Fjala e ministrit të Drejtësisë , z. Nasip Naço

Fjala e ministrit të Drejtësisë , z. Nasip Naço

nasipnaco15092013

I nderuar, zoti Kryetar i Parlamentit,

I nderuar, zoti Kryeministër,

Të nderuar kolegë,

Kam nderin të paraqes përpara jush programin dhe vizionin tim si ministër i Drejtësisë në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga programi i koalicionit qeverisës në fushën e drejtësisë. Nëpërmjet këtij programi ne synojmë instalimin e shtetit të së drejtës dhe sundimin e ligjit duke ndërmarrë reformat në sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe në sistemin e gjyqësor në veçanti, me qëllim rivendosjen e integritetit të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë. Për të arritur këto qëllime ne do të propozojmë dhe do të bëjmë shumë shpejt ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe në Kodin Penal. Ne do të synojmë plotësimin e mangësive, por në kohë do të plotësojmë dhe do të përafrojmë kodin aktual me standardet europiane, me qëllim hartimin e një projekti sa më cilësor. Procesi për hartimin e projektligjit do të jetë një proces tërësisht transapernt. Do të tërheqim opinionet e ekspertëve vendas në fushën penale, do të synojmë një bashkëpunim të ngushtë edhe me misione dhe struktura ndërkombëtare që asistojnë në vendin tonë në procesin e përmirësimit dhe të përafrimit të legjislacionit vendas me atë të BE-së.

Kodi i Procedurës Penale do të ndryshohet në fazën e hetimeve paraprake, për gjykimin e shkurtuar, për gjykimin e drejtëpërdrejtë, në reformimin e drejtësisë për të miturit për masat e sigurimit do të ndryshojnë sipas praktikave më të mira në përshtatje dhe me aktualitetin shqiptar. Do të ndërmarrim reforma rrënjësore, afatgjata dhe gjithëpërfshirëse për të rivendosur integritetin e pushtetit gjyqësor dhe të institucioneve të sistemit të drejtësisë. Do të rishikohet skema e qeverisjes së gjyqësorit me qëllim forcimin dhe garantimin e pavarësisë reale të këtij pushteti nga politika dhe bashkëveprimi institucional efikas brenda sistemit të drejtësisë.

Reforma jonë në raport me Këshillin e Lartë të Drejtësisë do të synojë rishikimin kryesisht, por jo vetëm, të përbërjes dhe statusin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve, si dhe proceset disiplinore. Në këtë proces qëllimi kryesor që do të na udhëheqë do të jetë synimi për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Ministria e Drejtësisë do të ndërmarrë çdo nismë ligjore, e cila ka si qëllim rritjen e kapaciteveve menaxhuese të sistemit të drejtësisë si garanci për funksionimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, transparent dhe efikas.

Ministria e Drejtësisë do të kërkojë rritjen e bashkëpunimit me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe mbështetjten maksimale brenda fushës dhe kompetencës së saj. Nga ana e minsitrisë do të ndërmerret çdo masë e nevojshme për rritjen e transparencës në sistemin e drejtësisë përmes garantimit të zhvillimit të seancave publike, dixhitalizimit të arkivave gjyqësore dhe të atyre të isntitucioneve të drejtësisë, zbatimit rigoroz nga gjykatat të ligjit për të drejtën e informimit dhe të tjerë.

Në fokusin e punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe të qeverisë do të jetë edhe forcimi i statusit të gjyqtarit dhe prokurorit, si dhe garantimi i funksionimit efektiv të sistemit të vlerësimit për gjyqtarët dhe prokurorët. Edhe pse kanë kaluar disa vjet që nga viti 2008, ende nuk ka përfunduar sistemimi i vlerësimit të gjyqtarëve, kur janë emëruar gati mbi 90% dhe emërimet janë bërë në mënyrë klienteliste.

Po kështu mund të themi se nga 23 gjykata të rrethit, nga 7 gjykata apeli, deri tani janë emëruar vetëm 7 kryetarë gjykatash, pjesa tjetër janë të komanduar ose të deleguar. Besoj se këto shifra flasin qartë, se duhet një reformim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Mund t’ju them se ka kryetar gjykate që i ka kaluar komandimi edhe mbi 5 vjet.

