca duhet të konsiderohen degë prioritare. Si rrjedhojë, ato duhen trajtuar me iniciativa dhe praktika që nxisin motivimin e studentëve, duke hequr dorë nga mashtrime të tilla siç ishte ajo me mosfinancimin e studentëve që zgjidhnin degët prioritare që denoncuam.

6- Investime thelbësore në degët e teknologjisë së informacionit.
94% e trupës mësimore sot nuk kanë aftësi dixhitale.
Ky sektor, që është kthyer në sfidë të kohës, kërkon përgatitjen e profesionistëve të zotë.

7- Ne do të kemi një vëmendje të shtuar ndaj Arsimit Profesional.
Ai duhet të jetë domosdoshmërisht në varësi të Ministrisë së Arsimit.
Nevojiten studime të thelluara dhe strategji të reja që harmonizojnë kërkesat e një tregu gjithnjë në zhvillim me profesionistët që përgatisin këto shkolla.
Aktualisht, shkollat profesionale nuk përgatisin të rinj të aftë për të hyrë në tregun e punës direkt pas studimeve.

 

Partia e Lirisë e konsideron arsimin si gurin e themelit të një shteti dhe prandaj është e angazhuar maksimalisht për ta pasur atë Prioritet Kombëtar.