Ilir Meta: Të domosdoshme reformat konkrete në legjislacion që forcojnë pozitën e gruas në familje dhe shoqëri

Ilir Meta: Të domosdoshme reformat konkrete në legjislacion që forcojnë pozitën e gruas në familje dhe shoqëri

ilirmeta29012013

Lëvizja e Gruas për Integrim ka organizuar sot tek Hotel “Tirana International” një tryezë të rrumbullakët për rritjen e rolit të gruas në shoqëri, çështjen e dhunës ndaj grave dhe barazisë gjinore, me temën “Për një shoqëri aktive, jo indiferente”.
Në këtë tryezë mjaft të suksesshme kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, përfaqësues të shoqëria civile, përfaqësues të medieve më të rëndësishme në vend etj. Më konkretisht nderuar me prezencën dhe kontributin e tyre në të këtë tryezë ambasadorja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zonja Zineb Touimi-Benjelloun, koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Znj. Alenka Verbole, Përfaqësuese e Departamentit të Demokratizimit të  OSBE, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Mentor Kikia, gazetar dhe anëtar i shoqërisë civile, kryetar i “Alternativa Civile”, përfaqësuese nga Forumet e Gruas nga partitë e tjera politike, përfaqësuese nga institucione të ndryshme të administratës publike, si Bashkia e Tiranes, Debaskon – Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Punës, Heshtjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, përfaqësues nga OJF të ndryshme që operojnë në Shqipëri, profesoresha dhe akademike nga universitetet e vendit, personalitete të rëndësishme të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Lëvizja së Gruas për Integrim.

Pas diskutimeve nga të gjithë të pranishmit kjo tryezë ndër të tjera arriti në përfundimin se janë të domosdoshme reforma të tilla si ndryshimi i kodit në familje, ligji i sigurimeve shoqërore, lehtësira në formimin profesional, heqjen e taksave për gratë që dëshirojnë të hapin dhe të kenë një biznes, rritjen e numrit të kopshteve që krijojnë lehtësira jo vetëm për arsimimin e fëmijëve por edhe të sjelljes së mësuesve me këto fëmijë, ngritjen e një plani kombëtar, i cili është i një rëndësi tepër të madhe dhe objekt kryesor i kësaj tryeze, shkuarja derë më derë si dhe kuotat e bizneseve për gratë. I pranishëm në këtë tryezë mjaft të rëndësishme ishte edhe

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili në fjalën e tij deklaroi se është e domosdoshme një politikë konkrete, reforma konkrete në legjislacion që forcojnë pozitën e gruas në familje dhe shoqëri, ligje më të qarta dhe më ndëshkuese për ata të cilët nuk e përmbajnë dot veten e tyre dhe njëkohësisht politika stimuluese, të cilat i ndihmojnë dhe i lehtësojnë gratë të ecin në rrugën e punësimit dhe në rrugën e pavarësisë së plotë të tyre sa më të plotë ekonomike.

Sipas Lideri të LSI-së shoqëria jonë i ka mundësitë për të shënuar një hap të rëndësishëm përpara në këtë drejtim. “Duhet më shumë bashkëpunim dhe bashkërendim midis forumeve që merren me çështjet e gruas, jo vetëm ato politike por edhe të shoqërisë civile, dhe sa më i fortë të jetë ky bashkëpunim aq edhe më rezultativ do të jetë progresi që të gjithë dëshirojnë në këtë drejtim. Natyrisht që kjo nuk mund të realizohet pa ndërgjegjësimin e gjysmës tjetër të shoqërisë, ajo që është edhe përgjegjësja kryesore për shkakun e kësaj dhune, pra të burrave por nuk duhet të mendojmë se nuk ekziston ky sensibilizim, përkundrazi”, tha ndër të tjera Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Fjala e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta

Unë mendoj se kjo tryezë gjithëpërfshirëse është një iniciativë shumë e mirë dhe tregon edhe një dëshirë dhe një vullnet për ta nxjerrë këtë çështje përtej axhendave, interesave të ngushta të një partie të caktuar apo të disa partive së bashku sepse fenomeni është i tillë, një fenomen i përgjithshëm dhe shqetësues. Jo se në të kaluarën nuk ka pasur, në të kaluarën nuk ka pasur media. Çdo gjë ka qenë e kontrolluar dhe për më tepër shoqërua nuk ka qenë kaq e hapur, kaq e lirë dhe demokratike sa ç’është sot por që natyrisht nuk është akoma aty ku duhet të jetë dhe prandaj edhe diskutojmë sot këtë çështje. Për mendimin tim pozita e gruas në shoqëri është shumë e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me pozitën e gruas në familje dhe këto kanë një lidhje reciproke, pra ndikojnë tek njëra-tjetra.

