17 Nov Konferenca për shtyp e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili
Vasili: Shqyrtimi në parim i projektit të buxhetit të ri të vitit 2015 është një moment shumë i rëndësishëm sepse materializohet qëndrimi i mazhorancës në mënyrë të drejtpërdrejtë në raport me qytetarin.
Vasili: Është e pavend që opozita i mungon këtij debati të madh që është kryedebati i politikës shqiptare.
Vasili: Është po aq e rëndësishme detyra e të qeverisurit, sikurse edhe detyra e të bërit opozitë, sepse kritika ndaj qeverisjes, oponenca ndaj saj siguron edhe përgjegjshmërinë e qeverisjes, por siguron dhe formësimin e alternativave të tjera politika të cilat luftojnë që në garat elektorale të jenë ato që do të donin të fitonin
Vasili: Të gjithë ndjehemi më mirë kur kemi debat dhe oponencë ndaj njëri-tjetrit sepse sigurisht të pagabueshëm në këtë botë nuk ka.
Vasili: Është buxheti i një viti i cili shënjon një orientim drejt një ekonomie tërësisht më të qëndrueshme, të qartë dhe krejtësisht më të kthjellët në rrugën e saj.
Vasili: Projektbuxheti nuk ushqen iluzione të gjera dhe të pamundura, të parealizueshme të atyre që quhen “ëndrra elektorale”.
Vasili: Tregon një buxhet të orientuar drejt objektivave që realizojnë rritje ekonomike dhe punësim të dukshëm.
Nesër siç është e njohur në opinionin publik, Parlamenti do të marrë në shqyrtim një nga projektligjet e tij më të rëndësishëm që shënjon gjithë veprimtarinë e tij vjetore parlamentare dhe pikërisht shqyrtimi në parim i projektit të buxhetit të ri të vitit 2015.
Absolutisht është një moment shumë i rëndësishëm sepse në fund të fundit, materializohet qëndrimi i mazhorancës në mënyrë të drejtpërdrejtë në raport me qytetarin.
Është ballë për ballë mazhoranca me publikun për mënyrën dhe filozofinë e saj se si ajo do të trajtojë taksat e shqiptarëve për t’i kthyer ato në të mira materiale dhe në një raport më pozitiv të saj lidhur me buxhetin e familjeve shqiptare. Ndaj si i tillë, ai do parë dhe duhet vlerësuar maksimalisht.
Është sigurisht një buxhet kyç sepse është buxheti i një viti i cili shënjon një orientim drejt një ekonomie tërësisht më të qëndrueshme, të qartë dhe krejtësisht më të kthjellët në rrugën e saj pas një viti 2014, ku për një mijë arsye të trashëguara, tepër delikate dhe të rëndësishme, u detyrua që të konsiderojë një buxhet edhe me elementët e emergjencës për arsye dhe të gropës ekonomike financiare e cila shënjonte dhe sjelljet e qeverisë dhe të buxhetit.
Dhe pikërisht për këtë arsye u konsiderua një buxhet urë , pra për të kaluar drejt procesit të rimëkëmbjes dhe për të mundësuar pra që të vinim me një buxhet për vitin 2015 i cili rikthen dukshëm edhe besimin, por njëkohësisht orienton plane afatmesme dhe afatgjata shumë më të mirëbazuara dhe të mirëorientuara.
Normalisht, jemi sigurisht sot më të qetë në hartimin këtij projektbuxheti sepse viti që lëmë pas në ushtrimin e buxheti të mëparshëm ka marrë një sërë vlerësimesh të njëpasnjëshme nga aktorët më të rëndësishëm të financave botërore të cilët kanë thënë me pak fjalë, që rruga e zgjedhur është rruga e duhur dhe në atë rrugë duhet ecur.
Ka rëndësinë e tij dhe këtu besoj se duhet të ndalemi dhe shqiptarët duhet ta kenë mirë parasysh këtë gjë që kalojmë në një buxhet të orientuar drejt objektivave, e lëmë pas buxhetet me fragmentarizim të madh të cilët synonin të krijonin, gjithmonë me më shumë ato të ashtuquajturat “iluzione elektorale”, pra shpërndarjen me dhjetëra e qindra copa, buxhete të vogla, të cilët nuk arrinin të kishin një fond asnjëherë të mjaftueshëm, por përkundrazi përkeqësoheshin dhe mbeteshin mes rrugës duke humbur edhe vlerën fillestare.
Shkojmë drejt një buxheti të ri i cili orientohet me objektiva në punë që fillohen dhe mbarohen por njëkohësisht në punë që realizojnë standarde të reja në realizimin e tyre. Natyrshëm kjo trase e qartë e orientuar tashmë, qoftë me qëndrimin ndaj detyrimeve të prapambetura nga njëra anë dhe orientimit të politikave të qëndrueshme nga ana tjetër, e bëjnë të mundur përfundimisht të kemi një buxhet i cili na eviton dhe na largon nga çdo lloj aventure të karakterit ekonomik. Por na bën që të kemi një buxhet me një dimension shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm që është dimensioni realist i tij.
