06 Oct Konferenca për shtyp e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili
Jemi në këtë komunikim me ju pas një aktiviteti shumë të rëndësishëm, siç është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila u mbajt në Strasburg, dhe që konkludoi me një rezolutë të një periudhe të gjatë monitorimi të Shqipërisë, monitorim që fillon që nga viti 2008 e deri më sot.
Pra, një monitorim i gjerë i cili e ka vlerësuar Shqipërinë në tërësinë e kronologjisë politike dhe shoqërore të saj, duke e shtrirë këtë vëzhgim pavarësisht nga mazhorancat të cilat e alternuan njëra-tjetrën në vitin 2013.
Pra, ka vlerësime të cilat u takojnë një periudhe të gjatë të mazhorancës së mëparshme dhe një periudhë të caktuar ku drejton mazhoranca aktuale.
Është shumë e rëndësishme të theksojmë se pas një vlerësimi disavjeçar, mund të thuhet që ishte një nga monitorimet më të gjerë që është bërë për ndonjë vend tjetër në Evropë, konkluzioni themelor ishte që Shqipëria sipas amendamenteve të konkorduara me reporterët e të propozuar nga znj. Leskaj, nga unë si anëtar i delegacionit dhe mbështetur edhe nga europarlamentarë të tjerë, u konkludua që Shqipëria ishte dhe është një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon. Së dyti nënvizohet edhe një arritje madhore, e cila u evidentuar edhe nga të gjithë diskutantët, pavarësisht grupeve politike që i përkisnin, të majtë apo të djathtë, që statusi i vendit kandidat ishte një arritje e shënuar si dhe një vlerësim tërësor i mjaft hapave përpara që Shqipëria ka bërë dhe po bën në rrugën e reformave dhe të demokratizmit të vendit.
Sigurisht u nënvizuan edhe hapat e ndërmarrë në luftën kundër korrupsionit, në përmirësimin e situatës në burgje, në adaptimin e disa rezolutave të rëndësishme për të drejtat e njeriut siç ka qenë Rezoluta Kundër Dhunës në Familje etj.
Njëkohësisht në mënyrë të veçantë nga diskutimet u evidentua që zgjedhjet e fundit, ato të 2013-s, kalimi paqësor i pushtetit, konkluduar më pas me statusin e vendit kandidat kanë qenë prova të rëndësishme që procesi i demokratizimit të në Shqipëri ecën në rrugën e duhur dhe ku mjaft hapa të rëndësishëm kanë bërë që Shqipëria të vazhdojë të jetë një vend demokratik, i evropianizuar dhe që përballet me sfida dhe vështirësi të reja por ka përqafuar atë që është qëndrimi i duhur lidhur jo vetëm me politikën e brendshme por edhe atë të jashtme.
Një nga elementët që u nënvizua gjerë e gjatë në deklaratë në mënyrë specifike por edhe nga diskutantët, e theksoj pavarësisht përkatësisë politike, ka qenë pikërisht çështja e bojkotimit të parlamentit që opozita ka marrë si vendim. Të gjitha qëndrimet ishin të unifikuara për një rishikim të këtij vendimi nga ana e opozitës si një veprim më i pranueshëm për të vazhduar atë që quhet jeta normale politike në një vend e cila kryhet në radhë të parë në Kuvendin e Shqipërisë.
Ne në diskutimet tona me reporterët por edhe me mjaft personalitete atje konfirmuam dhe konfirmojmë edhe një herë edhe në praninë tuaj që mazhoranca ka të njëjtin vullnet, të njëjtën dëshirë dhe të njëjtën bindje të palëkundur që bashkëjetesa me opozitën është dimensioni normal i demokracisë që ne po ndërtojmë.
Sigurisht që mazhoranca është e gatshme të krijojë të gjitha hapësirat e kërkuara nga opozita, ndonëse asnjëherë nuk ka pasur mungesë vullneti për këto hapësira por gjithsesi rivlerësimi i tyre është gjithmonë me vend.