Nuk mendoj se duke pasur më shumë gra deputete, ministre, kryeministre apo edhe presidente, do të ndodhë një ndryshim shumë i madh menjëherë në forcimin e pozitës së gruas në familje në përgjithësi. Por çdo ndryshim pozitiv në këtë drejtim reflekton edhe në familje sepse reflekton në shoqëri. Sa më shumë modele pozitive që të kemi edhe të grave të suksesshme në politikë, në jetën akademike dhe shkencore, në sipërmarrjen e lirë, aq më shumë frymëzim ka për gratë kudo ku janë për të bërë një hap më përpara në karrierën e tyre, në jetën e tyre, në formimin e tyre profesional dhe aq më shumë ndikon edhe tek shtimi i respektit të burrave për gratë. Ndaj unë mendoj se kjo është edhe një lëvizje shumë e gjerë, është edhe shumë komplekse. Këtu u tha me të drejtë se një pjesë e dhunës vjen nga varfëria në familje. Këtu ka dhe një fenomen tjetër që mendoj se duhet trajtuar dhe ndaj të cilit duhet mbajtur një qëndrim edhe si politikë edhe si shoqëri. Kemi një përhapje të jashtëzakonshme, të kazinove, të lojërave të fatit, basteve e kështu me radhe.

Një pjesë edhe e atyre që nuk jetojnë në kushte të vështira ekonomike po jetojnë në kushte më të mira për shkak të kësaj epidemie masive ndodh që humbasin të ardhurat e familjes së tyre apo shpesh edhe shtëpitë e tyre. Pa asnjë diskutim që edhe një pjesë e këtyre shqetësimeve vjen edhe nga kjo përplasje që ndodh në familje për shkak të këtij fenomeni i cili është fenomen që duhet të përballemi dhe që duhet menaxhuar, të paktën përmes kufizimit. 2013 është shpallur si viti i luftës kundër dhunës në familje. Kjo do të thotë që tryeza të tjera do të bëhen dhe duhet të bëhen dhe kjo është pozitive por mendoj se duhet të kalojë kjo në një nivel më lartë, edhe në drejtim të sensibilizimit por sidomos në drejtim të një pakete ligjore. Dhe jam shumë dakord edhe me znj. Zhaklina kur theksoi edhe nevojën për të reformuar edhe Kodin e Familjes. Nuk kemi vetëm dhunën në familje por kemi edhe dhunë në shoqëri.

Ne kemi vënë re kohët e fundit se disa punonjës të Policisë së Shtetit janë vrarë nga elementë kriminalë. Natyrisht është vështirë të ndodhë ndryshë kur në Kodin Penal për armëmbajtje pa leje dënohesh nga me gjobë deri në 7 vite, dhe kuptohet se shumica dënohet më gjobë për shkak të ndërhyrjeve, presioneve dhe vetë tolerancës së jashtëzakonshme që lejon ligji. Prandaj unë besoj se edhe reformimi i Kodit të Familjes, edhe reformimi i Kodit Penal, fuqizimi i ligjeve, absolutisht që rritja e fuqisë ndëshkuese do të rrisë mundësitë për të parandaluar një dhunë në rritje edhe në shoqëri, edhe në familje, edhe ndaj gruas, edhe ndaj fëmijës. Padyshim që me pasojat duhet të merremi. Në këtë drejtim edhe sugjerimi i Altinit për të fuqizuar shërbimet e specializuara është shumë pozitiv sepse ne jemi shoqëri e re që tani po ndeshet me këto probleme dhe nuk i kemi këto shërbime solide. Ndaj përveç ofrimit të këtyre shërbimeve parandalimi është çështje kryesore.

