11 Mar Ilir Meta: Mbyllja e 12 mijë bizneseve në vitin 2023, dëshmi e qartë e situatës të rëndë ekonomike, ku është zhytur vendi nga qeveria e “Rilindjes”
Do doja sot të ndaja sot një shqetësim shumë konkret dhe njëkohësisht tepër problematik, pasi viti 2023 u mbyll me një bilanc tepër të rëndë për biznesin, ku mbi 12.000 biznese kanë vendosur të mbyllin aktivitetin e tyre për shkak të pamundësisë së vijimit të zhvillimit të tij. Shqipëria numëron rreth 120.000 biznese në total dhe kjo do të thotë se mbi 10% e totalit të bizneseve në vend kanë vendosur të pezullojnë aktivitetin e tyre. Mbyllja e mbi 12.000 bizneseve në mbarë vendin është dëshmia më e qartë e situatës tepër të rëndë ekonomike ku ndodhemi. Të goditura nga taksat arbitrare dhe të pa paralajmëruara shpesh të qeverisë si dhe nga tarifat e papërballueshme dhe arbitrare po kështu edhe të pushtetit lokal, nga gjobat arbitrare të qeverisë dhe të pushtetit lokal, nga korrupsioni dhe informaliteti që ka kapur qiellin, bizneset po falimentojnë dhe po ulin masivisht qepenat duke goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë ekonomitë familjare dhe duke lënë pa të ardhura dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë. Një fakt tronditës, që nëse vazhdon me të njëjtat ritme kaq dramatike do të thotë që pas 10 vitesh të gjitha bizneset në vend do të shpallin falimentin. Mbyllja e bizneseve dhe mijëra vendeve të punës do të përkeqësojë më tej statusin social të familjeve shqiptare duke i varfëruar ato akoma më shumë. Kjo situatë godet indirekt edhe pensionistët, të cilët në numrin më të madh të tyre ndihmohen me të ardhura për të mbijetuar nga fëmijët e tyre që ushtrojnë aktivitetet private. Qeverisë qartësisht i intereson falimentimi i bizneseve të ndershme, sepse synimi i saj I vetëm është përqendrimi i të gjithë ekonomisë së vendit në duart e 4-5 oligarkëve, të cilët sot nuk kontrollojnë vetëm industrinë e ndërtimit, por edhe të ushqimeve, të veshjeve, farmaceutikës etj.
Është e qartë që bizneset e ndershme, të vogla e të mesme po falimentojnë masivisht edhe për shkak të pastrimit masiv të parave të pista, në çdo sektor të ekonomisë që ka shkatërruar tregun e lirë duke dëmtuar në radhë të parë ekonomitë familjare.
Një tjetër e dhënë tronditëse që vjen si pasojë e aktiviteteve të jashtëligjshme të pastrimit masiv të parave, të korrupsionit dhe krimit të organizuar me mbështetje qeveritare, është fakti se sektori i ndërtimit dhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme, ka ardhur në rritje në vitin 2023, por të ardhurat nga Tatimi mbi të ardhurat personale mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme, kanë shënuar rënie në vitin 2023.
Të dhënat zyrtare nga administrata tatimore, tregojnë se të ardhurat nga Tatimi mbi të ardhurat personale mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme shënuan rënie me 23% në vitin 2023 ose në 5.4 miliardë lekë nga 7 miliardë që ishin në vitin 2022.
Ky është një tregues i qartë i rritjes së informalitetit të lartë në ekonomi, jo vetëm në tregun e punës, por edhe në transaksionet e shitjeve të pasurive të paluajtshme dhe si transaksione të tjera financiare. Pra, ka një boom të shitjes së apartamenteve në të zezë, por njëkohësisht ka një dështim, një pikiatë të mbledhjes së të ardhurave nga shitja e këtyre pronave me prejardhje të dyshimtë.
Një tjetër problem shqetësues sipas edhe vet raportimit të Ministrisë së Financave në fund të vitit është pikërisht fakti se vlerësimi i stokut të borxhit është 59.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2023. Në krahasim me vitin 2013, kur Rilindja erdhi në pushtet, borxhi publik në miliardë euro është rritur me rreth 2.1 herë ose nga 6.3 miliardë euro që ishte borxhi në 2013, falë Rilindjes ka shkuar në 13.2 miliardë euro në vitin 2023.
