10 Jun LSI marrëveshje me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës për zgjidhjen e problemeve të biznesit. Meta : Prioriteti i LSI-se, shlyerja e borxhit ndaj biznesit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta ka nënshkruar me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka “pakti dakordësisë”. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Lideri i LSI-së pasi është njohur prej disa kohësh me kërkesat e komunitetit të biznesit dhe pasi ka vlerësuar se një pjesë e mirë e këtyre propozimeve kanë qenë të përfshira ose kanë qenë në përputhje me Planit e Punësimit. Sipas paktit të nënshkruar, LSI-ja angazhohet për qeverisjen e pas 23 qershorit, në mënyrë që në kohën më të shpejtë të mundshme të zgjidhim problemet më të mprehta dhe më akute që ka sot biznesi dhe sipërmarrja që në fakt janë edhe problemet më delikate të ekonomisë shqiptare dhe që reflektojnë akoma më shumë edhe tek ekonomia familjare.