14 Feb Konference shtypi e Kryetarit te LSI-se
Konference shtypi e Kryetarit te LSI-se z.Ilir Meta Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dëshiroj të shpreh vlerësimin për punën e kryer nga Policia e Shtetit në drejtim të luftës kundër krimit të organiziar dhe trafiqeve të paligjshme. Goditja në muajt dhe në javët e fundit të disa grupeve kriminale të njohura është tregues arritjesh të policisë së shtetit përsa i përket aftësisë së saj për të luftuar krimin dhe rritjes së bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Kjo është një arritje edhe në dritën e rekomandimeve të fundit të Kryekomisionerit europian Barroso i cili e përcakton luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë e forcimit të gjithëanshëm të shtetit ligjor dhe si një prioritet shumë i rëndësishëm në axhendën europiane të Shqipërisë. Njëkohësisht dëshiroj të rishpreh gatishmërinë e LSI për ndërtimin e një konsensusi politik për të realizuar një përparim cilësor dhe të dukshëm në reformat që kërkon integrimi i vendit dhe sidomos në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për të zgjidhur njëherë e mirë problemet e të drejtës së pronës për të garantuar dhe konsoliduar më tej lirinë e medias si dhe për të mbrojtur dhe fuqizuar kapacitetet administrative të vendit.
Pyetje
Si e vlerësoni inisiativën e Partisë Socialiste për bashkëpunimin e të gjitha forcave opozitare?
Iniciativën e fundit të PS e vlerësojmë si një reflektim të saj për disa nga problemet kryesore që ka ngritur LSI në mënyrë te vazhdueshme por njëkohësisht edhe forca të tjera opozitare. Ne e shohim pa paragjykime si një hap pozitiv dhe realist në njohjen e realitetit politik në vend. Por dëshiroj të theksoj rëndësinë e madhe të bashkëpunimit për të përpunuar dhe për të konkretizuar një platformë bashkëpunimi të të gjithë forcave opozitare e cila të përmbajë në mënyrë të qartë të gjitha garancitë për suksesin e një bashkëpunimi të tillë. Ne jemi të interesuar dhe të vendosur që të kontribuojmë për reformimin e vetë të majtës për rritjen e besueshmërisë të opozitës së sotme në veçanti duke shprehur vullnetin politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të mbështetur të gjitha reformat që kërkon proçesi i integrimit europian të vendit.
Njëkohësisht ne jemi mjaft të vendosur që të bashkëpunojmë dhe të kontribuojmë për një reformë zgjedhore e cila garanton përfundimisht dhe në mënyrë të pakontestueshme zgjedhje të ndershme dhe të lira në vend. Pa asnjë diskutim ne jemi të vendosur të kontribuojmë për fitoren e së majtës e të opozitës sa më shpejt si në zgjedhjet vendore që po afrojnë ashtu edhe në zgjedhjet e përgjithëshme të cilat sikurse e dini i dëshirojmë të parakohëshme. Kjo jo si një rezultat i dëshirës sonë për të destabilizuar
vendin por si rezultat i bindjes sonë se ky është një parlament mjaft i deformuar. Dhe sa më shpejt të vendoset legjitimiteti i sovranit të popullit aq më i qëndrueshëm do të jetë i gjithë proçesi demokratik në vend dhe zhvillimi ekonomik dhe social i vendit.
A mendoni se platforma e shpallur nga Rama synon të shmang ndikimin e Fatos Nanos dhe përkrahësve të tij në Partinë Socialiste?
Ne nuk i shohim mundësitë për bashkëpunim midis forcave të majta apo forcave opozitare në përgjithësi si një mundësi për të shmangur ndikimin e njërit apo tjetrit në Partinë Socialiste apo edhe në forca të tjera politike. Përkundrazi mendoj se një platformë apo një dokument bashkëpunimi i forcave politike të opozitës duhet të synojë në integrimin e të gjithë forcave politike dhe gjithë faktorëve dhe aktorëve të tyre pasi jam i bindur se opozita ka nevojë për një mbështetje sa më të gjerë nga të gjitha forcat politike nga të gjithë aktorët politikë nga të gjithë deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë.
A ka patur zëra ndryshe në LSI lidhur me këtë platformë?
Qëndrimi i zotit Xhufi ka qenë dhe është qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sigurisht që ne nuk censurojmë asnjë anëtar të LSI që të shpreh mendimet apo nuancat e tij. Njëkohësisht ne dokumentin e paraqitur mbrëmë nga ana e Partisë Socialiste do ta shohim dhe do ta diskutojmë në forumet tona drejtuese. Unë nuk bëra këtu komente për përmbajtjen e këtij dokumenti. Ai mund të lërë mjaft për të dëshiruar por vlerësova aktin politik si shprehje e një vullneti pozitiv dhe si një reflektim. Përsa i takon një dokumenti përfundimtar kuptohet që do të jetë rezultat i konvergjencës të kontributeve të të gjithë forcave politike apo i aktorëve të opozitës së sotme. Do të jetë rezultat i bisedimeve i diskutimeve dhe kështu me rradhë.