Të nderuar kolegë deputetë,

Këto të dhëna flasin qartë se ne duhet të përcaktojmë kriteret sa më objektive për rekrutimin, avancimin në karrierë dhe transferimin e gjyqtarëve. Ky këshill dhe inspektorat duhet dhe do të reformohet; do të vendosim një sistem gradash për karrierën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, pavarësisht nivelit ku ata ushtrojnë funksionin e tyre, duke marrë si model praktikat më të mira ekzistuese në legjislacionin e vendeve anëtare të BE-së.

Ministria e Drejtësisë dhe qeveria shqiptare në këtë mandat do të miratojnë ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar”, me qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave të qarta, që duhet të ndjekin strukturat inspektuese përkatëse pranë këtyre dy institucioneve për të mos pasur mbivendosje, për harmoni të plotë dhe kontrolle të përbashkëta me një tematikë të përcaktuar.

Të nderuar kolegë deputetë,

Ne gjatë mandatit tonë do të kemi prioritet edhe drejtësinë administrative, si dhe do të angazhojmë ekspertët më të mirë vendas e të huaj për hartimin dhe miratimin e ndryshimeve në të drejtën materiale procedurale civile dhe administrative, me qëllim harmonizimin me ligjin “Për Gjykatën Administrative”.

Kemi shumë punë për të bërë. Të tjera sfida mbeten për t’u ndërmarrë. Nga ju mund të marr propozime dhe ide të tjera.

Dua të përmend disa prej tyre nga më të rëndësishmet:

Gjykata e Lartë duhet reformuar, pasi nga viti 2008 kjo gjykatë ka dhënë vetëm 13 vendime unifikuese civile dhe rreth 11 vendime unifikuese penale. Pra, nga viti 2008 ka gjykuar për çdo vit rreth 500 çështje civile dhe po kaq penale. Pra rreth 5 mijë çështje.

Aktualisht, sot janë mijëra çështje të regjistruara në Gjykatën e Lartë, që presin të gjykohen. Disa kohë më parë nga një gjykatë e një vendi mik nuk është pranuar kërkesa për ekstradimin e një shtetasi shqiptar me argumentin, midis të tjerave, se sipas raportit të BE-së në gjyqësorin shqiptar ka nivel të lartë korrupsioni. Nuk është e garantuar e drejta për gjykim, pasi në Gjykatën e Lartë ka praktika të ndryshme dhe jo unifikuese, për shkak të korrupsionit. Besoj se kaq mjafton që kjo gjykatë duhet reformuar.

Të nderuar deputetë, gjatë mandatit tonë do të kalojmë në reformë legjislative edhe Gjykatën Kushtetuese. Do të bëhen ndryshime në ligjin “Për Gjykatën Kushtetuese” nën frymën e ndryshimeve të kuadrit ligjor në fuqi, përkatësisht të ligjit “Për Gjykatën e Lartë”, si dhe implementimin e legjislacionit për gjykatat administrative, ku është e nevojshme edhe ndërhyrja në ligjin “Për Gjykatën Kushtetuese’.

Përmirësimi i priocesit të hartimit të legjislacionit, transparencës, do të jetë motivi ynë në procesin e përgatitjes së akteve ligjore dhe nënligjore. Konsultimi i detyrueshëm me qytetarët a faktorë të tjerë të shoqërisë civile, grupet e interesit, ekspertë vendas dhe të huaj gjatë procesit të hartimit të akteve dhe marrja paraprake e mendimeve dhe reflektimi i tyre në projekt-aktet paraprake, përbën një kusht suksesi.

Ministria e Drejtësisë dhe qeveria synojnë ngritjen e një sistemi të bashkërenduar dhe të unifikuar për procesin e hartimit të legjislacionit, duke forcuar Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, duke ngritur nivelin e zbatimit të manualit të teknikës legjislative dhe nga të gjitha drejtoritë e tjera juridike në të gjitha institucionet.

