Deklarata, Kryetarja e LGI, Esmeralda Demiraj: Papunësia e grave në nivel shqetësues

Deklarata, Kryetarja e LGI, Esmeralda Demiraj: Papunësia e grave në nivel shqetësues

Përshëndetje,

Dua të fokusohem sot te një çështje që prek drejtëpërsëdrejti fuqizimin tonë si femra, gra e nëna shqiptare, atë të papunësisë së Gruas.

Çështja e pamundësisë së një femre të aftë për punë, për t’u punësuar, nuk afekton vetëm gruan në nivel indivual, por ka impakt të drejtëpërdrejtë në familje e për rrjedhojë ndikimi i këtij fenomeni negativ në shoqërinë tonë është i dukshëm dhe i prekshëm nga të gjithë ne!

Kjo kërkon vëmendjen tonë të menjëhershme dhe si qytetarë të këtij vendi të kërkojmë ndryshim, zgjidhje e minimizim të pasojave!
Gratë e papunësuara nuk përballen vetëm me stresin financiar, por me më shumë problematika të tjera që derivojnë deri në izolim social.
Për gratë shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ështe 69.5% ndërsa për meshkujt ky tregues është 82,2 % pra për meshkujt shkalla e pjesëmarrjes është 12.7 % më e lartë.
Është thelbësore dhe esenciale që çdo femër, nëne, gruaje t’i jepet e drejta të ketë mundësinë të nxjerrë jetesën në mënyrë të ndershme, duke i mundësuar akses në tregun e punës, duke ndaluar çdo lloj diskriminimi gjinor dhe steriotipi mbi rolet gjinore, pagesa të barabarta me meshkujt dhe duke luftuar çdo lloj përjashtimi e denigrimi që shpesh i bëhet asaj.
Fenomene këto që qëndrojnë të rrënjosura në kulturën tonë, që vazhdojnë të udhëheqin mendësinë e kësaj qeverie, e cila me politikat e saj kombëtare dhe vendore përcjell modele të gabuara dhe të vjetëruara të punëve të përcaktuara “vetëm për gratë” apo “vetëm për burrat”.
Kjo qeveri fatkeqësisht vazhdon të mos përkrahë dhe të mos mbështesë edukimin dhe aftësimin e grave për tu angazhuar në punë të tjera gjithëpërfshirëse, por e ka standardizuar rolin e gruas në shoqëri të lidhur fort me përkujdesjen, edukimin, pastrimin, rregullimin dhe pozicionet e thjeshta.

Edhe pse trumpeton me zë të lartë punësimin e gruas në administratën qendrore dhe vendore, duke dhënë shifra të cilat në sipërfaqe të krijojnë idenë që kjo qeveri e mbështet gruan, në fakt le të sqarojmë se kjo përfshirje është në nivel specialisteje dhe punëve mbështetëse, sepse pozicionet drejtuese kryesisht i mbajnë meshkujt.
Tabloja e realitetit të punësimit të gruas shqiptare sot kryesisht është e lidhur me fushat e sektorit të bujqësisë dhe të fasonerisë.
Sipas të dhënave të qeverisë gratë në vendin tonë përbëjnë afro 55% të forcave të punës në bujqësi, por sipas të dhënave të INSTAT vetëm 7% e grave drejtojnë fermat rurale.
Ku në fakt në fermat familjare janë gratë që luajnë rol të rëndësishëm, konkretisht bëjnë 96% të punës në fshat, një punë kjo e papaguar për shkak të mentalitetit dhe mungesës së një plani masash nga qeveria për të mbështetur në skemat financiare rritjen e rolit të grave në bujqësi.

Rikujtojmë skandalin ku Komisioni Europian ndërpreu pagesat për programin IPARD II, dhe ngriu programin IPARD III ku parashikoheshin 146 milionë euro mbështetje në bujqësi, përfituesit e këtyre granteve kryesisht ishin fermerët meshkuj.
Pra kjo qeveri nuk mbështet zhvillimin e bujqësisë e jo më të mbështesë gratë fermere dhe të nxjerrë politika për fuqizimin e gruas në bujqësi.
Fasoneritë sot janë fusha më e madhe e punësimit të grave dhe situata e tyre fatkeqësisht gjendet kritike, ato ose janë drejt mbylljes ose drejt shkurtimit të vendeve të punës, duke i lënë gratë shqiptare të papuna dhe të pasigurta për të ardhmen e tyre në tregun e punës.

Ftoj gratë e përfshira në politikë sot, të cilat mbajnë një numër të lartë të përfaqësimit si në organet ligjvënëse ashtu dhe në organet qendrore ekzekutive, të mbajnë me dinjitet e integritet qëndrimet e tyre per mbrojtjen e të drejtave të grave, të bëhen një i zë i fortë për mbështetjen reale të gruas, në krijimin e kushteve për punësimin e saj, pavarësinë e saj financiare, mbeshtetjen e saj ne sipërmarrje dhe nxitjen e saj për t’u zhvilluar e aftësuar në fusha te ndryshme!

Asnjë premtim nuk është materializuar deri sot, as për nënat e reja, as për të sapodiplomuarat, as për përkrahjen e nënave me shumë fëmijë, as për pensionet e grave e lista vazhdon.
Të gjitha propozimet e here pas hershme të Partisë së Lirisë per mbeshtetjen e vajzave, grave, nënave në nevojë, pensionisteve etj kanë rënë në vesh të shurdhët.

Kjo qeveri e ka mendjen të miratojë pa debat e pa transparencë ligje shumë kontestuara, jo vetëm nga opozita, shoqëria civile dhe ekspertët, por shumë herë dhe nga Bashkimi Europian, sepse etja e tyre për korrupsion, i derivon nga vizioni i të mirës së përgjithshme të qytetarëve.

Lëvizja e Gruas pranë Partisë së Lirisë i bën thirrje çdo gruaje si dhe çdo qytetari të denoncojë paligjshmëritë, diskriminimet, shkeljen e të drejtave ndaj gruas të çfarëdolloj forme, pasi kësaj mizorie kombëtare i duhen dhënë STOP!

Partia e Lirisë merr përsipër t’i adresojë publikisht këto denoncime dhe do angazhohet maksimalisht për të qenë një zë i fortë për të propozuar zgjidhjen konkrete të problematikave të punësimit të gruas, si dhe është e gatshme të ndërmarrë masa për fuqizimin dhe Integrimin e gruas në një kohë sa më të shpejtë.

Fokusi jonë kryesor janë e do të jenë gratë si baza e familjes, shoqerisë dhe vetë jetës.
Ju faleminderit!