Ilir Meta: 28 dhe 29 Nëntori, përjetësisht në historinë shqiptare si dy kokat e Shqiponjës në flamurin tonë kombëtar.

Ilir Meta: 28 dhe 29 Nëntori, përjetësisht në historinë shqiptare si dy kokat e Shqiponjës në flamurin tonë kombëtar.

ilirmeta2829nentor

Lëvizja Socialiste për Integrim ka nderuar ditën e sotme të rënët në luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përfaqësues të LSI-së në qeveri, përfaqësues të Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe përfaqësues të Lëvizjes Rinore për Integrim kanë vënë kurora me lule në memorialin “Nënë Shqipëri” në Varrezat e Dëshmorëve duke nderuar kështu gjakun dhe sakrificën e të rënëve që më 29 nëntor të vitit 1944 çliruan Shqipërinë nga pushtuesit nazi-fashist.

Në një prononcim mediet Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se 28 dhe 29 Nëntori do të qëndrojnë përjetësisht në historinë e Shqipërisë ashtu siç qëndrojnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë kombëtar. Sipas tij këto janë dy data shumë të lidhura me njëra-tjetrën sepse më 29 nëntor 1944 partizanët dhe partizanet e Shqipërisë, ata që drejtuan luftën antifashiste, ata që çliruan vendin me forcën dhe me gjakun tyre, ata që rreshtuan Shqipërinë në krahun e fitimtare të kësaj lufte të madhe, i kthyen vendit Pavarësinë, i dhanë atij lirinë dhe sovranitetin dhe krijuan mundësinë të gjithë shqiptarëve që edhe dje të festonin 100-Vjetorin e Pavarësisë dhe të krijimit të shtetit. “Ndaj një mirënjohje e jashtëzakonshme shkon sot për të gjithë patriotët që luftuan, që nga Mujo Ulqinaku dhe shokët e tij të cilët shënuan rezistencën e parë kundër fashizmit në Europë më 7 prill.

Një falënderim i veçantë u shkon të gjithë partizanëve dhe partizaneve dhe pse jo edhe të gjithë komunistëve shqiptarë, të cilët drejtuan e organizuan këtë luftë dhe kjo është një meritë që duhet thënë pa frikë dhe duhet thye çdo tabu për shkak të një të vërtetë të madhe dhe të një gjaku pambarim që është derdhur. Ishin këta të rinj dhe të reja komunistë të cilët dhanë jetën e tyre në emër të lirisë, të pavarësisë dhe të çlirimit të vendit si Qemal Stafa, Vojo Kushi, Margarita Tutulani, Vasil Shanto dhe mijëra e mijëra të tjerë.

Është detyra jona sot që të mos japim jetën sepse Atdheu nuk e kërkon këtë por të japim konsensus, të japim bashkëpunim, të japim energji pozitive për të ecur më tej në rrugën e një Shqipërie jo vetëm të lirë e të pavarur por edhe të një Shqipërie të zhvilluar dhe anëtare në Bashkimin Europian”, tha z. Meta. I pyetur se a duhet një rivlerësim i figurës së Enver Hoxhës në historinë moderne shqiptare, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim iu përgjigj se koha e bën historinë më të mirë, bën rivlerësim më të mirë të këtyre figurave por kur flasim për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare absolutisht që do ishte një kompleks të mos përmendim rolin e jashtëzakonshëm të Partisë Komuniste dhe të komunistëve shqiptarë sepse 90% e atyre që prehen këtu kanë qenë anëtarë të kësaj partie.

“Përderisa i jepen merita Zogut në disa aspekte nuk ka arsye që të mos i jepen merita edhe Enver Hoxhës sidomos për sa i takon drejtimit të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Megjithatë unë mendoj se nuk është detyrë e politikanë për të bërë historinë sepse politikanët kanë edhe interesat e tyre politike. Mendoj se koha e bën historinë më të mirë, bën rivlerësim më të mirë të këtyre figurave por kur flasim për luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare absolutisht që do ishte një kompleks të mos përmendim rolin e jashtëzakonshëm të Partisë Komuniste dhe të komunistëve shqiptarë sepse 90% e atyre që prehen këtu kanë qenë anëtarë të kësaj partie por natyrisht që ata kanë dhënë jetën e tyre në emër të idealit të lirisë, të pavarësisë për të ringritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në një Shqipëri të lirë dhe të pavarur”, tha ndër të tjera z. Meta.

Në homazhet e sotme në Varrezat e Dëshmorëve ishin të pranishëm personalitetet më të larta të Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe qindra të rinj dhe të reja të Lëvizjes Rinore për Integrim.