20 Mar Fjalimi i Ministri të Drejtësisë, z Nasip Naço mbi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”
I nderuar z. Kryetar,
I nderuar z. Kryeministër,
Të nderuar deputet,
Të nderuar të pranishëm,
Departamenti amerikan i Shtetit në raportin e tij të fundit për të drejtat e njeriut, ka evidentuar se “Qeveria nuk e zbatoi ligjin dhe shpesh zyrtarët përfshihen në praktikat korruptive pa u ndëshkuar, ndërsa korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë.
Përdorimi i sloganeve nga ana e qeverisë që nxisnin tolerancën zero për korrupsionin, shpesh ndrydhte raportimin dhe nxiste manipulimin e të dhënave, që tregonte se korrupsioni nuk ekzistonte”.
Në Progres Raportin e Komisionit Evropian të vitit 2013, citohet, ndër të tjera, se: “Institucionet shtetërore që trajtojnë luftën kundër korrupsionit mbeten të brishta ndaj presionit dhe ndikimit politik, ndërsa lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka bërë progres të kufizuar”.
Ndërkohë Transparency Internacional, e ka renditur Shqipërinë në vendin 116 nga niveli i Korrupsionit, mbas Nepalit, Vietnamit dhe Afganistanit. (Shqipëria një vit më parë ishte renditur në vendin e 113).
Të nderuar koleg deputet,
Fenomeni i korrupsionit vlerësohet si një pengesë reale për progresin e vendit, ku ndërkohë konstatimet e ndërkombëtarëve, duhet të shërbejnë si kambanë alarmi.
Masat e ndërmarra kundër korrupsionit, ndër vite, nuk kanë arritur të sjellin efektet e dëshiruara, në hetimin dhe ndëshkimin e praktikave korruptive, përsa kohë korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në kuota të larta.
Përpos ndryshimeve të bëra në vitin 2012, në nenin 52 të Kodit Penal, që synon nxitjen e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të drejtësisë në rastet e korrupsionit, si dhe ndryshimet e nenit 75/a të K.Pr. Penale, të sapo miratuara, ku në kompetencën lëndore të Gjykatës së Krimeve të Rënda janë shtuar rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, si dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve; lind si domosdoshmëri marrja e masave plotësuese, ku përpos sanksioneve penale, të aplikohen masat e tjera që lidhen me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga veprimtaria kriminale të korrupsionit.
Gjatë një konference në Uashington me Ekspertë për Ballkanin mbi korrupsionin, organizuar nga Fondacioni Heritage, që drejtohej nga ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Edwin Meese është konkluduar se: “Lufta kundër korrupsionit duhet filluar me konfiskimin e të gjitha pronave dhe pasurive të paligjshme që politikanët kanë grumbulluar, të cilat ata nuk mund t’i justifikojnë si të vëna përmes të ardhurave të rregullta”.
Në këtë frymë ecin dhe ndryshimet e bëra në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, ose i njohur ndryshe si ligji “Antimafia”.
Ky ligj është miratuar në vitin 2009 dhe qëllimi i tij ishte parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar dhe trafikimit, përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Dispozitat e këtij ligji zbatohen:
– për pasuritë e personave;
– për pjesëmarrje në organizata kriminale/ose grupe të strukturuara kriminale;
– pjesëmarrje në organizata terroriste ose në banda të armatosura;
– shfrytëzimin e prostitucionit në rrethana rënduese
– trafikimin e femrave;
– trafikimin e narkotikëve;
– pastrimin e produkteve të veprave penale
Dekurajimi më i madh që mund t’i bëhet korrupsionit është goditja e tij, duke sekuestruar dhe konfiskuar të gjitha pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme, duke garantuar siguri për çdo qytetar, siguri për biznesin vendas dhe të huaj, si dhe progres për shoqërinë shqiptare dhe shtetin e së drejtës.
Ashtu siç zbatohen dispozitat e këtij ligji për bandat dhe organizatat kriminale, për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, parashikuar në fushën e veprimit të nenit 3, do të veprohet dhe për veprat penale të korrupsionit, të cilat shtohen si vijon:
• neni 164/a “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”;
Këtu përfshihen personat që ushtrojne funksion drejtues në shoqëri tregtare
• neni 244 “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
Personat që ushtrojne funksione në administratën shtetërore, dhe që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, ku përfshihen:
a) sekretar i përgjithshëm;
b) drejtor departamenti;
c) drejtor drejtorie të përgjithshme;
ç) pozicionet e barasvlershme, etj.