 Njëkohësisht është e rëndësishme që në këtë vit, duke e parë jo si vit elektoral por si vit kundër dhunës në familje, të shohim edhe lehtësira që mund të krijohen për sa i takon formimit profesional të grave në mënyrë që ato të kenë mundësi të gjejnë një punë në vendin ku ato jetojnë apo banojnë, të ndiqen politika stimuluese për sa i takon edhe vetëpunësimit apo bizneseve sociale sepse në fund të fundit absolutisht që pavarësia ekonomike sjelle barazinë e vërtetë. Një grua e cila nuk ka mundësi që të kontribuojë në familje me të ardhura por jeton dhe është e varur nga të ardhurat e bashkëshortit pa dashjen e saj ajo është në një pozitë të vështirë dhe është e detyruar të pranojë edhe dhunën për të mbijetuar për veten e saj dhe për fëmijët e saj. Unë besoj se shoqëria jonë i ka mundësitë për të shënuar një hap të rëndësishëm përpara në këtë drejtim. Duhet më shumë bashkëpunim dhe bashkërendim midis forumeve që merren me çështjet e gruas, jo vetëm ato politike por edhe të shoqërisë civile, dhe sa më i fortë të jetë ky bashkëpunim aq edhe më rezultativ do të jetë progresi që të gjithë dëshirojnë në këtë drejtim. Natyrisht që kjo nuk mund të realizohet pa ndërgjegjësimin e gjysmës tjetër të shoqërisë, ajo që është edhe përgjegjësja kryesore për shkakun e kësaj dhune, pra të burrave por nuk duhet të mendojmë se nuk ekziston ky sensibilizim, përkundrazi. Ajo që duhet është një politikë konkrete, reforma konkrete në legjislacion që forcojnë pozitën e gruas në familje dhe shoqëri, ligje më të qarta dhe më ndëshkuese për ata të cilët nuk e përmbajnë dot veten e tyre dhe njëkohësisht politika stimuluese, të cilat i ndihmojnë dhe i lehtësojnë gratë të ecin në rrugën e punësimit dhe në rrugën e pavarësisë së plotë të tyre sa më të plotë ekonomike.

Fjala e Kryetares së Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha

Më lejoni të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë tryezë pasi konfirmimi juaj për të qenë pjesë e këtij diskutimi për ne do të thotë sot një hap i madh që ne ndërmarrim për t’u bashkuar së bashku dhe për t’i thënë mjaft indiferentizmit ndaj çështjeve dhe problematikave që shqetësojnë sot vendin tonë. Në këtë tryezë kemi përfaqësues në të gjitha fushat që e bëjnë këtë takim sa më gjithëpërfshirës dhe shumë bashkëpunues, pasi një nga objektivat e kësaj tryeze është që të krijojmë zinxhirët e radhëve ndërveprues për zgjimin e popullatës nga indiferenca. Më lejoni të falënderoj të gjithë përfaqësuesit që kemi në të këtë tryezë të rrumbullakët. Do ta nisja nga ambasadorja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zonja Zineb Touimi-Benjelloun, koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, përfaqësues të ambasadës amerikane, përfaqësuesen e OSCE, zonja Alekta Bergule, kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim zotin Ilir Meta.

Ju falënderoj për mbështetjen tuaj, përfaqësues të medias, gazetarë të njohur të televizioneve, pedagogë të universiteteve, përfaqësues të organizatave joqeveritare, që luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në luftën kundër dhunës sidomos në rritjen e statusit të gruas në shoqëri, më lejoni të falënderoj në veçanti forumet e grave politike, të partive politike shqiptare, Partia Demokratike, Partia Republikane dhe PDIU të cilat janë sot të pranishme. Në këtë tryezë kemi përfaqësues të ambasadës  italiane dhe deputete të Parlamentit shqiptar, kemi përfaqësues të LSI, që i përkasin një target-grupi të rëndësishëm ato janë faktori mashkullor që luajnë një rol të rëndësishëm në diskutimin e sotëm, pasi përfaqësojnë atë faktor që duhet të jetë pjesa kryesore e sensibilizimit kur ne flasim për dhunën ndaj gruas. Gjithashtu, në këtë tryezë nuk mund të lë pa përmendur edhe përfaqësuese të Lëvizjes së Gruas për Integrim, të cilat duhet t’i falënderoj për gjithë këtë nismë të ndërmarrë prej tyre për organizimin e kësaj tryeze. Në fakt viti 2013 është shpallur në gjithë botën si viti i luftës kundër dhunës.

