13 Nov PRAKTIKA PUNE APLIKO TANI
Lëvizja Socialiste për Integrim e shikon rolin e të rinjve në zhvillimin e vendit si një rol të pazëvendësueshëm duke qenë se të rinjtë dhe të rejat e vendit shikohen si kontribuuesit kryesorë për avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit në Bashkimin Europian.
Ne mendojmë se investimi në kapitalin njerëzor përbën investimin më efektiv dhe më rentabël të çdo shoqërie dhe se pikënisja për një përkufizim të ri të Europës duhet të gjendet tek themelet e arsimimit të të rinjve dhe mundësisë që ata të jenë kontributorë realë të zhvillimit të shoqërisë nëpërmjet punës së tyre.
Politikat tona në Lëvizjen Socialiste për Integrim synojnë një punësim cilësor, certifikim të cilësisë së profesioneve dhe mbrojtje të drejtë të punëmarrësve në këtë treg.
Në këtë kuadër Lëvizja Rinore për Integrim ka ndërmarrë një nismë të rëndësishme në këtë drejtim duke krijuar një projekt me një program praktikash pune, i cili do tu ofrojë studentëve eksperiencën e nevojshme për të aplikuar për një vend pune pas përfundimit të studimeve të tyre. Këto praktika pune u ofrohen studentëve aktualisht në sektorin privat, ndërkohë që së shpejti do mundohemi të mundësojmë një marrëveshje edhe me sektorin publik.
Duke krijuar këto mundësi praktikash, LRI dhe LSI u jep mundësinë studentëve për të ecur më shpejt drejt fitimit të aftësisë në një profesion, duke u njohur me proçeset e punës, duke bërë kështu një rini të përgatitur për të përballuar sfidat e jetës.
Ju bëjmë me dije se të gjithë studentët e interesuar për këtë projekt tonin mund të aplikojnë, duke plotësuar formularin e mëposhtëm dhe duke e dërguar bashkangjitur me CV-në e tyre në adresën e e-mailit: praktikapune@lri.al.
Këto praktika të rëndësishme pune do të mundësohen në sektorë të ndryshëm duke përfshirë këtu fusha të tilla si menaxhimi, financë, financë-bankë, drejtësi, degë të ndryshme të inxhinierisë, marketing, design, teknologji informacioni etj. Secili prej studentëve që do të bëhet pjesë e këtij programi do të ketë një punonjës të specializuar që do mbikëqyrë gjithë praktikën dhe do këshillojë studentin për procesin e punës. Praktikat do të zgjasin nga një deri në tre muaj, në varësi të sektorit që është përzgjedhur.
Përzgjedhja e studentëve që do kryejnë praktikat e punës do të bëhet në bashkëpunim me institucionet që na i ofrojnë ato, kriter kryesor do të jetë që studenti të jetë në marrëdhënie shkolle, të ketë plotësuar 60 kredite si dhe të ketë plotësuar me saktësi 3 pyetjet e fundit në formularin e aplikimit.
Falënderojmë për hapësirat e bashkëpunimit dhe ndihmën qe po u ofrojnë studentëve të gjitha bizneset private që pranuan të bëhen pjesë e këtij projekti si Balfin Group.