• neni 245 “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; si dhe
• neni 260, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; ku përfshihen:
a) Presidenti i Republikës si dhe drejtuesit e institucioneve të emëruar prej tij,
b) Kryeministri si dhe personat e emëruar prej tij apo nga Këshilli i Ministrave,
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave,
d) Kryetari i Kuvendit,
e) Deputetët,
f) Drejtuesit e institucioneve të emëruar prej Kuvendit.
g) Kryetarët e Bashkive dhe Komunave
• neni 319 “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”;
• neni 319 Ç/ “Korrupsioni pasiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”;
Kjo dispozite i referohet subjekteve te posaçme si:
a) anëtaret e Gjykatës së Lartë
b) anëtarët e Gjykatës Kushtetuese,
c) gjyqtarët dhe,
d) prokurorët në të gjitha nivelet,
e) subjektet e tjera që ushtrojnë detyrën në drejtesi, si: oficerët e policisë gjyqësore, etj.
Të nderuar koleg deputet,
Dispozitat e këtij ligji, siç zbatohen për bandat dhe organizatat kriminale, do të zbatohen dhe ndaj veprave penale të korrupsionit për pasuritë e personave të afërm sikurse janë bashkëshorti, fëmijët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka.
Sipas nenit 6 të këtij ligji, siç zbatohen dispozitat për bandat dhe organizatat kriminale për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë do të zbatohen dhe për veprat penale të korrupsionit dhe janë objekt verifikimi:
-mjetet financiare,
-pasuritë,
-veprimtaritë ekonomike,
-tregtare dhe profesionale,
-niveli ekonomik,
-si dhe burimet e të ardhurave të tyre.
Sidomos kur këta persona janë zotërues:
– të lejeve,
– licencave,
-autorizimeve,
-koncesioneve dhe të drejtave të tjera për të ushtruar veprimtari ekonomike, tregtare dhe profesionale,
-si dhe për të verifikuar nëse ata përfitojnë kontribute,
-financime ose kreditime të çdo lloji,
-të dhëna apo të përfituara nga shteti,
-ente a persona juridikë publikë,
-organizma ose institucione ndërkombëtare,
-si dhe për të verifikuar nëse pasuritë, veprimtaritë apo të drejtat pasurore janë të përligjura.
Të nderuar koleg deputet,
Synimi i këtij projektligji është rritja e përpjekjeve për të dekurajuar në maksimum korrupsionin, nëpërmjet sekuestrimit apo konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme, që burojnë nga veprat penale të korrupsionit.
Në nenin 21, paragrafi i tretë i këtij Ligji parashikohet se: “Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fit
uar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi”.
Në këtë kuptim, vlera reale e këtij ligji qëndron në faktin se, nuk do të jetë prokurori që do të provojë paligjshmërinë e vënies së pasurisë, por do të jetë individi, i cili duhet të provojë të kundërtën përpara gjykatës me prova dhe fakte konkrete sesi e ka vënë pasurinë e sekuestruar dhe konfiskuar edhe në rastet e korrupsionit.
Nga ana tjetër duhet të theksohet fakti se jo vetëm ndëshkimi, por dhe parandalimi dekurajimi
konsiderohen si element mjaft të rëndësishëm, në kuadër të kësaj lufte.
Ndaj më lejoni të sjellë dhe njëherë në vëmendjen tuaj se ndryshimet legjislative të propozuara, vullneti politik i treguar nga maxhoranca, si dhe zbatimi i ligjit njësoj dhe për të gjithë, do ta shndërrojë korrupsionin e zyrtarëve në një aktivitet me fitim zero dhe në çdo rast do ta dekurajojë atë.
Të nderuar koleg deputet,
Në rrugën e nisur drejt progresit ne nuk jemi vetëm por kemi mbështetjen dhe asistencën e Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE, OPDAT, PAMEKA, programet e asistencës së EURALIUS dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që kanë kontribuar në vite në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të garantimit të sigurisë juridike, dhe forcimit të shtetit ligjor.
Të nderuar koleg deputet,
Presidenti Barack Obama, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjitshme së OKB-së, në Shtator 2012 ka deklaruar se: “E ardhmja nuk duhet t’u përkasë të korruptuarve që vjedhin burimet e një vendi.
Ajo duhet t’i përkasë studentëve dhe sipërmarrësve, punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve, të cilët kërkojnë një prosperitet më të gjerë për të gjithë njerëzit.
Nëqoftë se njerëzit nuk mund t’i besojnë qeverisë së tyre, për të bërë punët për të cilat ajo ekziston, për t’i mbrojtur ata dhe për të promovuar mirëqenien e tyre të përbashkët, atëherë çdo gjë tjetër është një çështje e humbur. Kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit është një nga betejat më të mëdha të kohës sonë.”
Të nderuar koleg deputet,
Me miratimin e këtij ligji, kemi mundësinë t’ju japim organeve ligjzbatuese një instrument, që siç luftojnë bandat dhe organizatat kriminale duke sekuestruar dhe konfiskuar pasurinë, ashtu do të luftohet edhe korrupsioni, i cili nuk do të mbetet më peng i demagogjisë.
Prandaj, ne besojmë fort se, kjo paketë ligjore është vetëm fillimi i luftës së kësaj maxhorance kundër korrupsionit.