Ndaj unë shpreh bindjen time se jo vetëm ne sot në këtë tryezë por e gjithë shoqëria shqiptare duhet të jetë pjesë e kësaj nisme. Por, ne do të duam shumë që pse jo Shqipërinë ta rendisim në ato historitë e suksesit përkrah vendeve më të zhvilluara të botës ndaj që këtu ne fillojmë të kemi një sfidë të madhe, një detyrë të madhe që na lind nga kjo tryezë. Duhet të krijojmë një shoqëri pro vetvetes një shoqëri aktive, duhet të luftojmë për të respektuar të drejtat tona, duhet të punojmë shumë për të respektuar të gjitha përgjegjësitë tona. Duhet të kemi një shoqëri të mirë arsimuar dhe aktive ku fëmijët tanë rriten nën kulturën e respektit ndaj njëri-tjetrit,  me frymën e bashkëpunimit dhe të reagimit ndaj këtij fenomeni siç është dhuna në familje. Shqipëria është një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe të gjithë ne së bashku ne punojmë që ta integrojmë shoqërinë tonë në këtë familje të madhe evropiane. Por, lindin disa pyetje thelbësore. A mundemi ne të integrohemi në shoqërinë e BE-së kur ne ende nuk kemi integruar plotësisht gjysmën më të rëndësishme të shoqërisë sonë, fenomenin grua? A mundemi ne ta kthejmë si pjesë të punës sonë të përditshme përcjelljen e këtij mesazhi pozitiv tek i gjithë komuniteti që na rrethon, tek miqtë, vëllezërit tanë dhe tek rinia jonë? A mundemi ta bëjmë shoqërinë tonë më aktive ndaj këtij fenomeni dhe ti themi këtu një herë e përgjithmonë mjaft indiferentizmit? Jo pa qëllim i drejtova këto pyetje për vetë faktin se Shqipëria kohët e fundit është afër me problemin e dhunës dhe siç kemi marrë nga shifrat zyrtare, ne sot kemi 24 gra për vitin 2012 të cilat kanë përfunduar tragjikisht në humbjen e jetës së tyre.

 Por të mos harrojmë që kemi edhe qindra dhe mijëra gra të tjera të cilat kanë vuajtur në një mënyrë ose një tjetër dhunën në familje. Kjo bëhet një pjesë akoma më e rëndë, në fakt kur kjo dhunë prek edhe një pjesë të rëndësishme të familjes, fëmijët. Këtu është edhe çështja kryesore për informimin që ne duhet t’u bëjmë fëmijëve tanë, për kulturën në të cilën ata rriten pasi një fëmijë i dhunuar, një fëmijë që sheh nënën e tij të dhunuar, që sheh nënën e tij të dhunuar fatkeqësisht mund të jetë nesër dhunuesi i së ardhmes dhe këtu fillon edhe biseda kryesore për ta zgjuar shoqërinë shqiptare nga indiferentizmi për ta bërë atë më aktive dhe për t’i thënë mjaft gjithë kësaj dhune që ka përfshirë gjithë shoqërinë shqiptare dhe qelizën më 1kryesore të saj; familjen shqiptare.    

Mentor Kikia, gazetar dhe anëtar i shoqërisë civile, kryetar i “Alternativa Civile”

Unë natyrisht që jam gazetar, por këtu jam më shumë për të folur në cilësinë e një personi aktiv të shoqërisë civile. Në fakt, nga diskutimet e deritanishme, është duke u krijuar një perceptim që gruaja, që të jetë aktive, duhet të përfshihet në politikë. Nëse do të vazhdojmë me këtë logjikë, do të thotë që të gjitha gratë do na duan të bëhen deputete dhe pastaj nuk do ngeli kush për të qenë amvisë në shtëpi. Kështu që, duke iu referuar sloganit të kësaj tryeze për një shoqëri aktive dhe jo indiferente, unë do doja që ta orientoni diskutimin pikërisht aty, tek angazhimi i gruas në shoqëri dhe jo thjesht në politikë. Nëse partive iu intereson që thjesht t’i kenë për vota grat
ë, unë mendoj se vetë gratë duhet të mendojnë se jeta nuk është thjesht brenda organizatave të partive politike, por është akoma më e rëndësishme jashtë këtyre partive. Unë do të dua të kujtoj se sot shoqëria shqiptare është e sunduar tërësisht deri në qelizë nga politika.

