Ilir Meta: Propozimet, angazhime kryesore të LSI në politikat e saj pro biznes dhe pro punësim

Ilir Meta: Propozimet, angazhime kryesore të LSI në politikat e saj pro biznes dhe pro punësim

ilirmeta28022013

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi sot një takim me presidentin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës, Nikolin Jaka, dhe me një ekip përfaqësues. Në qendër të diskutimit gjatë këtij takim ishte një paketë propozimesh që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ka përgatitur për forcat politike, në mënyrë që të adresohen më shpejt për zgjidhjen e problematikave të biznesit. Pas takimit z. Meta dhe z. Jaka dolën në një konferencë për shtyp për mediat e pranishme në selinë e LSI-së. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se këto propozime do të përbëjnë edhe angazhimet kryesore të LSI-së në programin e saj pro biznes. Z. Meta u shpreh se kjo ka të bëjë me një standard më të lartë për çdo qytetar tonin dhe me një ekonomi më të zhvilluar dhe më konkurruese. Nga ana e tij Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës, Nikolin Jaka, falënderoi LSI-në dhe lidershipin e saj për mbështetjen e vazhdueshme që i japin biznesit dhe sipërmarrjes së lirë. “Jam i sigurt që LSI dhe në veçanti z. Meta do të na krijojë mundësi të tjera për të analizuar jo vetëm këtë paketë por edhe mundësi bashkëbisedimi dhe të ekspertizës lidhur me integrimin e sipërmarrjes shqiptare, lidhur me formalizimin e saj por njëkohësisht lidhur edhe me krijimin e një roli të duhur për të qenë partnerë dinjitoz të ekonomisë globale”, tha ndër të tjera Nikolin Jaka.

Sot patëm një takim të frytshëm me Presidentin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës z. Nikolin Jaka dhe me një ekip përfaqësues, në qendër të të cilit ishte një paketë propozimesh që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ka përgatitur për forcat politike, në mënyrë që të adresohen më shpejt, në mënyrë më efikase disa nga shqetësimet më kryesore që ka Komuniteti i Biznesit në vendin tonë, zgjidhja e të cilave do t’i jepte një dinamikë tjetër ecurisë së biznesit dhe gjithë ekonomisë sonë. Situata në të cilën ndodhet vendi ynë sot, por akoma më shumë situata tepër problematike e vendeve fqinje që janë partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe tregtarë, e bën të domosdoshme një qasje më dinamike në politikat tona ekonomike dhe mbi të gjitha një klimë më pozitive pro biznesit. Sepse është biznesi, është sektori privat motori, gjeneratori kryesor i gjithë ekonomisë së vendit dhe njëkohësisht punëdhënësi më i madh, pasi 85 për qind e të punësuarve në vendin tonë i takojnë pikërisht sektorit privat. Ndaj është e domosdoshme të përqendrohemi më shumë në realizimin e atyre politikave ekonomike, të cilat do të mbështesin dhe do të rrisin prodhimin vendas, të atyre politikave që garantojnë një kreditim më të lartë për ekonominë, të incentivave fiskale të bizneseve të vogla dhe të mesme, në mënyrë të veçantë, përmirësimi i përgjithshëm i klimës së biznesit dhe thithja e Investimeve të Huaja Direkte është, ashtu sikurse e kemi nënvizuar, një prioritet i jashtëzakonshëm i tanishëm dhe afatgjatë për të garantuar një rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit, duhet të jetë rritja e prodhimit dhe eksporteve shqiptare ‘Made in Albania’, pasi të gjitha këto do të bëjnë të mundur synimin final, atë të uljes së mëtejshme të papunësisë, jo vetëm kaq, por edhe rritjen e të gjitha standardeve të tjera sociale. Ne jemi në një moment të diskutimit dhe të kolaudimit të programit dhe të propozimeve tonë ekonomike dhe sociale. Për ne, çështja më e rëndësishme është garantimi i një rritjeje të qëndrueshme ekonomike të vendit, është që përmes rritjes së eksporteve të kompensohet ulja e valutës nga dërgesat e emigrantëve dhe mbi të gjitha në qendër të politikës sonë ekonomike si LSI është rritja e punësimit. Ne vlerësojmë debatet që bëhen për taksat por këto nuk mund të jenë debate si qëllim në vetvete sepse edhe taksat nuk janë një qëllim në vetvete. Janë një instrument dhe ne jemi të interesuar të vëmë në lëvizje ato instrumente që rrisin punësimin në vend sepse kjo është rruga më e drejtë dhe më efikase edhe për të luftuar varfërinë. LSI e konsideron biznesin si partnerin më të rëndësishëm të shtetit, të qeverisë, të shoqërisë për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, për punësimin, për luftën kundër varfërisë dhe ky partneritet duhet të jetë i konkretizuar në respektimin reciprok të ligjit dhe detyrimeve, pra si nga ana e biznesit ashtu edhe nga ana e shtetit dhe administratës sonë publike. Sepse me të drejtë një pjesë e madhe e shqetësimeve sot vijnë për mosrespektimin e ligjit dhe të detyrimeve nga ana e shtetit dhe të administratës sonë në kohën e duhur ndaj biznesit. Dhe biznesi sot nuk është në pozita të barabarta me shtetin pasi në rast se brenda një afati të caktuar biznesi nuk ka paguar detyrimet e tij ndaj shtetit, për çdo ditë më pas ka gjobat përkatëse ndërkohë që nuk ndodh e njëjta gjë kur shteti nuk përmbush në kohë detyrimet ndaj biznesit kur është rasti i rimbursimit të TVSH-së apo edhe aspekte të tjera. Pra duhet një klimë tjetër, duhet një partneritet i vërtetë i cili do të motivojë më tej biznesin për tu formalizuar ashtu sikurse është e domosdoshme që përmes formalizimit biznesi të mos falimentojë, përmes formalizimit bizneset të konsolidohen. Ndodh jo rrallë që biznese të cilat duan të formalizohen mund të dështojnë kur në kushtet të tjerët përpiqen t’i shpëtojnë formalizimit. Ndaj e theksoj domosdoshmërinë e këtij partneriteti midis shtetit, qeverisë dhe administratës publike me biznesin sepse një pjesë e madhe e pengesave janë nga moszbatimi i ligjit apo nga problemet e ndryshme administrative, nga udhëzimet jo të qarta dhe ndonjëherë kontradiktore të cilat të gjitha së bashku përbëjnë një kosto mjaft të lartë për biznesin. Duke marrë këto shqetësime të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës unë dua t’i premtoj z. Jaka, presidentit të kësaj dhome, dhe kolegëve të tij që do t’i studiojmë me seriozitet dhe do të angazhohemi që të gjitha kërkesat e drejta që ndihmojnë krijimin e një klime më të shëndetshme dhe më pozitiv pro biznes, të kenë mbështetjen tonë kudo në të gjitha nivelet sepse është momenti kur biznesi duhet inkurajuar, biznesi duhet mbështetur në mënyrë që ekonomia jonë të ecë më shpejt, në mënyrë që të kemi mundësi për të shtuar vendet e reja të punës dhe kjo arrihet përmes një partneriteti real dhe të fuqishëm midis politikës dhe biznesit, midis shtetit dhe biznesit. Unë i uroj suksese Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, i falënderoj për iniciativën e tyre. Besoj që edhe forcat e tjera politike do të shprehin të njëjtin angazhim, në mënyrë që ne t’i japim një mbështetje më të madhe biznesit në vendin tonë sepse në këtë mënyrë i japim një mbështetje më të ekonomisë tonë kombëtare por edhe të gjithë qytetarëve tanë.

