06 Jun Fjala e Kryetarit të grupit të LSI-së, z. Petrit Vasili
I nderuar Kryetar i seancës,
Të nderuar kolegë deputetë,
Tema që kishim sot për diskutim dhe që kishte të bënte me ngritjen e komisionit hetimor, përkoi me një moment politik të veçantë, qoftë për nga intensiteti politik dhe emocional pozitiv, që kemi provuar së bashku.
Normalisht, ai shënoi edhe ditën e sotme, pavarësisht debatit, i cili na futi në hullinë e një diskutimi më të qetë dhe konstruktiv.
Për të mos u larguar nga thelbi i çështjes, sot jemi thirrur të mbyllim diskutimet lidhur me ngritjen e një komisioni hetimor për emërimet në administratën publike, komision që për sa i takon arsyes dhe thelbit, ka gjetur dakordësinë për t’u ngritur.
Kemi pasur një dasi lidhur me objektin.
Para se të diskutonim për objektin do të ndalesha, lidhur me disa momente që u diskutua gjerë dhe në sallën e parlamentit, në radhë të parë me idenë se komisionet hetimore janë atribut ekskluziv i opozitës.
Besoj se kjo është një tezë që nuk na çon gjëkundi. Është një atribut i opozitës, por nuk është instrument ekskluziv i saj, sepse thelbi i funksionimit të komisioneve është që ato përbëhen nga të dy krahët.
Kërkohet, madje, që shumicën e tyre, me përjashtim të drejtimit, ta ketë maxhoranca. Është një instrument që e ekzekutojmë së bashku.
Nuk do të thotë që është vetëm një atribut, por edhe një mundësi reale që parlamenti, si një pushtet i ndarë, ka për të verifikuar ekzekutivin, por edhe gjithë fenomenologjitë që ai i mendon të arsyeshme për t’i shqyrtuar dhe hulumtuar.
Thelbi i komisioneve nuk është hetimi, drejtpërdrejt, por shikimi i fenomenit në tërësinë e tij.
Qëllimi i tyre është deduktimi i ndryshimeve të caktuara të karakterit legjislativ apo rregullator që do të përmirësonin procesin dhe jo thjesht misione faktmbledhëse, që do të mbushnin thesin politik të njërit krah për të goditur krahun tjetër.
Po ta banalizonim çështjen në mbledhjen e fakteve, ato mund të mblidheshin edhe me instrumente të tjera, siç është mundësia që çdo deputet të marrë informacione kudo në administratën shtetërore.
Thelbi i komisionit shkon më gjerë, sepse ai shkon me idenë për të përgjithësuar gjetjet e tij në disa ndryshime të domosdoshme që do ta bënin procesin gjithmonë më të mirë e më të shëndetshëm.
Qëndrimi tjetër, që parlament dhe ekzekutiv janë një, është një tezë e gabuar.
Nuk është qëndrim i maxhorancës. Dy pushtetet i kanë të qarta fushat e veprimit dhe atributin e kontrollit.
Njësimi i tyre do të thotë asgjësim i parlamentit dhe i instrumenteve të tij, gjë që do të na çonte në modelin e vjetër. Edhe artikulimi që të ndahemi një herë e përgjithmonë është i gabuar.
Kemi pasur raste kur maxhoranca ka ndërtuar komisione hetimore për çështje që i ka gjykuar shumë të rëndësishme për t’u hetuar.
Është e pamundur, edhe në planin politik, që opozita të ketë monopolin e kontrollit, kritikës, e bërjes së moralit parlamentar, e nismës së aksionit parlamentar: pra të jetë ajo që e prin këtë çështje. Secila nga palët vë në veprim të gjitha instrumentet që i jep parlamenti.
Përmbajtja, thelbi, ndershmëria e objektivave bëjnë dallimin se kush e fiton apo e humb një aksion në fushën e parlamentit. Duke ruajtur dhe mbajtur diferencat tona, edhe në komisionin në fjalë, ku kemi dakordësinë për ngritjen e tij, jemi të detyruar të bashkëpunojmë dhe të ecim në konkluzione logjike që na mundësojnë edhe ndryshime të caktuara ligjore.
Ne nuk duhet të kemi ndonjë shqetësim për zgjerimin e objektit, sepse zgjerimi i periudhës kohore vetëm se hedh dritë mbi gjërat dhe krijon mundësinë që konkluzionet t’u përkasin disa viteve, e jo të kenë një qëllim e objektiv politik të ngushtë, që nuk shkon më shumë se objektivat 24 orësh.
Është momenti që në gjithë hulumtimin e kësaj veprimtarie, duke shmangur përplasjet, mbivendosjet mbi proceset e rregullta, objekti i komisionit do të bëhej më i qartë, duke u lejuar gjithë fushave të veprimit të shtetit të kryejnë si duhet punën e tyre, pa u ndikuar dhe pa interferuar te njëra-tjetra.
Do të thosha që më objektin e ri që propozojmë dhe mënyrën sesi ndërtohet, mbi themele shumë më parimore se i mëparshmi, ne e çlirojmë komisionin nga rënia në banalitetin e një drejtorie kuadri, e cila mbledh, pjesëton e seleksionon dokumente, por duke e kthyer atë në një komision dinjitar, me të gjitha mundësitë që mbi gjetje masive të shtrira në vite, të kemi mundësinë për të parë se cili është fenomeni tipik dhe ku duhet të ndërhyjmë sa më parë, me dakordësi dhe mirëkuptim, për të bërë që ligji i nëpunësit civil të jetë sa më pak i influencuar nga ndryshimet politike, por të ecë ajo linjë ligjore që e vendos në një raport të qartë nëpunësin me sistemin dhe me sistemin e ankimimit.
Në këtë mënyrë, në fund të ditës, do të kishim një raport që të gjithë do të kuptonin se çfarë bëmë, se çfarë elementi të ri u sollëm, se nga çfarë i mbrojtëm dhe se çfarë e reje u garantohet në raport me atë që nuk u është garantuar më parë apo që legjislacioni nuk ua ka ofruar tërësisht.
Në progresraportin e fundit është konstatuar se niveli i legjislacionit dhe mjaft elemente të tjera janë të një niveli të tilla që lejojnë që administrata civile të ecë në mënyrë korrekte në hullinë e një legjislacioni të konsoliduar, monitorimi i të cilit është objekt i parlamentit, por njëkohësisht i gjithë mekanizmi i ankimimit dhe i mbrojtjes së shërbimit civil ekziston në ligj. Është detyra për ta vënë në lëvizje dhe për të vërejtur funksionimin e tij.
Duke e mbështetur ngritjen e komisionit, me një objekt tërësisht të ndryshëm, logjik dhe të arsyeshëm, që na çon në hullinë e një procesi të vërtetë, do të ftoja deputetët e opozitës që të bëheshin pjesë e këtij propozimi konstruktiv, për të përmirësuar kualitetin e një komisioni dinjitoz dhe jo, po e përsëris, një drejtori kuadri e zakonshme që shfleton dokumente.
Faleminderit!