Politika ka marrë përsipër sot të jetë organizuesja e çdo eventi publik. Sot nuk ka asnjë ditë kur ne të shikojmë që grupe të caktuara të shoqërisë, qoftë gra, qoftë të rinj të mund të organizohen me iniciativën e tyre të lirë. Por janë partitë ato që kanë marrë përsipër të bëjnë regjinë skenike të çdo aktiviteti publik. Duhet të kujtoj se si në 8 mars, në Ditën e Gruas, një pjesë e grave ishin mbledhur në Pallatin e Kongreseve dhe brohorisnin kryeministrin teksa ai fliste, ndërsa një pjesë kishin dalë dhe protestonin në bulevard duke kërkuar zgjedhje të parakohshme. Pra, dy tubime në të njëjtën ditë, në ditën e grave që ishin thellësisht në shërbim të politikës, kryesisht asnjë zhvillim në emër të grave dhe për gratë. Ose edhe në ato përpjekja të sforcuara, nuk mblidhen më shumë se 30 apo 40 gra. Duke dëgjuar premtimet e partive për 30 për qind të grave në vendimmarrje, unë kam qenë si fillim kundër kësaj ideje, pasi në fund të fundit kush janë burrat që kanë në dorë sasinë e ajrit dhe të vendosin që kjo do t’u lihet burrave dhe kjo grave?

 Kush janë burrat që të vendosin se në këto karriget e Parlamentit 30 do t’i marrin gratë, 70 do t’i marrim ne? Unë mendoj se duhet që grave t’u krijohen hapësirat për ta zhvilluar karrierën të lira, pa i vendosur as barrierën 30, 40 apo 20 për qind. Ajo që kërkohet sot nga shoqëria është që të dalë nga ndikimi i politikës për t’u shndërruar vetë në një faktor. Në një shoqëri moderne dhe civile, opozita më e fortë dhe e vërtetë është pikërisht shoqëria. Ndërsa në Shqipëri, me keqardhje na duhet ta theksojmë dhe ta pranojmë, se nuk ka shoqëri civile. Edhe pse kemi një shoqëri të tërë me organizata të shoqërisë civile. Shoqëria jonë nuk është civile. Nuk është civile sepse ne nuk reagojmë si të tillë. Mu desh një javë e tërë të organizoja një tubim, pasi ne emër të gjakmarrjes u vra në vajzë 14 vjeçare. Por, në atë tubim, pjesëmarrësit më të shumtë ishin burra. Në çdo shoqëri tjetër njerëzit do ta shkundnin dhe do ta tundnin nga themelet indiferencën e shtetit, ndërsa ne heshtim. Dhe kjo heshtje është vrastare për një shoqëri kur ne mendojmë se duhet t’i bëhemi barrikadë fenomeneve të këqija dhe aq më tepër krimit, që vitin që kaloi ishte më agresiv se kurrë, pikërisht ndaj femrave.

Duhet të jemi aktivë dhe aktivë jo thjesht në sallat dhe tryezat e partive politike. Aktivë jo vetëm thjesht në fushata elektorale, kur mendojmë se duke shkuar në tubime dhe mitingje, do futemi në listat e partive, do kapim një vend pune nga drejtoritë që kontrollohen nga partia në të cilën unë bëj pjesë e kështu me radhë. Por, aktivë duke synuar të ndezim motorin e vetë shoqërisë, pa ndihmën e karburantit të politikës. Dua të kujtoj që ka qenë një grua ajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilës kur iu vra djali nga një shofer i dehur, e vuri në lëvizje tërë shoqërinë derisa u ndryshua ligji për drejtimin e automjeteve në gjendje të dehur, i cili është një nga më të fortët në botë. Ajo e bëri në emër të fëmijës së vet dhe çoi në këmbë tërë shoqërinë. Ndërsa shoqëria jonë vazhdon të jetë apatike dhe vazhdon të jetë aktive vetëm kur e thërret politika. Ky është një realitet i hidhur, por i vërtetë, të cilin ne duhet ta ndryshojmë së pari vetë. Të mos presim direktiva ne nga partitë politike që të vendosë së çfarë do të bëhet me shoqërinë. Ne vetë duhet të jemi aktivë dhe ne vetë duhet ti imponohemi pastaj politikës  për t’i çuar këto ndryshime edhe në vendimmarrje, tek ligjbërësit.