Dhe ky dimension siguron pra që shqiptarët të kuptojnë fare mirë çfarë gjëje të dobishme presin nga ai.
Sigurisht nuk ushqen iluzione të gjera dhe të pamundura, të parealizueshme të atyre që quhen dhe vetëm “ëndrra elektorale”, por thotë qartë edhe prerë që këto objektiva madhorë janë këtu dhe duhet të shkojnë këtu.
Vite të tjera do të kenë zhvillime të tjera sepse për herë të parë buxheti shoqërohet edhe me kolonat e pritshmërisë së tij 2016-2017 dhe secili politikan apo qytetar lexon fare mirë se cila do të jetë rruga në të ardhmen dhe çfarë na pret në vitet në vijim që sigurisht përbëjnë në vetvete një dimension afatmesëm të shtrirjes buxhetit dhe të objektivave që do të realizojë mazhoranca deri në fund të 2017-s.
Është shumë e rëndësishme që në disa sektorë madhorë, duke mbetur infrastruktura një prioritet i qeverisë dhe kjo është një gjë shumë pozitive sepse infrastruktura sigurisht do të thotë zhvillim, por njëkohësisht orientimi i saj në mënyrë të veçantë në zonat me probleme delikate, por në mënyrë të veçantë, akoma më shumë, në zonat me prioritet turistik duke i dhënë atyre një vlerë ekonomike të shtuar, tregon një buxhet të orientuar drejt objektivave që realizojnë rritje ekonomike dhe punësim të dukshëm.
Është për t’u shënuar besoj nga ato që janë elementët delikatë, rritja e subvencioneve për bujqësinë që është një element financiar i rëndësishëm që jetëson paketën e integruar për bujqësinë, paketë e cila do të shënjojë ndryshime të rëndësishme të cilat kanë filluar që të jenë të dukshme në bujqësi dhe në politikat bujqësore, dhe njëkohësisht efekti i tyre shtrihet në mijëra fermerë, por dhe me efekte ekonomike të cilat sa i takon eksporteve mundësojnë rritje të rëndësishme, të qëndrueshme duke u bërë pjesë e tregut ndërkombëtarë, por duke i dhënë njëkohësisht përgjigje elementit të papunësisë dhe të varfërisë në një zonë shumë të gjerë, siç është zona bujqësore, të cilat kanë rreth 48-50 për qind të punësimit të vendit. Duke patur një buxhet subvencioni gati dyfishin e atij të realizuar në vitin 2014, do të thotë që ka një përgjigje drejt një prioriteti madhor.
Sigurisht, shtesat e buxhetit të vërejtura në arsim dhe në shëndetësi si dy sektorë të rëndësishëm me vlerë të jashtëzakonshme sociale, janë provë që prioritetet e shënjuara më parë kanë dhe mbështetjen e tyre financiare.
Pra nuk mbeten thjesht prioritete deklarative, por janë prioritete të cilat jetësojnë ecjen e tyre përpara me paratë që buxheti i shtetit dhe të taksapaguesve shqiptarë shkojnë atje ku është edhe problematika kryesore. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për energjinë dhe për sektorë të tjerë të cilët mbeten gjithsesi sektorë prioritarë.
Një nga elementët e rëndësishëm të buxhetit, sikurse është vërejtur, është edhe shtimi i fondit për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë. Buxheti duke pasur shpenzime më shumë se sa të ardhura, të cilat shkojnë për këta sektorë delikatë, ruan fytyrën e tij të fortë sociale e cila orientohet
drejt shkuarjes në këtë drejtim.
Sigurisht procesi në të cilin u ndërtua diskutimi i projektbuxheti besoj se ka rëndësinë e tij më të madhe. Mazhoranca u përfshi në këtë diskutim me përgjegjshmërinë maksimale dhe diskutoi e debatoi për çdo zë dhe për çdo element të buxhetit duke riorientuar vendosjen e çdo paraje publike sa më mirë që të ishte e mundur dhe sa më shumë që të ishte e mundur në vendin e duhur.
Është e qartë dhe e padiskutueshme që debati do të ishte më i plotë dhe s’mund të jetë krejtësisht i plotë pa praninë dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të opozitës, si e ngarkuara nga votat e shqiptarëve për të bërë debatin dhe kritikën, sigurisht konstruktive të buxhetit, dhe është e pavend që opozita i mungon këtij debati të madh që është kryedebati i politikës shqiptare.
Mazhoranca dallojnë nga njëra-tjetra nga filozofia që ato kanë. Sigurisht e majta ka një filozofi të majtë dhe e djathta ka një filozofi të djathtë dhe ku Parlamenti është vendi ku këto dy filozofi maten, debatojnë, bëjnë garë me vetveten dhe gjithsesi në të gjitha rastet janë shqiptarët ata që vendosin se kush ka të drejtë.
Në mënyrë të padiskutueshme besoj se është vendi për ta thënë dhe rithënë, dhe ne kemi pasur mundësi që po nga kjo sallë të nënvizojmë që Parlamenti shqiptar nuk është dhe nuk ka për të qenë asnjëherë pronë e deputetëve.