Qëllimi ynë do të jetë përgatitja e akteve ligjore dhe nënligjore, në mënyrë që të jenë sa më pak të kundërshtueshme dhe sa më shumë cilësore; do të sigurojmë respektimin e standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, duke përfshirë aksesin e plotë dhe të barabartë një drejtësi për të gjithë; do të miratohen ndryshime në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me qëllim përmirësimin e trajtimit të të dënuarve me burgim dhe të paraburgosur, konkretisht përcaktimin e rregullave të qarta për trajtimin e kërkesave dhe ankesave të të dënuarve, shërbimin mjekësor, masat disiplinore, procedurat e ndryshme për leje e të tjera. Do të miratohen ndryshime në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”, me qëllim përmirësimin e procedurave të punësimit, transferimit, trajnimit dhe rritjes së përgjegjshmërisë së punonjësve të Policisë së Burgjeve, me qëllim zgjidhjen e çështjes së mbipopullimit në burgje. Është e nevojshme edhe marrja e masave e përpjekjeve të kordinuara ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe shërbimit të provës.

Gjithashtu, do të merren masa administrative të nevojshme për shtrirjen e shërbimit të provës pranë çdo rrethi gjyqësor, për të krijuar lehtësira procedurale në zbatimin e masave të dënimit alternativ, si dhe sigurimi i vazhdueshëm i sistemit të mbikëqyrjes elektronike që monitorohen nga shërbimi i provës. Nga shërbimi i provës në të gjitha vendet janë mbikëqyrur nga vitit 2009 deri në vitin 2013 rreth 8000 të dënuar dhe kanë përfunduar në periudhën e provës rreth 4000 të tjerë. Ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për sigurimin e burimeve financiare të nevojshme për zgjerimin e shërbimit të provës. Gjithashtu, përpjekje maksimale do të bëjmë edhe për mbikëqyrjen elektronike. Sot është një projekt pilot vetëm për Tiranën, që ne do ta shtyjmë në të gjithë vendin për të qenë një histori suksesi jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë, për të garantuar akses të plotë në drejtësi.

Për grupet në nevojë qeveria do të rishikojë tarifat për trajtimin gjyqësor për pretendimet e qytetarëve dhe nëpërmjet harmonizimit të ndryshimeve dhe kushteve të përcaktuara për ndihmën juridike falas, si dhe përfundimin e instalimit të sistemit të audio-regjistrimit në të gjitha gjykatat. Gjatë këtij mandati qeverisës, ne do të synojmë të bëjmë implementimin e plotë të sistemit të regjistrimit audio në të gjitha gjykatat falë ndihmës së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të ndikojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në rritjen e transparencës dhe uljen e fenomeneve korruptive, duke siguruar kështu një sistem të drejtë jo vetëm në dhënien e drejtësisë për qytetarët, por edhe në vlerësimin realist dhe profesional të gjyqtarëve dhe të operatorëve të sistemit të drejtësisë, që marrin pjesë në zhvillimin e procesit gjyqësor, reformën e sistemit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si garanci në rritjen e besimit të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve te sistemi i drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë dhe qeveria do të ndërmarrin nismat ligjore dhe rregullatore për të siguruar ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut apo raste të tjera ku shteti shqiptar është palë përgjegjëse. Gjithashtu, do të ndërmerren masat e nevojshme për përmirësimin e ekzekutimit të tij nga shërbimet përmbarimore shtetërore dhe private, ku qeveria do të shprehë vullnetin e saj në parashikimin në buxhet për vitin që vjen të një shume të konsiderueshme për të bërë atë që nuk është bërë në disa vjet, ku shteti është palë debitore.

Avokatia. Duke e konsideruar avokatinë si pjesë shumë të rëndësishme në sistemin e të drejtësisë jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme ligjore për t’u dhënë të drejtën gjykatave ose Avokatit të Popullit të monitorojnë dhe të penalizojnë avokatët që nuk respektojnë procesin gjyqësor, duke përfshirë edhe rastet e mosparaqitjes në seancat gjyqësore.