Si e gjykoni inisiativën e shprehur në PS në këtë platformë për reformën zgjedhore?
Disa nga çështjet që prek inisiativa e fundit e shpallur nga ana e Partisë Socialiste janë reflektim i disa nga çështjeve që LSI por edhe forca të tjera të opozitës kanë ngritur në mënyrë të vazhdueshme. Përderisa ka një angazhim parimor për një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të ndershme dhe të lira për të eleminuar deformimin e votës së qytetarëve shqiptarë nëpërmjet fenomenit të Dushkut sigurisht që ne nuk mund të mos e vlerësojmë. Kjo është një nga kërkesat tona kryesore por jo thjesht si LSI. Mendoj se është një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar e raportit të OSBE/ODIHR-it e forcave të tjera politike e vetë qytetarëve shqiptarë. Në rast se në këtë dokument shprehet një vullnet për të luftuar dhe kontribuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pa asnjë diskutim që kjo është një nga kërkesat tona të vazhdueshme dhe një nga prioritet kryesore për integrimin europian të vendit si dhe një nga shkaqet që nuk u mbyll Marrëveshja e Asocim-Stabilizimit përpara zgjedhjeve t&
euml; 3 Korrikut. Në rast se në këtë dokument vlerësohen disa nga shkaqet e daljes ne opozitë të PS – pavarësisht se janë sipas një këndvështrimi të caktuar- ne nuk mund të themi se nuk ka një reflektim për këto probleme. Por natyrisht sikurse e nënvizova edhe më pare mbetet mjaft punë për të arritur në një dokument të përbashkët i cili do të duhet të integrojë të gjitha kontributet. Dhe mbi të gjitha përveç përmbajtjes së dokumentit është një element po kaq i rëndësishëm materializimi i këtij dokumenti nëpërmjet garancive konkrete se një bashkëpunim i tillë nuk do të shpërdorohet më për interesat e një grupi të caktuar apo të një force të caktuar politike. Pra një marrëveshje që rrit garancitë jo thjesht ndërmjet forcave të opozitës me njëra-tjetrën -pasi dihet që ende ka një mungesë të madhe besimi- por mbi të gjitha midis opozitës dhe qytetarit elektoratit dhe interesave të vendit.
Në këtë platformë mendoni se po shkohet drejt
bashkëpunimit apo drejt bashkimit të opozitës?
Sigurisht që një dokument i tillë do të synonte drejt bashkëpunimit me synim në një plan afatshkurtër jo vetëm ndërtimin e një opozite të besueshme dhe premtuese për shqiptarët dhe për axhendën europiane të vendit. Gjithashtu në një plan afatshkurtër për fitoren në zgjedhjet vendore dhe njëkohësisht në një plan tjetër – që përsëri dëshiroj që të jetë afatshkurtër – në fitoren e zgjedhjeve të përgjithëshme dhe në ndërtimin e një parlamenti plotësisht legjitim dhe të pakontestueshëm dhe të një qeverie të aftë për të bërë reformat që kërkon zhvillimi i vendit.
Zoti Meta çfarë nënkuptoni dhe çfarë do ti kërkoni PS në luftën kundër korrupsionit?
Përsa i takon luftës kundër korrupsionit në dokumentin e bere publik nga ana e PS ka disa elementë të cilët flasin për këtë aspekt dhe këtë prioritet. Ne besojmë se një dokument i plotë dhe përfundimtar do të ketë strukturuar qartë vullnetin tonë politik për të bërë një luftë pa kompromis dhe jo thjesht për qëllime elektorale apo demagogjike. Dhe në këtë drejtim padyshim që do të na duhet që të diskutojmë me të gjithë forcat e tjera politike. Ndërsa përsa i takon raporteve konkrete mendoj se gjithçka ka të bëjë me njohjen e peshës reale të secilës nga forcat politike të opozitës dhe me vendosjen e një partneriteti i cili garanton transparencë dhe një kohezion që ndihmon opozitën për të rritur dimensionet e saj elektorale.
Zoti Meta si e vlerësoni takimin në Shqipëri të përfaqësuesve të komuniteteve etnike të Kosovës?.
E vlerësoj një aktivitet të tillë si shenjë e emancipimit dhe përqafimit të një perspektive realiste për të ardhmen e tyre për një bashkejetesë në një Kosovë multietnike demokratike e evropiane.
Organizimi i një aktiviteti të tillë në Shqipëri është tregues i rolit konstruktiv që ka luajtur Republika e Shqipërisë ndaj Kosovës në drejtim të krijimit të një shteti ku të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe jetojnë në siguri e në paqe me njeri tjetrin.
0x323030362d30332d3238