Fjala e Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka

Fjala e Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka

lefterkoka14092013

I uroj kryeministrit të vendit suksese sa më të mëdha në drejtimin e vendit dhe në ndërmarrjen e reformave të shumëpritura. I uroj Kryetarit të Kuvendit mbarëvajtje të jetës parlamentare dhe shpalosjes sa më të mirë të vlerave demokratike dhe evropiane në këtë arenë të politikës shqiptare, në mënyrë që ti shërbejmë bashkëqytetarëve tanë sa më mirë duke kontribuar në përmirësimin e jetës dhe të ardhmes së tyre. Të nderuar kolegë, të ndërgjegjshëm ndaj këtij besimi që na kanë dhënë shqiptarët kjo mazhorancë ka ofruar një program i cili do përmirësojë dukshëm jetën e shqiptarëve që në fillimin e implementimit të tij. Ky program vjen i bazuar mbi një efektiv të gjerë në çdo aspekt të qeverisjes, vjen në saj të analizave të thella të ecurisë së vendit gjatë dy dekadave të fundit, konstatuar në përputhje me ekspertizën europiane ndërkombëtare dhe është bazuar mbi nevojat që ka vendi si për reforma ashtu dhe për përmirësimin e aspekteve të caktuara të drejtimit apo administrimit të shtetit dhe standardin e jetës së qytetarëve shqiptarë. Por ky program vjen dhe me një vizion të ri.

Vizioni ynë është të nisim të mendojmë si europianë. Të kontribuojmë në konsolidimin e një shteti që meriton të jetë i barabartë me shtetet anëtare të BE. Të edukojmë fëmijët tanë me një filozofi evropiane dhe ti afrojmë ata të jenë profesionistë të zotë të cilët mund të punojnë dhe të dallohen me punën e tyre në çdo vend të europës dhe të botës. Shqiptarët votuan për një aleancë evropiane, ndaj kjo aleancë do të punojë për të promovuar integrimin në Evropë. Shumë nga pikat e këtij programi janë mëse të realizueshme. Disa përbëjnë risi, disa janë sfida dhe shumë të guximshme. Disa mund të konsiderohen si objektiva të një vendi të zhvilluar dhe jo si një vendi si Shqipëria, megjithatë pavarësisht vështirësive ne besojmë se qytetarët shqiptarë tashmë kanë arritur të kenë ambicie evropiane ndaj pritshmëria e tyre nuk mund të ishte më e paktë sesa e vendeve të tjera. Ishte kjo pritshmëri që bëri një milion shqiptarë të zgjidhin një aleancë e cila ka në thelb të filozofisë së saj europën e bashkuar. Ky program përfaqëson denjësisht këtë mazhorancë dhe sjell një perspektivë të re në çdo aspekt të administrimit të vendit. Duke qenë tejet i privilegjuar që mund ti shërbej shqiptarëve në drejtimin e ministrisë së mjedisit theksoj se ky program përmban një seri prioritetesh për mjedisin, të cilat do të ndryshojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarit shqiptar. Puna në këtë sektor do të përqendrohet në arritjen e reformave, përforcimin e legjislacionit, zbatimin e rreptë të ligjit, ruajtjen dhe rigjenerimin e pasurive natyrore, marrjen e masave të nevojshme ndaj çdo abuzimi, si dhe do të forcojmë kapacitetet për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj publikut. Ne do punojmë që përmirësimi i mjedisit të mos cenojë zhvillimin ekonomik. Mjedisi dhe ekonomia e vendit duhet të ecin paralelisht në mënyrë që të dyja të sjellin një përmirësim të standardit për qytetarin e shqiptare.

Ne e konsiderojmë mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të përbashkët për të gjithë qytetarët, organizatat mjedisore, shoqërisë civile, median, shkollën, shkencëtarët, profesionistët dhe sektorët e biznesit privat. Sikurse e shohim dhe si një potencial të madh punësimi. Direktiva e paligjshme dhe shfrytëzimi pa kriter i natyrës, veçanërisht i parqeve kombëtare ka shkaktuar dëme të mëdha. Ne do ta përmirësojmë situatën nëpërmjet vendosjes së masave rigoroze për ruajtjen e zonave të mbrojtura duke kontrolluar gjuetinë, si dh endke ndaluar përdorimin e armëve të gjuetisë nga persona të paautorizuar. Qeveria do të synojë uljen në 30% të nivelit të ndotjes në zonat urbane nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve të gjelbëria në zonat urbane, kontrollit të injektimit të pluhurit në zonat urbane duke aplikuar teknologji të reja monitorimi. Përdorimi i karburanteve kërkon kritere të bashkimit evropian, zbatimi të standardeve të rrepta që ndotin ajrin. Zhvillimet urbane kaotike, migracioni, legalizimet pa infrastrukturën nëntokësore rrugore kanë bërë të mundur që sot situata e mbetjeve urbane në Shqipëri të jetë ndoshta nga më problematiket në rajon. Sigurisht kjo do të jetë një sfidë jo vetëm e ministrisë e mjedisit por besoj një sfidë kombëtare dhe e qeverisë për të mundësuar ndoshta nëpërmjet projekteve të përbashkëta me pushtetin vendor për të eliminuar ndoshta mbetjet që në burim. Ne do të punojmë për informimin dhe sensibilizim ndaj ndotjes dhe për rrezikun e ndotjes, lidhjen ndërmjet mjedisit dhe shëndetit publik dhe përfitimet e një mjedisi të pastër për ekonomi dhe çlirim si një i tërë. Do kemi një bashkëpunim të ngushtë me organizatat jo fitimprurëse përmes pjesëmarrjes, fuqizimin i rolit monitorues së agjencisë së mjedisit dhe ndarjes së kompetencave për autorizimin, menaxhimin dhe inspektimin.

 Kjo qeveri e konsideron mjedisin si vlerë të shtuar dhe pasuri për gjenerim aktivitetesh ekonomike, krenari turistike dhe duke e konsideruar si trashëgimi për brezat e ardhshëm. Të nderuar kolegë shqiptarët janë europianë jo vetëm gjeografikisht por dhe me mëndje me zemër. Çdo qytetarët shqiptar ëndërron për një atdhe të zhvilluar dhe të përafërt me standardet evropiane. Unë besoj që ky parlament ka aftësinë e shpalosjes së vlerave demokratike evropiane dhe se kjo qeveri u besua bindshëm nga shqiptarët në 23 qershor mund të kontribuojë në transformimin rrënjësor të demokracisë në vend në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe marrjes sa më shpejt të statusit së vendit kandidat në BE. Ky program është një fillim i mirë i rrugës drejt Evropës. Faleminderit.