19 Jun Ilir Meta: Vetëm bashkëpunimi dhe partneriteti me biznesin fason ndihmon Shqipërinë të ecë më shpejt. Meta : Taksa zero për lëndët e para për biznesin fason

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka zhvilluar dy vizita në dy biznese fasone në vendin tonë, konkretisht në një fabrikë këpucësh në qytetin e Shkodrës dhe në një biznes veshmbathjesh në Njësinë nr. 8 në Kryeqytet.
Duke folur para punonjësve të këtyre bizneseve, i shoqëruar një sipërmarrësit, Lideri i LSI-së deklaroi se vetëm bashkëpunimi dhe partneriteti midis shtetit dhe qeverisë me biznesin dhe sipërmarrjen do të ndihmojë Shqipërinë që të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe në rrugën e punësimit, në rrugën e mirëqenies dhe të braktisjes së varfërisë për mijëra e mijëra familje shkodrane dhe shqiptare. “Prandaj, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kushtuar dhe i kushton një vëmendje të veçantë mbështetjes së biznesit fason sepse është biznesi më i rëndësishëm punëdhënës për gratë dhe vajzat në Shqipëri, por njëkohësisht është edhe një faktor shumë i rëndësishëm për eksportet tona dhe është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit tonë. Prandaj ne jemi të angazhuar për ta mbështetur edhe më tej këtë biznes për të ndihmuar në zgjerimin e këtyre aktiviteteve me hapjen e vendeve të reja të punës”, tha z. Meta.