Parlamenti është pronë e popullit, deputetët janë përfaqësuesit, ata që populli i ka dërguar atje për t’i përfaqësuar dhe detyra në mazhorancë apo në opozitë nuk është njëra më e madhe dhe tjetra më e vogël. Është po aq e rëndësishme detyra e të qeverisurit, sikurse edhe detyra e të bërit opozitë, sepse kritika ndaj qeverisjes, oponenca ndaj saj, oponenca konstruktive dhe me fakte, apo dhe me përplasje alternativash siguron edhe përgjegjshmërinë e qeverisjes, por siguron dhe formësimin e alternativave të tjera politika të cilat luftojnë që në garat elektorale të jenë ato që do të donin të fitonin.
Mendoj që opozita shqiptare, e cila ka në vetveten e saj kualitete politike të cilat nëpërmjet qeverisjes janë investuar po nga taksapaguesit shqiptarë që të kenë një nivel politik, që të kenë drejtues, ministra, zv/ ministra, drejtues komisionesh parlamentare etj, ky investim i madh publik i bërë dhe besimi tek ta është bërë që ai t’i rikthehet në sallën e Parlamentit me kualitetin e debatit të tyre.
Çdo mungesë e cenon debatin, cenon qeverisjen, por njëkohësisht nuk realizon edhe besimin e shqiptarëve të cilët i kanë votuar , jo pak për të pasur zërin e tyre ndryshe apo kritik, oponencën apo debatin e tyre në sallën e Parlamentit.
Kështu që mendoj se opozita sado që të përpiqet që nëpërmjet rrugëve të tjera alternative t’i shmanget, salla e Parlamentit është rruga e pashmangshme e saj nëse ajo do të jetë korrekte me ato mijëra vota të cilat elektorati ia ka besuar asaj.
Dhe dita e nesërme, ku në parim diskutohet, orientohet projektbuxheti sepse sigurisht do të ketë një debat tjetër shumë intensiv dhe sa i takon diskutimit nen për nen dhe ku debati për to mund të çojë në mënyrë të pashmangshme dhe në përmirësime eventuale, të domosdoshme që buxheti mund të ketë nevojë. Por gjithsesi , në të gjitha rastet opozita ka detyrën dhe vendin që ta bëjë këtë gjë në Parlamentin e Shqipërisë.
Dikush mund të mendojë se në momentin që opozita vjen në Parlamentin e Shqipërisë veprimi parlamentar i saj mbaron atje. Asnjë nuk e ndalon opozitën që të ketë disa axhenda, axhendën e komunikimit të saj me qytetarët një zgjedhje plotësisht e saj, axhendën e komunikimit në tavolinat që ajo e mendon, plotësisht në të drejtën e saj, por asnjë nga këto nuk mundet dhe nuk zëvendëson dot as detyrimin elektoral, por edhe detyrimin kushtetues për ta bërë këtë në sallën e Parlamentit.
Të gjithë ndjehemi më mirë kur kemi debat dhe oponencë ndaj njëri-tjetrit sepse sigurisht të pagabueshëm në këtë botë nuk ka. Edhe mazhoranca mund të gabojë, por edhe opozita mund të gabojë. Asnjë nuk ka monopolin e së vërtetës absolute apo të mosgabimit absolut. Debati është ai që kthjellon dhe e evidenton qartë se kush ka të drejtë dhe kush nuk ka të drejtë.
E megjithatë e thënë e gjithë kjo është një çështje që ne jemi këtu për të shprehur qartë dhe prerë që ky është vizioni ynë dhe kështu mendojmë ne për opozitën. Pra ne nuk kemi një vizion përjashtues dhe që të jemi të lumtur që opozita nuk ndodhet në sallën e Parlamentit.
Është pikërisht e kundërta. Mendojmë krejtësisht ndryshe. Prandaj mazhoranca edhe brenda vetes debaton për çdo nen, për çdo element dhe për çdo lek të taksapaguesve.
Megjithatë , mazhoranca ka detyrën kushtetuese që të ecë përpara. Ky buxhet me ketë filozofi të re është një garanci e re qëndrueshmërie ekonomike dhe besoj se nuk do të kemi asnjë hezitim për të ecur në këtë rrugë sepse në fund të fundit, sjelljet e përgjegjshme politike, në mënyrë të veçantë në politikat ekonomike, janë edhe fytyra e vërtetë dhe e seriozitetit të një mazhorance , por më shumë se një mazhorance, të një shteti vetë siç është Shqipëria dhe pozicioni që ajo ka në raport me shqiptarët në radhë të parë, por edhe në raport me rajonin ku ajo bën pjesë.
Kështu që besoj se dita e nesërme do jetë një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë për të projektuar atë që është vizioni i vërtetë i mazhorancës. Pas 2014-s së vështirë dhe problematike vijmë në një buxhet me një vizion shumë më të qartë edhe për të ardhmen e tre viteve që vijnë, por njëkohësisht natyrshëm pritet dhe është e mirëpritur dhe kështu duhet të ishte, që edhe opozita të jetë atje dhe të bëjë edhe ajo siç duhet detyrën e saj. Ju Faleminderit