29 Oct Fjala e Kryetares së LRI-së, Floida Kërpaçi në Konventën Kombëtare
Fjala e plotë e Floida Kërpaçit
Përshëndetje të gjithëve,
Energji e jashtëzakonshme në ketë Konventë të Parë Zgjedhore të Partisë së Lirisë!
Ka nisur një valë ndryshimi për Shqipërinë dhe të gjithë ne jemi ndërtues të Shqipërisë së njerëzve të lirë për të menduar, të lirë për të ëndërruar, të lirë për të brë biznes e për Shqipërinë e shqiptarqë shpalosin të lirë talentet e tyre në fushat ku veprojnë.
Shqipëria u përket të rinjve, dhe Partia e Lirisë do të jetë forca politike e mundësive pa kufi për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë; gjimanzistë, studentë, pedagogë e profesionistë të rinj.
Objektivi madhor dhe prioritar i Partisë së Lirisë është investimi në politikat rinore. Në politika rinore që gjenerojnë ekonomi dhe aftësim profesional për rininë shqiptare.
Rinia është e para për Partinë e Lirisë dhe rinia do të jetë e para edhe për Shqipërinë!
Sepse e ardhmja e Shqipërisë varet drejtpërdrejtë nga mundësitë që ka brezi i ri sot.
Arsimi Cilësor është kauzë dhe prioritet kryesor i Partisë së Lirisë, si instrument që ndërton një shoqëri me kulturë, të aftë për të ndërtuar një shtet demokratik, me të rinj dhe të reja që janë të lidhur me tregun e punës, e që çajnë përpara në jetë me forcën e tyre.
Do të masivizojmë programin Mëso dhe Fito, duke rritur numrin e shkollave profesionale dhe duke përmirësuar kurrikulën e tyre, me parimin e gërshetimit të aftësimit profesional, me marrjen e dijeve teorike, duke mundësuar që gjatë vitit shkollor nxënësit e gjimnazit edhe të mësojnë, por edhe të zhvillojnë praktika pune të paguara në të njëjtën kohë.
Do të zhvillojmë sistemin e këshillimit të karrierës, duke e lidhur ngushtësisht shkollën dhe orientimin e nxënësve për vijimin e studimeve, me zhvillimet bashkëkohore të tregut të punës.
Që të mos kemi si sot, të rinj që harxhojnë kohë dhe financa për të mbaruar të gjitha ciklet e studimit, për të përfunduar që punojnë në një profesion komplet tjetër.
Ne besojmë se shteti duhet të përkujdeset më shumë, duke dedikuar energji prioritare për Kapitalin Njerëzor që kemi në Shqipëri.
Ne do të zhvillojmë programe masive që nxisin hyrjen e të rinjve në tregun e punës, ku një ndër masat do të jetë subvencionimi financiar i kompanive që do punësojnë të rinj deri në moshën 29 vjeçare.
Do të realizojmë Ngritjen e inkubatorëve të biznesit me qëllim rritjen e start upeve, me qëllim zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit.
Ne do ti mbështesim të rinjtë me politika shtetërore, të cilat i mësojnë hap pas hapi, se si të hapin një biznes, si të hartojnë plane biznesi që të kenë investime të sigurta, si të aplikojnë për grante apo kredi.
Sepse ne synojmë jo një Shqipëri me ekonomi të monopolizuar, përkundrazi, Partia e Lirisë do të garantojë vendosjen e konkurencës, tregut të lirë, dhe prishjes së monopoleve që kanë shkatërruar klimën e biznesit në vend, e që mban larg edhe investitorët e huaj.
Partia e Lirisë ka një program të dedikuar për lidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe Punësimi i mirëpaguar i rinisë shqiptare do të jetë qëllimi i politikave të Partisë së Lirisë.
Që çdo I ri në Shqipëri të gëzojë Dinjitet në Punë, me “Paga Jetese”, që i garantojnë cilësi jetese; jo si sot, ku pjesa më e madhe e pagës shkon për të shlyer borxhet, faturat e ujit dhe të energjisë, ushiqmit, e prap nuk del.
Lëvizja Rinore për Integrim ka parashikuar në programin e partisë mbështetjen më të madhe për të rinjtë, ndaj i ftoj të gjithë të rinjtë të bashkohen, të aktivizohen sepse tani është koha për të reaguar fort ndaj këtij regjimi që i mohon dhe përbuz të rinjtë!
Është koha për të marrë fatet e vendit në dorë!
Faleminderit!