Opozita duhet t’i përdorë këto hapësira të cilat janë krijuar dhe do të krijohen të tjera sigurisht që në bazë të kërkesave specifike që opozita do të ketë.
Ky vullnet i pandryshuar do të vazhdojë të na udhëheqë edhe më tej, aq më shumë që kjo theksohet edhe tek rezoluta, e cila nuk është thjesht një deklaratë por një notë që i vihet Shqipërisë në një periudhë thuajse 6-vjeçare, e cila është një periudhë e gjatë dhe e rëndësishme në demokracinë shqiptare, në pluralizmin shqiptar. Në fund fare konkluzioni i madh dhe logjik është konsensusi.
Sigurisht që edhe në këtë çështje ka pasur edhe një amendament të përbashkët të të gjithë delegacionit, më mirëkuptim të përfaqësuesve e së majtës unë dhe znj. Leskaj por edhe z. Bylykbashki, mbështetëm një përmirësim në rezolutë ku përcaktimi “zgjidhjet konsensuale” të ishte një nga lajtmotivet e ecjes përpara të Shqipërisë ku mazhoranca dhe opozita, në raport me ato që Kushtetuta përcakton marrin përgjegjësi të përbashkëta për të ardhmen e vendit.
Ndaj mendoj që në dritën e një zhvillimi të tillë kaq të rëndësishëm opozita dhe mazhoranca kanë detyrën të rishikojnë konsensusin dhe mirëkuptimin si një përgjigje të madhe që duhet dhënë sa më parë, e cila nuk është një çështje që kënaq opozitën apo mazhorancën, apo kryetarët e partive politike përkatëse, por është një mënyrë për të shpejtuar dhe intensifikuar ritmin e reformave të cilat kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me fatet e qytetarëve shqiptarë. Çdo reformë e munguar, çdo reformë jo në kohën e duhur, do të thotë investimet më pak, do të thotë shërbime më pak dhe do të thotë gjithmonë e më shumë jo të lumtur në vend të sfidës së përbashkët që mazhoranca dhe opozita kanë, si dy pjesë të politikës shqiptare, për të çuar përpara vendin.
Kështu që besoj se kjo është një shtysë e re e paneglizhueshme për arsye të peshës dhe të rëndësisë së jashtëzakonshme politike që ka Asambleja e Këshillit të Evropës, një institucion kyç në politikën evropiane, njëkohësisht edhe një monitorues i kujdesshëm i Shqipërisë dhe monitorimet e të cilës do të kenë peshë të rëndësishme edhe në ecurinë e mëtejshme që nga statusi aktual i vendit kandidat e deri në procesin për hapjen e negociatave për anëtarësim, pra kur nota dhe vlerësimi i tyre do të jetë shumë influent edhe në këtë sfidë të ardhshme të Shqipërisë dhe ku dhënia e një përgjigjeje të rëndësishme të ecurisë konsensuale, pra të një raporti të rindërtuar besimi midis opozitës dhe mazhorancës, është një dimension të cilin Evropa e ka zhvilluar edhe e zhvillon.
Por edhe mjaft nga partnerët tanë në rajon, por edhe më gjerë, e kanë zhvilluar me shumë sukses duke u dhënë një shtysë të re ngjarjeve dhe politikës, por edhe jetës shoqërore në vendet e tyre.
Kështu që atë që më së fundmi ne e morëm në Sheshin “Nënë Tereza” si mesazh të madh nga Papa Françesku i cili i demonstroi gjithë botës duke iu kthyer edhe pas një jave, siç juve e dini, këtij dimensioni të bashkëjetesës fetare, pra të gjitha premisat, fondamentet filozofike dhe shoqërore ekzistojnë. Nuk kanë asnjë arsye që të mos rikthehet edhe një klimë konsensusi, por edhe opozicioni normal që palët i bëjnë njëra-tjetrës por duke i ruajtur themelet e mëdha të politikës, duke dëshmuar qartë se i kemi të gjitha premisat për të ndërtuar një politikë me një klimë më të qetë, më të paqtë, ku prevalon logjika dhe emocionet e sëmura dhe teknicizmat e sëmura lihen tutje.
