Konferenca për shtyp e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta

Konferenca për shtyp e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta

30012013

Është kënaqësi që, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të përshëndes nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes ndërqeveritare të bashkëpunimit mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, në kuadër të projektit TAP. Ky është një moment historik për Shqipërinë, sepse tashmë vendi ynë ka mundësi të bëhet pjesë e hartës botërore të gazit, duke diversifikuar burimet e tij energjetike dhe duke qenë i gatshëm për investime të reja në gazifikimin e tregut shqiptar. Patjetër që ky revolucion energjetik do të thotë rëndësi dhe peshë shumë më e madhe gjeostrategjike, politike, ekonomike dhe rajonale.

Me realizimin e projektit TAP do të bëhet i mundur furnizimi i gazit për nevojat e vendit dhe përdorimi i tij për të gjitha industritë dhe mbi të gjitha, në një kohë afatmesme, për të gjithë ata konsumatorë familjarë të cilët do të kenë si burim alternativ energjie, për të kursyer nga buxheti i tyre familjar, pikërisht gazin për të përmbushur nevojat e ngrohjes dhe të gatimit. Gjej rastin të përgëzoj qeverinë dhe në veçanti Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë në këtë proces dhe rolin e rëndësishëm për finalizimin e kësaj marrëveshjeje. Njëkohësisht dua të bëj apel për të gjitha partitë politike, të cilat duhet të lënë mënjanë konfliktet dhe axhendat e tyre të ngushta për të kontribuar së bashku në mbështetjen e projekteve strategjike, të cilat shkojnë përtej një mandati qeverisës dhe që kanë impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët, qoftë përmes mijëra vendeve të punës që ky projekt do të krijojë apo përmes hapjes së qindra bizneseve të reja dhe në finale të uljes së kostos së jetesës për të gjithë qytetarët tanë.

Kjo është një ditë për të cilën të gjithë duhet të jemi krenarë, pavarësisht ndasive politike sepse sot Shqipëria shikohet nga kompanitë më prestigjioze si një vend me stabilitet politik dhe ekonomik dhe me potenciale investimesh. Sot Shqipëria shikohet si një partner serioz në projekte strategjike edhe për vetë Bashkimin Europian siç është edhe projekti TAP si dhe si një faktor i rëndësishëm rajonal. Pa dyshim që kjo autostradë e gazit do të përshpejtojë ritmin e zhvillimit ekonomik të vendi por edhe do të shërbejë edhe si premisa më e mirë t’i afruar ekonomikisht akoma edhe më shumë vendet tona dhe për më tepër aspiratat e shqiptarëve për tu bërë pjesë e familjes evropiane. Ky është një moment reflektimi për të gjithë klasën politike për të krijuar një klimë më bashkëpunuese midis forcave politike, sa herë që bëhet fjalë për një axhendë kombëtare të zhvillimit dhe njëkohësisht për axhendën e integrimit evropian. Sot kemi rastin ta dëshmojmë këtë në interesin më të mirë të qytetarëve tanë.

Z. Meta, ju keni zhvilluar gjatë fundjavës së kaluar një vizitë në Itali. Përveç takimeve me liderët vendas, a keni pasur ndonjë takim me politikanë shqiptarë?

Nuk e kam pasur këtë mundësi. Ka qenë një vizitë e shpejt dhe e shkurtër. Ka qenë një takim me komunitetin tonë të emigrantëve që jetojnë në qytetin Bra dhe në Alba të Piemontes.

Përsa i përket koalicioneve, ju keni deklaruar se do ta vendosi Konventa Kombëtare e LSI, ndërkohë që kemi pasur edhe një deklaratë të kreut të Grupit Parlamentar Demokrat, z. Patozi, i cili ka konfirmuar aleancën me partinë tuaj. A do të kemi një aleancë dhe si do ta konsideronit ju deklaratën e z. Patozi?

Unë besoj se prioriteti imediat për të gjithë forcat politike, sidomos për ato parlamentare e në veçanti për Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, e natyrisht edhe për LSI-në, është miratimi i dy ligjeve dhe i projekt-rregullores, në mënyrë që brenda muajit prill komisioni të ketë mundësi të paraqesë një raport pozitiv për të kërkuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

Po përsa i përket ndonjë koalicioni të mundshëm, me z. Dule, a keni dërguar ju ndonjë ftesë ndaj tij për të formuar atë që quhet ‘poli i tretë’?

Ne kemi komunikim shumë të mirë me të gjitha forcat politike në vend, sidomos me parlamentare, dhe do të vazhdojmë të ecim në rrugën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit me të gjithë aktorët në Parlament, sidomos përsa i takon reformave që duhen realizuar për integrimin europian. Por, njëkohësisht e theksoj është e rëndësishme të arrijmë një konsensus edhe për një axhendë kombëtare të zhvillimit afatgjatë dhe strategjik të vendit. Ndaj dhe duke përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes midis Shqipërisë, Italisë e Greqisë për projektin TAP, gjej rastin të theksoj se më e rëndësishme për qytetarët shqiptarë është një e ardhme më e mirë ekonomike e sociale për to dhe partitë duhet të jenë në funksion të kësaj aspirate e cila e nënvizoj, sipas bindjes time, realizohet më mirë dhe në mënyrë më të shpejt dhe më të sigurt në kuadrin e gjithë përshpejtimit të procesit të integrimit evropian për vendin tonë

Eurodeputetja Lunaçek është shprehur e shqetësuar një ditë më parë në lidhje me deklaratat e qeverisë shqiptare për të dhënë shtetësinë shtetasve kosovarë dhe për t’i dhënë pasaportën shqiptare. A e mbështet LSI këtë nismë?

Për ne më e rëndësishme është që gjithë qytetarët e Kosovës të përfitojnë sa më shpejtë të drejtën për të udhëtuar pa viza drejt vendeve të Bashkimit Europian , ndërsa për çdo hap që qeveria shqiptare do të duhet të ndërmarrë në këtë drejtim natyrisht që ajo do të duhet të konsultohet ngushtë edhe me Bashkimin Europian, ndaj të cilit ka detyrimet e saj .

Zoti Meta keni ndonjë koment lidhur me deklaratën e fundit të zotit Selami i cili tha se koalicioni PD-LSI, edhe pse ishte i kushtëzuar, ka rezultuar i suksesshëm dhe a mund të thotë gjë kjo për koalicionin e ardhshëm të LSI-së në zgjedhjet e 2013 .

Kam vlerësim të hershëm për zotin Selami dhe mendoj që një rikthim i tij në politikën shqiptare do të ishte diçka mjaft pozitive duke pasur në konsideratë mesazhet e tij gjithmonë të përmbajtura dhe të përgjegjshme sepse politika shqiptare ka nevojë për politikanë të përgjegjshëm dhe që dinë të venë veten e tyre në funksion të prioriteteve që ka vendi në radhë të parë.