Të nderuar deputetë, lufta kundër korrupsionit është një nga prioritet e kësaj qeverie dhe për këtë qëllim Ministria e Drejtësisë do të hartojë edhe strategjinë kundër
korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Do të ngrihet një task forcë e profilizuar për konstatimin e sjelljeve dhe akteve korruptive në administratë dhe në sistemin e drejtësisë, duke bërë ndryshimet përkatëse në Kodin e Procedurës Penale. Në këtë rast, veprat penale të korrupsionit në sektorin privat dhe shtetëror do të hetohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, duke i konsideruar ato si krime të rënda, të cilat kërkojnë një angazhim të madh politik dhe juridik, mbështetur kjo edhe në rekomanimet e ekspertëve të tjerë, si dhe në byronë kombëtare të hetimit që do të krijohet shumë shpejt.

Gjatë vitit 2012 për veprën penale të korrupsionit janë regjistruar në prokurori rreth 518 procedime penale, nga këto 417 procedime për shpërdorim detyre dhe vetëm për veprën penale të korrupsionit janë 122 vepra penale, nga të cilat janë dërguar në gjykatë dhe janë dënuar vetëm 40 të pandehur. Në sistemin e drejtësisë janë dërguar dy çështje dhe vetëm një është në proces gjyqësor. Besoj se këto shifra tregojnë qartë që ne duhet të krijojmë gjithë ato instrumente për të luftuar realisht korrupsionin. Ministria e Drejtësisë për këtë qëllim do të mbështetet në një analizë dhe studim të detajuar të performacës së kuadrit ligjor ekzistues me konventat penale e civile kundër korrupsionit të Këshillit të Europës, duke ndërhyrë edhe në akte të tjera ligjore që lidhen me këtë qëllim, si për shembull ndryshimet në Kodin Civil, për të përshtatur standardet e Konventës Civile të Këshillit të Europës, vendosjen e përgjegjësisë civile që rrjedh nga veprimet korruptive, ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, lejimin e provës me dëshmitarë për veprime korruptive, përcaktimi i përgjegjësisë së administratës shtetërore për shkak të veprimeve korruptive, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, shtimi i përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit për veprat penale korruptive, si mbikëqyrja elektronike ose veprime të infiltrimit e të tjera, ndryshime në Kodin e Procedurës Administrative, përgjegjësia e administratës publike dhe punonjësve të saj për dëmet që u shkaktojnë personave privatë nëpërmjet veprimeve korruptive, ndryshime në Kodin Penal e të tjera.

Të nderuar kolegë, sfida është e madhe dhe programi ynë është një program i mbështetur më së pari në nevojat tona, nisur edhe nga praktikat e deritanishme. Përmbushjen dhe realizimin e këtij programi e shohim të mbështetur në kapacitetet dhe burimet tona njerëzore që, për hir të së vërtetës, nuk na mungojnë, por për një sukses të spikatur ne garantojmë bashkëpunimin e plotë dhe efektiv në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, si dhe me të gjitha organizmat ndërkombëtarë që asistojnë në reformën në kushtet e drejtësisë. Sfida të mëdha kemi ende përpara, përderisa reforma në drejtësi është ende në qëndër të vëmendjes.

Mbështetur sa parashtrova më sipër janë kryer një sërë reformash, por probleme të mëdha ka ende përpara që do të jenë në fokusin e punës sonë.

Ju siguroj se Ministria e Drjtësisë në të gjitha hallkat e saj dhe brenda funksioneve të saj do të synojë ta ngrejë drejtësinë shqiptare drejt standardeve që i kemi aspiruar prej kohësh, duke u përpjekur me gjithçka tonën të mirë, që t’i kthejmë vlerat një sistemi kaq të rëndësishëm.

Të nderuar kolegë deputetë, suksesi i reformave në drejtësi varet nga bashkëveprimi i disa institucioneve të pavaruara kushtetuese, duke përfshirë Presidentin e Republikës, Këshillin e Lartë të Drejtëisë, Shkollën e Magjistraturës, Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme e të tjera.

Kjo maxhorancë do të vërë në dispozicion dhe do të mobilizojë të gjithë burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare që ajo ka në dispozicion në shërbim të një faqeje të re të sundimit të ligjit në Shqipëri në përputhje edhe me standardet e pritshme për një vend kandidat për anëtar të BE-së. Shqipëria është e të gjithëve dhe ka nevojë për kontributin e të gjithë atyre që e ndiejnë, por edhe që janë realisht shqiptarë dhe që janë krenarë.

Faleminderit!