Fjala e Nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në tryezën “Reforma Territoriale dhe sfidat e qeverisjes vendore”.

Fjala e Nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në tryezën “Reforma Territoriale dhe sfidat e qeverisjes vendore”.

Erisa Xhixho: Opozita e ka hartuar tashmë planin e qartë për ta shpëtuar pushtetin lokal dhe për ta ringritur në nivelin që qytetarët presin dhe meritojnë.

 

Një nga shtyllat e qeverisjes lokale dhe pikërisht shërbimet, kanë marrë një goditje tepër të rëndë në këto vite të zaptimit të qeverisjes lokale nga maxhoranca në pushtet.

Shërbime të fragmentuara, me teknologji tepër të dobët e të prapambetur, me shërbime mirëmbajtjeje krejtësisht të nënfinancuara, kjo është pamja e mjeruar në pushtetin vendor.

Me të drejtë, qytetarët e matin punën e një bashkie me shërbimet dhe lehtësirat që atyre ju ofrohen.

Kryeqyteti është shembulli më i qartë se si korrupsioni që përpin qindra milion euro nga ana tjetër lë qytetarët pa shërbime.

Shërbimet e trasportit urban në Tiranë janë të një niveli primitiv, qoftë për nga shpërndarja e tyre, mbulimi i tepër i mangët i territorit, frekuenca dhe niveli i mjeteve.

Këtij shërbimi nuk i kanë munguar edhe aksidente të shpeshta që nuk kanë asnje lidhje me një shërbim normal e të nivelit bashkëkohor.

Po kështu është situata edhe për mbulimin me struktura jetike si kopshte e çerdhe, numri i të cilave është tërësisht i pamjaftueshëm.

E njëjta situatë e paimagjinueshme është edhe me shkollat, ku pavarësisht se janë vjelë dhjetëra milionë euro përmes taksës së arsimit nga Bashkia për vite të tëra, ndonëse e miratuar si taksë e përkohshme, rezultatet reale janë shumë larg premtimeve të bëra kur u vu kjo taksë.

Në Tiranë dhe anë e mbanë vendit, shkollat nuk kanë ngrohje dhe është skandaloze propaganda e bashkive që vazhdojnë të gënjejnë përpara një situate të tillë kaq të rëndë.

Një nga problemet më delikate është dhe mbetet shërbimi shëndetësor. Në këtë drejtim s’ka asnjë reformë dhe lidhjet e pushtetit lokal me atë qëndror për këtë shërbim madhor janë praktikisht zero.

N.q.s. shtete si Italia e kanë decentralizuar shërbimin shëndetësor duke ia kaluar totalisht administrimin e tij pushtetit lokal, qeveria ka asgjësuar edhe hapat e filluar për ndërthurjen e pushtetit lokal dhe qendror për shëndetësinë.

Centralizimi absolut dhe me objektiv të vetëm korrupsionin nga ana e qeverisë qendrore ka bërë që shpërndarja e infrastrukturës shëndetësore të mos ketë lidhje me gjendjen reale dhe lëvizjet demografike të popullsisë.

Shembull shumë negativ është Tirana, ku strukturat shëndetësore janë po të njëjtat megjithëse popullsia është rritur disa herë dhe duke lënë zona me dhjetëra mijra banorë brenda qytetit pa struktura shëndetësore, ndërkohë që kullat ngrihen pa u ndalur.

Gjithashtu, është asgjësuar roli i pushtetit lokal në bashkëadministrimin e kujdesit shëndetësor parësor si shërbim kapilar në të gjithë territorin, rol që më parë ekzistonte edhe përpara vitit 2013.

Kjo situatë e patolerueshme që lidhet me shërbimet në Bashki sa vjen e përkeqësohet, ndërkohë që numri i punonjësve apo më saktë i patronazhistëve rritet pa u ndalur.

Është vërtet shumë e rëndë që ndërkohë që edhe ujësjellsat u morën nga qeveria në administrim, ajo që rritet është vetëm numri i punonjësve dhe shpenzimet, cilësia e shërbimit mbetet e njëjtë.

Numri i punonjësve të bashkive të Shqipërisë thuajse u dyfishua duke shkuar nga rreth 19 mijë, në më shumë se 34 mijë dhe me efekt financiar me mbi 100 milionë euro. Në të kundërt të premtimit të vitit 2015, kur u bë reforma që u tha se do të shkurtonte numrin e punonjësve duke kursyer dhjetëra miliona euro.

Momenti është kritik sepse kjo situatë rëndohet nga korrupsioni galopant në çdo bashki dhe që kulmon me Bashkinë e Tiranës, e cila korrupsionin e ka kthyer në praktikë të zakonshme, që nga afera qindra milionëshe e inceneratorëve e duke vazhduar me asfaltin elektoral, shpenzimet për propagandë e lukse zyrash e deri te punësimet e pandalshme.

Largimi i kësaj maxhorance nga pushteti është rruga dhe zgjidhja e vetme për ta bërë pushtetin lokal një pushtet për qytetarët me shërbime dinjitoze dhe aq të nevojshme për ta.

Opozita e ka hartuar tashmë planin e qartë për ta shpëtuar pushtetin lokal dhe për ta ringritur në nivelin që qytetarët presin dhe meritojnë.

Ju faleminderit!