Ilir Meta për rajonin: LSI është forca e dialogut dhe stabilitetit rajonal

Ilir Meta për rajonin: LSI është forca e dialogut dhe stabilitetit rajonal

ilirmeta108022013

Mbështesim fort dialogun Kosovë-Serbi, ashtu siç duhet të ndodhë edhe brenda Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij në punimet e Komidetit Drejtues Kombëtar (KDK) të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta tërhoqi vëmendjen edhe ndaj zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke theksuar se LSI është forca politike që punon për forcimin e dialogut mes faktorëve politikë dhe vendeve të rajonit tonë, duke bërë një lidhje mes dialogut të brendshëm dhe peshës së Shqipërisë në rajon.

Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se një çështje tjetër e rëndësishme “ka të bëjë pikërisht me angazhimin e LSI-së si forcë që është për integrimin evropian, po kështu lidhur edhe me angazhimin e saj për të forcuar stabilitetin në rajonin tonë dhe për të rritur më tej rolin e Shqipërisë si një faktor stabilizues, konstruktiv dhe paqedashës sikurse kjo ka qenë në të kaluarën”.

Më tej, z. Meta tha se “në nivel rajonal, ashtu sikurse edhe brenda vendit, LSI është për të forcuar dialogun midis përfaqësuesve legjitimë të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë dhe për dialogun ndër-rajonal në tërësi, sepse vetëm përmes stabilitetit dhe dialogut të gjithë vendet tona do të ecin më shpejt në rrugën e integrimit evropian”. Me këtë rast, z. Meta bëri një vlerësim të veçantë për punën e Ministrit të Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti në shërbim të integrimit evropian dhe stabilitetit të vendeve të rajonit.

Duke prekur procesin e integrimit evropian, z. Meta tha: “Ne do të vazhdojmë si LSI të angazhohemi në mënyrë konstruktive për të zhbllokuar procesin e integrimit i cili po pëson një stanjacion të pa drejt dhe të pa merituar gjatë muajve të fundit. Gjejmë rastin edhe njëherë që tu kërkojmë gjithë forcave politike për të marr përgjegjësit e tyre për ti votuar këto ligje dhe për të hedhur një hap të rëndësishëm për marrjen e statusit të vendit kandidat”.
Z. Meta shtoi se shoqëria shqiptare është e bashkuar në drejtim të integrimit dhe se kokëfortësitë e politikës sonë nuk duhet të çojnë në refuzimin e asaj që kërkon Bashkimi Evropian.

“Ajo që është më e rëndësishme është se pas 23 qershorit Shqipëria të jetë një vend edhe më i stabilizuar, të jetë një vend edhe më i qetë, të jetë një vend edhe më normal, të jetë një vend që sjell edhe më shumë shpresë për qytetarët e saj por edhe më shumë besim tek partnerët ndërkombëtarë, pra të jetë një vend i cili nuk përjeton më stanjacion në drejtim të integrimit evropian dhe të zhvillimit të qëndrueshëm” – tha z. Meta.