Nikolin Jaka: Në radhë të parë unë do të doja të falënderoja Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe lidershipin e saj për pritjen e ngrohtë që i bëri delegacionit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, për të analizuar, në mënyrë të veçanta, të gjitha pikat dhe kërkesat tona. Unë do të doja të bëja me dije se pse pikërisht ne erdhëm tek LSI-ja, pse pikërisht ne u drejt
uam tek z. Meta si kryetar i LSI-së. Janë dy arsyet. E para roli i LSI-së dhe i lidershipit të saj që ka marrë për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian. E dyta ngaqë biznesi dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në veçanti ka pasur kënaqësinë ta vlerësojë me çmimin “Miku i Sipërmarrjes Private” z. Ilir Meta. Ne e kemi mbështetur dhe njëkohësisht kemi gjetur gjithmonë mbështetjen e z. Meta, si në rolin e qeveritarit ashtu edhe në rolin e deputetit apo të politikanit, për atë që bën për sipërmarrjen shqiptare. Ne patëm një takim të ngrohtë ku morëm mirëkuptimin e z. Meta për të gjitha pikat dhe kërkesat në tërësinë e tyre, kërkesa të cilat vijnë si nevojë e shqetësimeve që biznesi sot ka por njëkohësisht është edhe një paketë e cila është analizuar e studiuar, jo vetëm nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë por edhe nga shoqata të tjera. Unë këtu kam nderin të prezantoj edhe znj. Flutura Xhabija, përfaqësuese e gruas sipërmarrëse dhe intelektuale dhe njëkohësisht si Alban Zusi kryetar i Shoqatës së Eksportuesve dhe një ndër analistët tashmë të mirëfilltë të ekonomisë së vendit. Jam i sigurt që LSI dhe në veçanti z. Meta do të na krijojë mundësi të tjera për të analizuar jo vetëm këtë paketë por edhe mundësi bashkëbisedimi dhe të ekspertizës lidhur me integrimin e sipërmarrjes shqiptare, lidhur me formalizimin e saj por njëkohësisht lidhur edhe me krijimin e një roli të duhur për të qenë partnerë dinjitoz të ekonomisë globale. Ne diskutuam për shumë probleme dhe shqetësime që sot biznesi ka dhe ramë dakord që bashkërisht këto shqetësime, këto probleme do të zgjidhen. Prezenca jonë shpreh sigurinë që LSI-ja në zgjedhjet e ardhshme do të jetë faktor determinues për të përcaktuar mbase edhe politikat e integrimit të vendit tonë. Nuk na ngelet asgjë tjetër veçse të presim edhe nga forcat e tjera politike të ketë një mirëkuptim dhe njëkohësisht një analizë të hollësishme të pikave të paketës që ne kemi paraqitur në mënyrë që të respektohet roli i sipërmarrjes private në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Unë ju falënderoj të gjithëve dhe një falënderim të veçantë për LSI-në dhe lidershipin e saj.

Ilir Meta: Duke falënderuar z. Jaka dhe delegacionin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dua t’i siguroj se propozimet e tyre do të përbëjnë edhe angazhimet kryesore të LSI-së në programin tonë pro biznes, jo vetëm për zgjedhjet elektorale por në të gjithë politikat tona të cilat pa asnjë diskutim që i kushtojnë një vëmendje të veçantë nxitjes dhe gjallërimit të biznesit. Kjo ka të bëjë me një standard më të lartë për çdo qytetar tonin dhe me një ekonomi më të zhvilluar dhe më konkurruese.