Kështu që unë besoj se të gjitha këto mesazhe intensive që vijnë brenda një kohe shumë të shkurtër që nga vizita e Papa Françeskut, e tek kjo rezolutë tepër e rëndësishme, e kërkojnë dhe e thërrasin politikën për një mendje të re, për një mendjehapje të re.
Do të doja t’ju pyesja për emrin e Guvernatorit të ri. Është përfolur madje sot në median e shkruar se Kryeministri Edi Rama ka dërguar në Presidencë , tek z. Bujar Nishani, emri
n e një ish-Guvernatori argjentinas, i cili mund të jetë pretendent ose një nga emrat që mund zërë postin e Guvernatorit. A jeni ju dakord që Banka e Shqipërisë të drejtohet nga një Guvernator i huaj? A keni dijeni për këtë ?
Së pari me shuam mirëkuptim, nuk është në zakonin tim personal, por as edhe të foltores përmes së cilës unë po i drejtohem medias shqiptare, atë që është sigurisht puna legjitime normale e medias shqiptare. Qëndrimi i Lëvizjes Sociale për Integrim sigurisht që është një dhe mbetet vetëm një , zgjidhja e çështjes së Këshillit të Guvernatorit tashëm si një problem i hapur, të jetë një zgjidhje kushtetuese, me mirëkuptim dhe e shpejtë. Të gjitha modalitet e tjera, të cilat hyjnë brenda këtyre modaliteteve dhe kornizave kushtetuese dhe ligjore, janë të mirëpritura për sa kohë që do t’i plotësojnë këto kritere parimore dhe themelore.
Në raportin e OSBE-së në Vjenë është përmendur dialogu politik dhe mungesa e konsensusit. E njëjta gjë është përmendur edhe Asambleja e Këshillit të Evropës që ju sapo e përmendët, por edhe pas takimit të nivelit të lartë Shqipërisë-Bashkimi Evropian. Disa herë mazhoranca i ka bërë apel opozitës për rikthim në jetën parlamentare.
Nëse opozita nuk ndryshon qëndrim , cilat do të jenë hapat e mazhorancës?
Unë nuk bëj pjesë dhe nuk jam sot këtu për t’i bërë jehonë një qëndrimi negativist të mëtejshëm. Qëndrimi im në emër të Lëvizjes Sociale për Integrim është qëndrim i cili hap hapësira të reja, shikon drejt mundësive të reja dhe sigurisht që unë nuk jam absolutisht as i prirur dhe as nuk arrij të besoj që ne do të kemi një opozitë që do të vazhdojë të qëndrojë gjithmonë jashtë parlamentarit, jashtë jetës politike dhe jashtë tavolinave të mëdha ku merren vendime për fatet e vendit.
Kështu që qëndrimi ynë do të jetë gjithmonë një qëndrim konstant për të krijuar të gjithë hapësirën, sigurisht brenda hapësirës kushtetuese, gjithçka që Kushtetuta dhe ligji mundëson ne do ta japim maksimalisht, të gjithë këtë hapësirë që opozita e sotme që ka qenë mazhorancë, nuk ua ka krijuar të tjerëve, por ky nuk është një paragjykim për ne.
Ne kemi një paragjykim të kundërt, tërësisht pozitiv. Pra të hulumtojmë hapësira dhe të krijojmë hapësira të reja dhe besoj dhe jam i bindur që në opozitë ka kualitete, ka eksperienca politike të njerëzve të shumtë atje.
Ka edhe eksperienca të drejtimit të vendit, të cilët do ta udhëheqin edhe opozitën për të mirën e vendit në radhë të parë, por dhe pse jo edhe për të mirën e saj, që jo thjesht të vijë dhe të flasë me mazhorancë, por të kryejë atë detyrë kushtetues legjitime, që disa qindra dhe mijëra zgjedhës ia kanë ngarkuar për ta kryer. Kështu që skenari i ardhshëm që unë shikoj, është një opozitë e cila do t’i rikthehet dialogut dhe parlamentit.