Borxhi për banor, që paguan çdo shqiptar, është rritur në këto 10 vite dyfish, nga 2180 euro për banor në 4611 euro për banor. Treguesit e borxhit, duke përfshirë borxhin për banor, koston e shërbimit të borxhit, shpenzimet për interesat, maturimin e borxhit, përbërjen e borxhit në valutë, raportet e borxhit të jashtëm ose të eksporteve ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, marrëdhëniet nëpërmjet borxhit dhe të të ardhurave tatimore, kredibiliteti i institucioneve që janë bartës të borxhit, janë të gjithë tregues shumë të rëndësishëm për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe aftësitë e rimbursimit të borxhit. Në varësi të karakteristikave individuale të treguesve të borxhit të vendeve, pavarësisht nivelit të tij përcaktohet edhe besimi i investitorëve te ekonomia e vendit si dhe aftësia për të siguruar një stabilitet dhe qëndrueshmëri të administrimit të borxhit.
Treguesit e borxhit të vendit tonë si borxhi publik për banor, kosto e shërbimit të borxhit, shpenzimet për interesat e borxhit, raporti i borxhit publik ndaj të ardhurave tatimore dhe raporti i borxhit kundrejt eksporteve krahasuar me vendet e tjera të rajonit, pra me vendet fqinje, veçse janë përkeqësuar. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka treguesit më të përkeqësuarit të borxhit.
Së pari, niveli i borxhit dhe pa llogaritjen e detyrimeve, borxhi publik në përqindje të PBB mbetet ndër më të lartët krahasuar me vendet e rajonit. Në Shqipëri është 59.2% e PBB-së, në Serbi është 52.3% e PBB-së, në Maqedoninë e Veriut 51.7%, në Bosnje Hercegovinë është 27.6% dhe në Kosovë është 18.5% e PBB-së.
Së dyti raporti i borxhit publik kundrejt të ardhurave totale, i llogaritur për vitin 2023, është në 2.11%, 0.68% për Bosnjen, 0.64% për Kosovën, 1.2% për Serbinë, 1.4% për Maqedoninë e Veriut dhe 1.5% për Malin e Zi. Pra edhe këtu ne kryesojmë negativisht. Shqipërisë I duhen të ardhurat e të paktën dy viteve më shumë për të shlyer borxhin, ndërsa vendeve të rajonit do t’u mjaftonte mesatarisht një vit. Shqipërisë i duhen eksportet e 6.4 viteve për të shlyer borxhin, ndërsa vendeve të rajonit do t’u duheshin mesatarisht dy vite për të shlyer borxhin me eksporte.
Një strategji rigoroze e administrimit të borxhit është e domosdoshme për të arritur një ulje graduale të borxhit publik. Ulja e borxhit do të kërkonte rritje më të lartë ekonomike dhe sidomos të të ardhurave publike, që kërkon një luftë rigoroze kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Do të kërkonte mosmiratimin e PPP-ve të reja me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pakërkuar si dhe mos krijimin e detyrimeve të tjera të papaguara të institucioneve qendrore dhe vendore. Do të kërkonte gjithashtu përmirësimin e treguesve financiarë të ndërmarrjeve publike dhe veçanërisht të sektorit energjetik si dhe masa të tjera për të përmirësuar treguesit e performancës qeverisëse.
Dhe meqënëse jemi tek mbyllja e bizneseve, tek rritja skandaloze e informalitetit dhe e korrupsionit, dhe meqënëse jemi tek rritja e borxhit që në fund të fundit e paguajnë qytetarët shqiptarë, atëherë dua të them se Shqipëria ka 13.2 miliardë euro borxh në total në 2023 falë “Rilindjes”.
Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë, se nëse Shqipëria arrin nivelin e mbledhjes së të ardhurave në raport me Produktin e Brendshëm nga 27-28% që e ka, në 41-42% sa e kanë vendet e rajonit Bosnje-Mali I Zi, Serbia etj, kjo I bie që e lan borxhin prej 13.2 miliardë eurosh me një mandat qeverisës.
Dhe nuk ka nevojë fare as të marri borxhe, as të paguaj kostot për borxhet asnjë qytetar shqiptarë. Sepse gati 3.2 miliardë euro në vit vidhen në mënyrë të qëllimshme nga keqadministrimi I doganave, I tatimeve e kështu me radhë.
Pra I gjithë borxhi që ka Shqipëria, falë “Rilindjes” që është dyfishuar dhe që është dyfishuar për çdo qytetar të Shqipërisë që e paguan këtë borxh, shlyhet me vullent politik vetëm me një mandate qeverisës.