Fjala e ministres së Integrimit Evropian, Klajda Gjosha

Fjala e ministres së Integrimit Evropian, Klajda Gjosha

klajdagjosha14092013

Për mua është një nder i jashtëzakonshëm që ndodhem sot për herë të parë në këtë foltore të Kuvendit të Shqipërisë dhe me të vërtetë më lejoni të ndaj me ju një përgjegjësi të jashtëzakonshme kundrejt qytetarëve shqiptarë, qeverisë dhe partisë politike të cilën unë përfaqësoj, si dhe opozitës.

Mua më është caktuar dhe besuar një nga detyrat më të rëndësishme, ajo e plotësimit të aspiratës së gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. Një proces i tëri integrues, i cili ka filluar ndër vite por që sot kërkon një punë të pa ndalur, jo vetëm për marrjen e statusit të vendit kandidat, por pse jo më pas duke hapur negociatat dhe duke anëtarësuar plotësisht vendin në Bashkimin Evropian.

Programi i integrimit evropian, i imi dhe i kësaj qeverie, do të ketë si kryefjalë bashkëpunimin, koordinimin dhe komunikimin, jo vetëm mes institucioneve përgjegjëse por mbi të gjitha një bashkëpunim dhe komunikim të veçantë edhe me opozitën, duke e parë atë si pjesë të rëndësishme dhe të pandarë të këtij procesi, për të përmbushur me korrektesë të gjitha prioritetet që vijnë nga marrëveshja e Stabilizim – Asocimit, dhe kryesisht në ngritjen e kapaciteteve, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për këtë do të ngrihet një Komitet Kombëtar i Integrimit, me pjesëmarrjen e një sërë aktorëve dhe ekspertëve në fushën e integrimit evropian, si dhe do të ngrihet një mekanizëm koordinues dhe kontrollues për afatet e reformave dhe ndjekjen me rigorozitet të detyrave të lëna nga BE. I gjithë procesi, në fund të fundit, do t’i shërbejë përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe përshpejtimit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, ne kemi një detyrim të madh ndaj informimit të qytetarëve shqiptarë, mbi konceptin e integrimit, procesin kompleks që ai mbart dhe për t’i bërë të ditur se rruga e integrimit sheh si komponent kryesor vetë qytetarin.

Ne kemi një detyrë të madhe për ta informuar atë mbi procesin që nis që nga vendi i hedhjes së mbeturinave, pavarësisht se duket pak banal, dhe deri tek reformat e mëdha. Për këtë arsye, ne do të planifikojmë vizita në shkollat e mesme dhe universitare, do të organizojmë forume të hapura informuese si dhe konferenca të posaçme të cilat do të organizohen në partneritet të plotë edhe me shoqërinë civile.

Një hapësirë e madhe do ti jepet edhe grave dhe vajzave, të cilat do të jenë pjesë e pandashme e procesit, duke qenë se luajnë një rol kryesor në zhvillimin e vendit, emancipimin e vendit dhe nuk mund të kemi integrim evropian nëse nuk përfshijmë këtë kategori kaq të rëndësishme si pjesë e këtij procesi.

Ministria e Integrimit do të luajë një rol kyç koordinues në qeveri, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarëve shqiptarë dhe më tej do të jetë zëri i tyre në Bashkimin Evropian. Ne do të punojmë shumë që marrëdhëniet e ngritura deri tani me vendet anëtare jo vetëm që do të ruhen por do të forcohen edhe më tej duke u treguar të gjithëve punën tonë konkrete, dëshirën dhe vullnetin e mirë për një zhvillim të mëtejshëm dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe duke pranuar me modestinë më të madhe se ne jemi një vend i vogël dhe kemi shumë punë për të bërë. Por, që nuk do të ndalet asnjë sekondë për të arritur standardet e Bashkimit Evropian.

Ne do të jemi shumë të hapur ndaj shkëmbimit të eksperiencave dhe adoptimit të modeleve më të mira. Ne do të planifikojmë dhe implementojmë me kujdesin më të madh me një vizion largpamës të gjitha projektet IPA duke i kanalizuar ato në prioritete urgjente të vendit, por njëkohësisht duke investuar për një të ardhme të sigurt në ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e institucioneve.

Një nga synimet kryesore do të jetë dhënia e mundësisë së studimit të studentëve në shkollat më të mira evropiane duke i kushtëzuar ata më pas me rikthimin e tyre dhe punësimin e detyrueshëm nga Ministria e Integrimit dhe drejtoritë përkatëse në ministritë e linjës. Një prioritet i rëndësishëm do t’i jepet edhe projekteve rajonale, të cilat do të shërbejnë në zhvillimin e marrëdhënieve dhe zhvillimin ekonomik të përbashkët të vendeve tona. Pikënisja do të jetë nëpërmjet një strategjie të përbashkët duke e përkthyer më pas atë në një plan veprimi dhe projekte konkrete.

Do të ketë një bashkëpunim të veçantë me qeverinë e Kosovës për përsosjen e procesit të integrimit si dhe bashkëpunim për përkthimin e përbashkët të “Acquis” dhe së fundmi por jo më pak e rëndësishme, ne do t’i bashkëngjisim procesit të integrimit angazhimin e ambasadave tona në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe avokati të fortë në favor të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Dua të ftoj të gjithë komponentët e procesit të integrimit, qeverinë, opozitën, kolegët deputetë dhe gjithë qytetarët shqiptarë, jo vetëm të bëhen pjesë e programit të integrimit por të kontribuojnë për ta pasuruar, plotësuar dhe përmbushur atë, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndjehemi krenar për Shqipërinë evropiane, për Shqipërinë me standarde të larta ashtu siç e kemi ëndërruar të gjithë ne.